Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale festohet këtë vit me temën “Gratë rurale kultivojnë ushqim të mirë për të gjithë”. OKB-ja po bën thirrje për të njohur punën e këtyre heroinave në sistemet ushqimore të botës dhe për të deklaruar zonat rurale me mundësi të barabarta për të gjithë.

Violeta Hyseni Kelmendi

Fahrije Hoti, një grua rurale që drejton një biznes të suksesshëm bujqësor në fshatin Krushë e Madhe, mori çmimin “Evropiania e vitit 2022” nga Zyra e BE-së në Kosovë, për të nderuar punën e palodhur dhe kontributin e saj në shoqërinë kosovare. Fahrija fitoi besimin dhe respektin e publikut kur dhimbjen për burrin e saj të zhdukur në luftë e shndërroi në forcë dhe u fokusua në përpjekjet për të ardhmen e fëmijëve të saj. Falë nismës së saj, shumë gra rurale u punësuan në një biznes bujqësor të sapokrijuar për prodhimin e ajvarit dhe turshive, që më pas do të eksportoheshin edhe në Evropë. Historia goditëse e mbijetesës zgjoi interesimin e regjisores Blerta Basholli, e cila solli në ekran jetën e Fahrijes përmes filmit “Zgjoi”, që fitoi të gjitha çmimet kryesore në Festivalin e Filmit Sundance 2021.

Fahrija është vetëm një shembull që tregon se si gratë rurale luajnë një rol kyç në familjet dhe komunitetet e tyre. Nëse u jepen mundësi të barabarta dhe qasje në burime, gratë rurale mund të kontribuojnë në mënyrë thelbësore në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Por tradicionalisht gratë rurale në Kosovë kanë pasur burime të kufizuara financiare dhe qasje në arsim e trajnim. Ato e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në punë të papaguara, si gatim, pastrim dhe kujdes për fëmijët e të moshuarit. Informaliteti është poashtu mjaft i përhapur në sektorin e bujqësisë. Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta, shumë gra merren me kultivimin e perimeve dhe frutave, kujdesen për bagëtinë dhe prodhimin e bimëve mjekësore e aromatike.

Në studimin “Nga një këndvështrim gjinor: Kush vendos çfarë në ekonomitë familjes në zonat rurale në Kosovë?” të publikuar rishtas, instituti Riinvest sugjeron se statusi i punësimit të grave luan një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen familjare. Më saktësisht, vendimmarrja është më e balancuar në aspektin gjinor në familjet ku gruaja është e punësuar, sipas të dhënave të mbledhura në terren në ekonomitë familjare në zonat rurale në 10 komuna të Kosovës. Sipas këtij studimi, vendimmarrja e grave në nivel familjar, në përgjithësi, është më e dobët në krahasim me burrat, kryesisht për shkak të të drejtave dhe mundësive të pabarabarta ekonomike, shkallës më të ulët të punësimit të grave, pronës më të ulët të tokës dhe pronës së grave.

Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale festohet këtë vit me temën “Gratë rurale kultivojnë ushqim të mirë për të gjithë”. OKB-ja po bën thirrje për të njohur punën e këtyre heroinave në sistemet ushqimore të botës dhe për të deklaruar zonat rurale me mundësi të barabarta për të gjithë.

Me rastin e kësaj dite, edhe Republika e Kosovës i bashkohet thirrjeve për fuqizimin e grave rurale dhe barazinë gjinore. Por që kjo të ndodhë, duhet të shohim një përkushtim më të madh të institucioneve qëndrore dhe lokale të Kosovës, të mbështetur nga partnerët zhvillimorë dhe organizatat e shoqërisë civile. Për të arritur këtë fuqizim në zonat rurale, është e nevojshme të ulet barra e grave për përkujdesje ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, duke ofruar më shumë institucione të kujdesit ndaj fëmijëve dhe institucione parashkollore, programe të arsimit dhe trajnimit, t’iu shpjegohen grave përfitimet nga punësimi formal, të mbështeten me paketa nxitëse, të kenë qasje në financa dhe të angazhohen në proceset vendimmarrëse.

Kosova ka shumë gra të afta si Fahrije Hoti, por duhet krijuar mundësi për to. Fuqizimi i grave rurale në Kosovë nuk është opsion, është një domosdoshmëri për të arritur një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë!

 

Violeta Hyseni Kelmendi ka përvojë mbi 20 vjeçare në media dhe komunikim në Kosovë