I gjithë procesi që zvarritet, përveç diskutimit për shtratin ligjor dhe politik nëpër të cilin ka kaluar, e sigurt që ka dëmtuar qëllimin kryesor për të cilin u ndërmor; kthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Dr. Zylyftar Bregu

Në korrik të vitit 2016 Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 140 vota fillimin e reformës në Drejtësi. Reforma parashikonte kalimin në proces “vetingu”, (proces rivlerësimi) të të gjithë gjykatësve, ndihmësve të tyre si dhe të prokurorëve, duke riformatuar sistemin nga e para, me qëllim kthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Pesë vjet më pas, në veting kanë kaluar 460 prokurorë, gjykatës apo ndihmës të tyre. Vetëm 183 prej tyre, ose më pak se 40 për qind, janë konfirmuar në detyrë. Pjesa tjetër 277, ose rreth 60 për qind nuk e kanë kaluar klasën duke dalë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Fakti që procesi nisi nga maja e piramidës së drejtësisë, një vendim shumë i debatueshëm, ka prodhuar këto efekte anësore; Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë që duhet të ketë, ka vetëm 7 syresh. Edhe procesi për zgjedhjen e këtyre ka qenë i debatueshëm, duke cenuar integritetin e Gjykatës më të lartë në Shqipëri. Gjykata e Lartë ka vetëm 9 anëtarë (nga 22) dhe i mungon kryetari, duke funksionuar me zëvendëskryetar. Kjo gjykatë thotë se janë në listë pritje për t’u gjykuar 36 mijë dosje (çështje). Disa prej këtyre dosjeve, e sigurt që do të gjykohen aq vonë sa drejtësia do të jetë e panevojshme.

Gjykatat e Apelit që përfaqësojnë nivelin e dytë të gjykimit kanë kaluar në kolaps, për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve të mbetur. Prokuroria e Posaçme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta politike dhe administrative (SPAK), nisi funksionimin 3 vjet pas miratimit të ligjit. Madje, me tetë prokurorë nga minimumi dhjetë që kishte parashikuar kushtetuta. Vetëm gjatë këtij viti struktura e kësaj prokurorie u plotësua, duke përmbushur numrin 14, të vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mirëpo, organi ekzekutiv i kësaj prokurorie, BKH-ja ende nuk ka nisur nga puna. Të përzgjedhurit e parë janë duke marrë trajnimet e fundit, ndërkohë që jemi ende larg përmbushjes së strukturës së BKH-së me 61 ekspertë.

Panorama bëhet më gri, nëse kujtojmë se 460 prokurorët dhe gjykatësit që kanë kaluar vetingun përbëjnë rreth gjysmën e anëtarëve të sistemit të drejtësisë në vend. Përfundimi i procesit do të kërkojë edhe pesë vite të tjera, pavarësisht se mandati i komisioneve që bëjnë vlerësimin mbaron në pranverën e 2022-it. Kushtetuta ka parashikuar që në rast se vetingu nuk ka mbaruar, Këshilli i Lartë Gjyqësor veton gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, veton prokurorët. Duket se mazhoranca socialiste në pushtet, partia që e ka propozuar vetingun, nuk beson shumë tek këto dy struktura (KLGJ dhe KLP), pasi ka kërkuar konsensusin e opozitës për të ndryshuar kushtetutën me qëllim zgjatjen e mandatit të strukturave të posaçme që bëjnë vetingun.

I gjithë procesi që zvarritet, përveç diskutimit për shtratin ligjor dhe politik nëpër të cilin ka kaluar, e sigurt që ka dëmtuar qëllimin kryesor për të cilin u ndërmor; kthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Në momentin që u miratua reforma në Drejtësi, në vitin 2016, sondazhi i realizuar nga IDRA, tregoi se 91 % e të intervistuarve ose e mbështesnin “plotësisht” (64%) ose “deri diku” (27%) nevojën për një reformë të tillë.

Pas pesë vitesh duket se ka vdekur edhe ajo që vdes e fundit, shpresa. Një sondazh i dy javëve më parë, realizuar nga  Euronews Albania tregon se një në katër persona (25,1%) mendojnë se reforma ka shkuar keq dhe një në dhjetë (11%) mendojnë se ajo ka shkuar shumë keq. Thuajse asnjë shqiptar në 100 prej tyre, nuk mendon se ajo ka shkuar shumë mirë (0,8%) dhe më pak se çereku (24%) mendojnë se ka shkuar mirë.

 

Zylyftar Bregu është profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës