Përfaqësuesit e qeverisë pezulluan mjetin kryesor të gazetarëve prej shumë kohësh – pyetjen.

Një pyetje u bë veprimtaria më armiqësore.

Vesna Malisic

Çdo vit, Serbia bie poshtë e më poshtë në renditjen botërore të lirisë së medias dhe kjo nuk është më lajm. Për fat të keq, ne kemi filluar t’i pranojmë këto renditje me një nivel të padurueshëm indiference. Ne po mësohemi me hapësirën e ngushtë të lirisë, dhe hapësirën e zbrazët ku duhet të kemi debat, mendim kritik dhe mendime të ndryshme. Një hapësirë ku media duhet të ndihmojë në krijimin dhe edukimin e përgjegjshmërisë. Media serbe është miqësuar në një atmosferë vasaliteti dhe të shërbyeri. Çdo rrymë lirie e disa mediave të cilat nuk janë ende nën kontrollin e regjimit tonë aktual, konsiderohet – incident. Shumica e mediave, për fat të keq, ndihen të sigurtë vetëm kur janë afër qeverisë, nga e cila varen financiarisht. Në këmbim, qeveria i instrumentalizon ato deri në rraskapitje.

Mediat serbe nuk kanë arritur të luftojnë për pronësi të rregulluar, apo praktika transparente biznesi, apo për statusin material të gazetarëve të tyre. Puna e pasigurt i ka bërë të gjithë të zëvendësueshëm lehtë, që i ka bërë të gjithë shumë të bindur. Presioni për të rritur tirazhin dhe cunami sensacional kanë shkatërruar standardet profesionale, duke i kthyer shumë media në shërbim të politikës, policisë, madje edhe në shërbim të krimit, ku burimet anonime u bënë më të spikatura dhe të padiskutueshme; këto çuan në shkelje të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, si dhe në shkatërrimin e reputacionit profesional dhe human.

Për fat të keq ligjet, kodet, dhe strategjitë nuk mund të pengojnë median serbe të jenë shtylla kryesore e regjimit autoritar, si dhe njëkohësisht shkopi me të cilin mund të goditet cilido që përpiqet ta kërcënojë atë. Mediat e regjimit u bënë armë për luftën e veçantë të politikanëve dhe shërbimeve sekrete, pra duke kërcënuar edhe mundësinë e zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë. Një vend i ndershëm nuk mund të ndërtohet mbi brutalizimin e hapësirës publike, ku mediat luajnë një rol të rëndësishëm. Këtu gjendet paradoksi dhe absurditeti i tranzicionit demokratik të këtij vendi.

Kjo lloj medie pritet të jetë një faktor aktiv në ndryshimin e atmosferës në shoqëri, për të inkurajuar dialogun në diskurs – megjithatë ata vetë janë të bindur, dhe të lidhur me zinxhir nga pronarët e tyre dhe partitë politike të cilave u shërbejnë. PLUS, ka dhe një shpikje të re – të bindurit që sulmojnë mediat profesionale. Mediat kritike, redaktorët dhe pronarët e tyre shpesh përfundojnë në faqet e para të tabloideve, me foto si fletë-arreste dhe shumë lajme të rreme se diskreditojnë reputacionin e tyre privat dhe profesional.

Dhe për këtë arsye nuk është më lajm që 92 për qind e kohës së lajmeve qendrore u kushtohet partive në pushtet dhe aktorëve të tyre, dhe vetëm 8 për qind të gjithë të tjerëve, të cilët në pjesën më të madhe paraqiten negativisht.

Përfaqësuesit e qeverisë pezulluan mjetin kryesor të gazetarëve prej shumë kohësh – pyetjen. Një pyetje u bë veprimtaria më armiqësore.

Asaj i vishen ide të fshehura, synime të këqija dhe ambicie serioze konspirative, pas të cilave qëndrojnë manjatët e njohur apo potentë të huaj që kërkojnë të përmbysin vetë Presidentin. Kjo është arsyeja pse prej vitesh mediat që nuk kontrollohen nga qeveria nuk kanë arritur të ftojnë dhe të intervistojnë pothuajse asnjë përfaqësues qeveritar.

Kjo është korniza e tablosë së medias në Serbi, një vend që shpesh përshkruhet në botë si “pjesërisht i lirë” apo ‘demokraci fasadë’. Eshtë një atmosferë në të cilën çdo fill që lidh etikën dhe gazetarinë është prerë dhe mbizotërojnë presionet politike. Dhe në të cilën, pavarësisht rrethanave, media e rrallë akoma vazhdon t’i ruajë standardet profesionale dhe të ushqejë gazetarinë e përgjegjshme.

 

Vesna Mališić, Zëvendës Kryeredaktore e Gazetës Javore NIN