Qëndrimet ndëshkuese i kam hasur që kur isha fëmijë.  Nuk u mora me këtë. Ka qenë si një libër i mbyllur gjatë gjithë jetës time.

Zora Milovanovic

 Pashë poshtë, ktheva kokën.  Më dukej sikur po me pëlciste lëkura dhe gjëja që do të doja më shumë ishte t’ja mbathja.

Pyesja veten – ‘Si është e mundur kjo? Çfarë ka ndodhur?’  Një lumë me fjalët më të ndyra më doli nga goja! ‘Mos ma bëj këtë!’ – qava dhe i bërtita asaj në të njëjtën kohë!  Ndjeva se më kishte lëvizur tokën poshtë këmbëve, duke më larguar nga jeta ime.

Unë gjithmonë flisja me vajzën time hapur, pa hezitim – ballë për ballë.  Dhe, po aq sa mund të dukej se ishim kilometra larg, dashuria e ndërsjellë dhe ndjenja më domethënëse dhe e pastër e afërsisë kanë qetësuar gjithmonë çdo situatë – dhe ne që të dyja jemi karaktere të zjarrta!  Këtë herë, ajo më pa në heshtje me një shprehje të ftohtë akull në fytyrë, dhe gjithçka që mund të mendoja ishte se si ajo kishte hequr dorë nga rruga jonë e përbashkët në të ardhmen.  Gjithçka e kam menduar dhe bërë, duke pasur interesin e saj më të mirë në zemër.  Nuk doja as ti hidhja sytë.  Heshtja fliste vetë.  Vazhdoja të pyesja veten: ‘Pse po ma bën jeta këtë?’ Për çfarëdo që do të filloja të mendoja, do ta lija dhe do filloja të mendoja se vajza ime e shtrenjtë, dashuron një vajzë!

Tmerr! Më dukej se vajza ime më kishte turpëruar dhe tradhtuar.

Koha kalonte dhe çdo stuhi ndjenjash dhe mendimesh filloi të mblidhej në pyetjet: ‘A je gati ta humbasësh? Të mos e shohësh më kurrë ndoshta?  Te mos e puthësh kurrë?  Të mos e përqafosh kur qesh dhe kur qan? A është më e rëndësishme për mua se çfarë do të thonë njerëzit?‘  Pikërisht atëherë kuptova që, kurrë nuk ka pasur rëndësi për mua se çfarë do të thoshin njerëzit, veçanërisht kur kisha një mendim për diçka. Pastaj më erdhi një pyetje e papritur: ‘A kam unë ndonjë qëndrim për personat homoseksualë?’

Duke i lejuar vetes të mendoj në heshtje, kur jam më e sinqertë me veten, kuptova se nuk kisha një mendim për këtë. Qëndrimet ndëshkuese i kam hasur që kur isha fëmijë. Nuk u mora me këtë. Ka qenë si një libër i mbyllur gjatë gjithë jetës time.  Çdo gjykim ishte një përpjekje e dobët për të mbrojtur injorancën time.

E shikoja me cep të syrit që të mos më vinte re.  Epo, është i njëjti rosak i vogël që e dua pafund, për të cilën do ta jepja jetën pa e menduar dy herë! E kuptova që edhe ajo nuk po më shikonte.  Ndoshta vetëm me cep të syrit.

Ky ishte momenti kur vendosa të heq dorë nga egoizmi im në këmbëngulje për të qenë vetvetja, në dëm të saj.  Hoqa dorë nga ajo që kërkoja të ishte për mua, për shkak të asaj – çfarë do ajo!?  Hoqa dorë nga e drejta stereotip për të ditur se çfarë është më e mira për fëmijën tim, se – çfarë mendon ajo?! A kam lënë ndonjëherë njeri të vendosë për mua? Jo!

Fillova të ndjej turp sepse gati tradhtova vajzën time.  Tmerr!

Unë nuk dua të heq dorë nga fëmija  im! Nuk ka asgjë në botë që do të më bënte ta lija atë pa mbështetje dhe që të luftonte e vetme kundër padrejtësisë!  Sa më shumë mësoja rreth kësaj, kuptova se kishte nevojë për mua më shumë se kurrë.  Njerëzit që identifikohen si homoseksualë janë shënjestër gjykimi për shkak të injorancës dhe egoizmit të dikujt tjetër, dhe një prej tyre është edhe fëmija im!

Shpesh kam folur me të dhe të dashurën e saj, kam pirë kafe, kam qeshur dhe kam qarë, dhe kam qenë nëna më e lumtur në botë që kam një vajzë me të cilën mund të krenohem – inteligjenca, humori, qëndrimet e saj ndaj jetës; dhe ajo është aq e re! Jam gjithashtu krenare për partneren e zgjedhur, sepse ajo e di se çfarë nuk do! Jam krenare dhe mirënjohëse për mirëkuptimin që tregoi ime bijë, që unë të mund ta kuptoja më mirë.

Akoma edhe sot, kam turp vetëm për reagimin tim në momentin e parë … turp përpara fëmijës tim!

 

Zora Milovanovic, Beograd