Ndoshta shërbimi në tren nuk është më i miri dhe treni mund të jetë me vonesë, por ne jemi ende në të njëjtin stacion siç ishim 30 vjet më parë, duke besuar se treni i nisur do të rrëzohej dhe se ‘serbët do të dilnin më të zgjuarit në fund të shakasë.’

Vladimir Medak

Kur fillova të studioja për juridik në Beograd në vitin 1995, gjëja e parë që dëgjova për Bashkimin Evropian ishte se po shpërbëhej, dhe nuk do të zgjaste deri në fund të dekadës. Unë u diplomova nga Fakultet Juridik në vitin 2000, dhe përveç një paragrafi në një libër për të Drejtën Ndërkombëtare Publike të botuar në vitin 1989, BE-ja nuk ishte e përfshirë në asnjë pjesë të kurrikulës sonë. Sigurisht që nuk kishte nevojë për këtë, duke pasur parasysh se ishte gati të shpërbëhej.

Kjo thënie (matra), sado që nuk doli e vërtetë, ka mbijetuar deri sot. Kur dikush kërkon të justifikojë mungesën e veprimit të tyre drejt anëtarësimit të Serbisë në BE, ose dëshiron të përqafojë pikëpamjen kundër BE-së në pozicionin e tyre gjoja intelektual, ata menjëherë gjejnë këtë thënie (matra), e cila natyrisht nuk ka nevojë as për prova.

Dhe ashtu si Nushiç zbuloi urtësi universale në pjesën e tij Një Deputet për shefin Jevrem – se çdo fjalim duhet të fillojë me “njerëzit e dinë…”, sepse askush nuk duhet të thotë se njerëzit në fakt nuk e kanë idenë për faktet bazë të temës së caktuar – shpesh shohim postulate universale në diskutimet mbi BE-në, të cilat paraqiten si aksioma. ‘BE-ja po shpërbëhet, ndaj pse të futemi në BE’,’BE-ja është një organizatë e ngurtë, burokratike’, ‘Përfitimet e anëtarësimit në BE nuk janë aq të konsiderueshme, është shumë e shtrenjtë’… Secila nga këto fraza, në fakt, përbën një justifikim se pse Serbia, ndryshe nga fqinjët e saj, nuk është pjesë e BE.

Edhe pse secila nga këto deklarata është provuar e vjetëruar pas pyetjes së parë më me detaje, apo pas kontaktit të parë me të dhëna zyrtare nga ndonjë faqe uebi serioze – pra jo në wikipedia ose në aipersonimëthamuase.com tek parukieret’ – mungesa e debatit publik në media dhe fushata e hapur anti-BE, e udhëhequr nga qeveria përmes gazetave sjell këto fabrikime në rangun e fakteve të vërtetuara shkencërisht.

Përveç frazave të provuara tashmë, janë futur edhe të reja, si: ‘Serbia ka bërë gjithçka për të hyrë në BE, tani BE-ja duhet të vendosë nëse na do ne’. Problemi me këtë postulat të fundit bëhet i dukshëm kur ‘Serbia ka bërë gjithçka’ përballet me realitetin e Serbisë në vitin 2021.

Në vitin 2014, Serbia hapi negociatat e pranimit në BE si një shtet i lirë, me një demokraci gjysmë të konsoliduar që renditej e 54-ta në botë sa i përket lirisë së shprehjes. Në vitin 2021, Serbia nuk konsiderohet e lirë apo demokraci, dhe ne jemi në vendin e 93-të përsa i përket lirisë së shprehjes.

Meqë liria, demokracia dhe liria e shprehjes janë vlerat themelore të BE-së, është në pikëpyetje nëse Serbia sot do ta merrte statusin e shtetit kandidat, gjë të cilën e bëri pa ndonjë problem në fushën e lirisë më mars të vitit 2012. Sot, Serbia është në mesin e 10 vendeve botërore me rënien më të madhe sa i përket demokracisë dhe shkallën më të lartë të autokratizimit që nga viti 2010, dhe disa tashmë na klasifikojnë në mesin e vendeve autokratike.

Procesi i integrimit evropian u bë procesi i unifikimit të kontinentit evropian në fillim të viteve 1990. Në atë kohë, Serbia e gjeti veten në anën e gabuar të kufirit të civilizimit dhe bëri një rrugë të tërthortë, me të vërtetë për herë të parë në historinë e saj të kohëve të fundit pas vitit 1804. Atëherë e humbëm trenin kryesor të procesit për Evropë.

Në një pikë kohore, pas 5 tetorit, dukej se ne akoma mund të mbërrinim në kohë, dhe vërtetë filluam të ecnim. Por tani treni po niset përëri nga stacioni dhe ne kemi ngelur mbrapa, duke u ankuar për shërbimin dhe kafen, dhe pastërtinë e vagonave të trenit. Ndoshta shërbimi në tren nuk është më i miri dhe treni mund të jetë me vonesë, por ne jemi ende në të njëjtin stacion siç ishim 30 vjet më parë, duke besuar se treni i nisur do të rrëzohej dhe se ‘serbët do të dilnin më të zgjuarit në fund të shakasë.’

Vetëm ‘shakaja’ nuk mbaron kurrë dhe pasagjerët e trenit janë larguar drejt destinacionit të tyre.

 

Vladimir Medak, ekspert i së drejtës evropiane dhe i integrimit evropian. Zëvendës President aktual i Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ish ndihmës Drejtori i Zyrës për Integrime Evropiane të Qeverisë së Serbisë.