Nuk përmenden akoma pasaportat Covid në fqinjësinë tonë, gjë që do të vazhdojë padyshim ta mbështesë industrinë e turizmit në vendet fqinje.

Zarko Joksimovic

Turizmi në Kosovë. Disa mund të vrasin mendjen se ç’farë është kjo, ndonëse unë nuk do të isha plotësisht dakord me ata që e nënvlerësojnë rëndësinë e kësaj industrie. E them këtë si dëshmitar i dorës së parë i një numri të madh turistësh të huaj në Prizren, si dhe në rezortet e skive të mbushura me turistë në Brezovicë, Prevallë, Arxhenë mbi Brod, në Malin Sara, në këtë kohë të vitit. Mund të rendis edhe shumë destinacione të cilat gjatë verës shohin mijëra turistë, sidomos gjatë fundjavës, megjithatë është për të ardhur keq që turizmi nuk kontribuon mjaftueshëm në ekonomisë kosovare, pavarësisht potencialit të tij.

Pandemia, duke përfshirë pranverën e kaluar dhe mbylljen e pjesshme të kufirit gjatë verës, ka patur ndikimin e saj tek turizmi. Duket se fija tashmë e zbehtë e turizmit fetar është thyer pafundësisht dhe riprogramimi i festivaleve fetare ka pakësuar numrin e vizitorëve në pjesën tonë të Ballkanit. Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit, vlerësoi se qyteti ka humbur 10 milionë euro të ardhura nga turizmi vitin e kaluar për shkak të anullimit të festivalit të filmit dokumentar të DokuFest-it.

Ky sektor ka vuajtur më shumë gjatë verës së kaluar, për shkak të masave pandemike që ndalojnë tubimet e mëdha dhe festimet. Dasmat e planifikuara prej kohësh dhe kremtimet Sunnet u anulluan. Dy nga festimet më të mëdha të Bajramit u festuan në mënyrë modeste, pasi një numër i madh i kosovarëve të diasporës nuk mundën të ktheheshin në atdheun e tyre, duke ulur ndjeshëm fitimet e turizmit anembanë Kosovës.

Qeveria e Kosovës, si nën drejtimin e Albin Kurtit, ashtu edhe më pas nën drejtimin e kryeministrit në ikje Avdullah Hoti, ka prezantuar paketa mbështetje për mbështetjen e sektorit të turizmit, ndonëse kjo nuk ka ndikuar shumë në numrin e njerëzve në industri të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës.

Duket se turizmi ka parë një tërheqje pozitive në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pavarësisht nga rrethanat. Kapacitetet e hoteleve dhe bareve janë mbushur pas relaksimit të masave anti-Covid, ndërsa qendrat dimërore kanë parë një numër të madh vizitorësh, madje edhe para vitit të ri. Për fat të keq, numri i infeksioneve Covid-19 është rritur vazhdimisht gjatë javëve të fundit, kështu që nuk është e vështirë të parashikohet që turizmi edhe një herë do të ketë humbje.

Ka një të mirë në të gjithë këtë situatë – pandemia duket se i ka afruar serbët dhe shqiptarët, sidomos verën e kaluar në bregdetin shqiptar dhe këtë dimër në Kopaonik. Ne kemi kufij të hapur dhe nuk kemi kërkesa për teste PCR, dhe përveç kësaj, aftësinë për të udhëtuar pa pasaporta në Shqipëri. Së fundi, të njëjtat rregulla zbatohen edhe për shtetasit serbë, që do të thotë se këtë verë do të shohim turma me serbë dhe shqiptarë nga Kosova së bashku në bregdetin shqiptar, dhe kush e di, mbase edhe në një nga destinacionet tona turistike?!

Nuk përmenden akoma pasaportat Covid në fqinjësinë tonë, gjë që do të vazhdojë padyshim ta mbështesë industrinë e turizmit në vendet fqinje.

 

Žarko Joksimovic, autor i disa qindra reportazheve dhe dokumentarëve për ish RTP-në, në atë kohë programe në gjuhën serbe për RTS, RTV Vojvodina, TV Most dhe RTK2.