Kjo është çështja në Shqipëri. Sundimi i ligjit rëndom konceptohet si zbatim i tij. Ligji konceptohet si pushtet i shumicës që qeveris. Pra sundimi i ligjit shndërrohet në sundim të atij që ka shumicën qeverisëse, pushtetin.

Ylli Manjani

Diskutimi sa i drejtë është ligji është luks në Shqipërinë e sotme. Parlamenti, qw nuk ka asnjë balancë politike miraton ligje sipas vullnetit të qeverisë monopartiake. Por edhe kur qeveria nuk ishte monopartiake, Parlamenti në Shqipëri mbi 90% të rasteve vendoste sipas propozimeve të qeverisë.

Vetëm ky vëzhgim statistikor, ku qeveria dikton ligjbërjen, mjafton për të konkluduar se në Shqipëri nuk sundon ligji, por sundohet sipas ligjit. Nwse ligjet zbatohen ashtu siç shkruhen. Në fakt zbatueshmëria e ligjeve lë shumë për të dëshiruar, por le ta marrim të mirqenë që ajo bëhet 100%.

Por të vijojmë më tej. Drejtësia e ligjeve është çështje që prek thelbin e sundimit të ligjit në vend.  A Janë ligjet e drejta? A janë ato reflektim i shoqërisë apo thjesht vullnet i shumicës politike që ka në dorë qeverinë dhe Parlamentin?

Nga vëzhgime të ftohta konstatohet se ligjet nuk vijnë si nevojë e rregullimeve që i kërkon shoqëria, por si lexim që politika i bën shoqërisë. Nuk janë e njëjta gjë këto dy momente.

Dakord, shoqëria nuk ka detyrë të bëjë ligje, por sa projektligje u hartuan në konsultim me të?! Shumë pak, për të mos thënë aspak, publiku pwrfshihet në bërjen e ligjeve.

Ligjet i bën dhe i dikton qartësisht politika që ka shumicë. Kur shumica është monopartiake cilësisht ligjet reflektojnë vullnetin monopartiak.

Pra, cilësisht sundon pushteti dhe jo ligji. Pushteti sundon sipas ligjit që dikton vetë.  Ligji në këtë rast nuk është më e drejta, por thjesht mjet sundimi.

Parlamenti shndërrohet kështu në një noter publik i vullnetit të qeverisë, duke humbur totalisht funksionin përfaqësues të publikut.

Shqipëria vitet e fundit shtoi ndjeshëm ligjet me natyrë individuale. Ligjet që lidhin kontrata individuale koncensionesh e PPP, si dhe ligje të tjera që nuk vendosin norma sjellje për të gjithë njësoj, por shmangin zbatimin e normave ekzistuese për qëllime individuale, u bënë praktikë. Edhe qeveria nxjerr akte me fuqinë e ligjit që shmangin në thelb zbatimin e ligjeve normative.

Kjo praktikë e bën Shqipërinë shtet dual (sipas konceptit Ernst Fränkel).  Nga njëra anë janë normat që duhen zbatuar nga të gjithë njësoj, nga ana tjetër shteti i shmang këto norma duke bërë ligje specifike, ose të posaçme. Ligjet me masa të posaçme anashkalojnë ligjet normative të shtetit.

Çështja e ligjeve të posaçme apo e masave të posaçme është në fakt vija ndarëse ndërmjet sundimit të ligjit (të drejtës) si pjesë e sistemit demokratik, nga sundimi sipas ligjit ku gjejnë justifikim të gjithë autokracitë dhe diktaturat.

Prandaj sundimi sipas ligjit, që diktohet nga pushteti, e bën shoqërinë të jetojë nën sundimin e pushtetit. Ligji dhe pushteti në këtë rast janë një. Ato janë mjete në dorën e sundimtarit dhe jo instrumente të rregullimit demokratik.

Ku nuk sundon ligji, por sundohet sipas ligjit, shoqëria jeton në pabarazi dhe diskriminim. Të dyja këto i dikton ligji i pushtetit që për të sunduar i duhet t’i ndajë njerëzit në përkrahës politikë dhe kundërshtarë. Këto të fundit në të bleshëm dhe në të pableshëm nga daravitjet e pushtetit.  Ligji shpesh zbatohet për kundërshtarët e pushtetit, dhe nuk zbatohet për shkelësit me pushtetin. Kjo sindromë është e dukshme.

Këto simptoma duhej ti trajtonte pushteti i pavarur i drejtësisë, por këto vite ai ka qenë inekzistent dhe dukshëm në anën e pushtetit për aq sa ekziston.

 

Ylli Manjani   ka një përvojë të gjerë në administratën publike, organizata ndërkombëtare dhe institutet kërkimore ligjore.