Piramida e Tiranës është një shembull konkret i ndryshimeve pozitive në Shqipëri dhe të kthimit të një simboli të së kaluarës së errët në një burim drite dhe frymëzimi për të ardhmen.

Zylyftar Bregu

Piramida e Tiranës do të mirëpresë të hënën liderët kryesorë të BE-ë dhe Ballkanit. Nga njw muze personal i diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, tani po shndërrohet në një qendër ekuilibri dhe progresi për të rinjtë shqiptarë dhe një forum ku liderët më të rëndësishëm të Evropës takohen për të diskutuar të ardhmen e rajonit.
Piramida e diktatorit, njohur ndryshe si Piramida, ka qenë simbol i një periudhe të errët të izolimit dhe represionit që dominoi Shqipërinë për dekada të tëra. Ndërtesa kishte shërbyer si vend i ekspozitave dhe nderimit të një diktatori që përshkruante veten si “babai i popullit,” por në të vërtetë mbante nën hijen e saj vuajtjet dhe sakrificat e shqiptarëve nën regjimin komunist.
Sot, Piramida është e para në një seri transformimesh pozitive për Shqipërinë. Arkitekti holandez Winy Maas është përfshirë në një projekt të shpëtimit të ndërtesës dhe i ka dhënë jetë të re, të shëndetshme dhe frymëzuese. Ajo do të shërbejë si një qendër trajnimesh kompjuterike ku të rinjtë do të mësojnë shkathtësitë e teknologjisë dhe kodimit, duke hapur dritën e dijes dhe aftësive të tyre në një botë të digitalizuar.
Tirana nis një erë të re në epokën digjitale pas Parisit, Berlinit dhe Yerevanit. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) çelën në mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, TUMO Tirana, qendrën më të madhe të teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21 duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit.
Në fjalën përshëndetëse ku ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se kjo nismë synon t’u japë fëmijëve dhe atyre që guxojnë, një mundësi për t’i treguar sot botës mbarë se çfarë talenti kanë.
TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Ndërsa përgatitet projekti i transformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana do të operojë në Qendrën Arena.
Në TUMO Tirana, fëmijët do të zhvillojnë planin e tyre mësimor të personalizuar nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Kurrikula mundëson krijimin e planeve të personalizuara të të mësuarit në mënyrë të pavarur, nën supervizim të ekspertëve dhe mentorëve. Plani mësimor ofron zhvillimin e workshop-eve dhe laboratorëve ku nxënësit thellojnë dijet dhe aftësitë e tyre në një temë zgjedhur prej tyre, punojnë në grup dhe krijojnë portofolot e tyre në formën e projekteve në modelim 3D, programim kompjuterik, robotikë, muzikë, etj.
Njohuritë që fëmijët fitojnë nëpërmjet kurseve dhe kurrikulave i ndihmojnë në zhvillimin e krijimtarisë dhe të menduarit analitik. Gjatë workshop çdo nxënës ka një tutor roli i të cilit është të ndjekë pjesëmarrjen e fëmijës, ta inkurajojë në rritje të performancës dhe ta orientojë gjatë procesit të eksplorimit të informacionit dhe krijimtarisë së fëmijës.
Piramida e Tiranës është një shembull konkret i ndryshimeve pozitive në Shqipëri dhe të kthimit të një simboli të së kaluarës së errët në një burim drite dhe frymëzimi për të ardhmen. Ajo do të jetë vendi ku shqiptarët do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre teknologjike, ndërsa njëherazi do të jetë forumi ku liderët europianë do të bashkohen për të ndërtuar marrëdhëniet dhe të diskutojnë perspektivat e një kontinenti të bashkuar.

 

Zylyftar Bregu, wshtw lektor nw Universitetin e Tiranes dhe gazetar i lirw