Hapësirat gjeografike të lajmeve në median tradicionale, duket se I ka zgjeruar ose fshirë media onlinë. Në këtë kuadër, BIRN ishte një nga agjensitë e lajmeve rajonale që ka zyra në të gjithë rajonin. Projekti “Vicinity” ka një natyrë tjëtër nga BIRN, por ka një dobi të jashtëzakonshme për komunikimin e munguar të etnive në rajon.

Dr Zylyftar Bregu

 Në një monitorim të zhvilluar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, në të cilin isha i përfshirë, për të monitoruar cilësinë e informacionit në televizionet shqiptare përgjatë vitit 2019-2020, ka rezultuar se lajmet nga Kosova kanë zënë rreth 12 përqind të sasisë së përgjithshme të informacionit në edicionet informative. Ndërsa lajmet nga rajoni, hapësirë ku përfshihet, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina shkojnë deri në 20 përqind.

Shifra në vetvete nuk është problematike. Por, nëse e analizon atë konstatohen dukshëm probleme dhe dukuri në aspektin e qarkullimit të informacionit në rajonin e Ballkanit.

Konstatimi i parë është mënyra se si vjen informacioni në Tiranë, për realitetet rajonale. Asnjë nga të përditshmet e printuara të Tiranës nuk ka korespodent apo të dërguar në rajon. Televizionet duket se janë një hap para në këtë drejtim.

Televizioni kombëtar “Klan” tashmë nga Kosova raporton nëpërmjet korespodentes. Në një formë të ngjashme vijnë në Tiranë, për këtë television edhe lajmet nga Serbia, nëpërmjet një gazetari shqiptar që jeton atje.

Ndërsa në lidhje me Maqedoninë e Veriut ka një zhvillim të rëndësishëm. Televizioni kombëtar “Klan”, prej tre vitesh po kryen investime për të ngritur studiot edhe nga Kryeqytetit i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, nën logon “Klan Maqedonia”.

Për fqinjin tjetër të Shqipërisë, Malin e Zi, lajmet vijnë vetëm nëpërmjet agjensive ndërkombëtare të lajmeve.

Gati të njëjtën skemë ka edhe televizioni tjetër kombëtar në Shqipëri, Top Channel. Në Kosovë ka një gazetarë/korespodente.

Televizioni Publik shqiptar nuk ka korespodent në asnjë nga vendet e rajonit. Kjo mangësi është konstatuar dhe kritikuar në mjaft raporte mbi operatorin publik.

Në këtë mënyrë, lajmet në Tiranë për zhvillimet në rajon, mbërrijnë nëpërmjet agjensive ndërkombëtare. Këto agjensi, për shkak të peshës që kanë vendet e rajonit i kushtojnë vëmendje ta pakët këtyre vendeve, përjashtuar rasteve të konflikteve ndëretnike.

Rruga tjetër, nga e cila mund të merret, informacioni janë mediat shqiptare në vendet e rajonit. Por, sipas drejtuesëve të medias në Tiranë, raportimi i kolegëve të tyre shqiptarë në vendet fqinjë është shumë larg standardeve gjuhësore dhe profesionale. Kjo është një pengesë për të marrë e publikuar në median e Tiranës artikuj të përgatitur nga kolegët në rajon.

Një arsye tjetër e “bojkotit” që media e Tiranës i bën zhvillimeve në rajon, madje edhe zhvillimeve ndër shqiptarë është “indiferenca” e publikut në Shqipëri për këto zhvillime.

Nga analiza e informacionit rajonal në mediat shqiptare, duken më se paku dy tipare të rëndësishme. Karakteristika e parë është se informacioni mbi rajonet është kryesisht mbi lajmet e kronikës së zezë, ngjarjet “hard”. Së dyti, janë informacionet që kanë si burim, zyrat e institucioneve. Nga rajonet mungojnë artikujt problematikë, ata investigativë apo reportazhet, mbi ekonominë, jetën sociale, kulturore etj. Këto të fundit mund të ndikojnë në njohjen më të thellë të kulturës së njëri-tjetrit dhe të katalizojnë komunikimin mes etnive.

Hapësirat gjeografike të lajmeve në median tradicionale, duket se I ka zgjeruar ose fshirë media onlinë. Në këtë kuadër, BIRN ishte një nga agjensitë e lajmeve rajonale që ka zyra në të gjithë rajonin. Projekti “vicinity” ka një natyrë tjëtër nga BIRN, por ka një dobi të jashtëzakonshme për komunikimin e munguar të etnive në rajon.

 

Dr Zylyftar Bregu është pedagog i shkrimit të lajmit në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, që nga viti 2004. Ka punuar si gazetar në disa nga mediat më të mëdha të Tiranës dhe bashkëpunëtor me media të huaja.