Megjithë rregullimet ligjore, dhuna ndaj grave është ende një problem I madh social që po e demton dukshëm shoqërine. Gjatë 2019, sipas INSTAT (Institutit të Statistikave), 52.9 % ose 1 në 2 gra të moshës 18 deri 74 vjecare, kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre.

E shkruar nga: Elsa Ballauri

“Grua nuk lind, por bëhesh”, mesa duket ende është e paqartë  thënia e famshme e Simone de Beauvoir, shkrimtares dhe aktivistes feministe të shek të 20, e cila u përpoq të analizonte shpirtin e gruas duke e sjellë atë përballë vetës së saj, më shumë se sa përballë seksit tjetër – burrit.

Pikërisht kjo përballje, nëse arrihet me sukses mund t’I bëjë gratë të fitojnë atë për të cilën kane shekuj që përpiqen ta arrijne: barazinë me burrat në shoqëri, shanse të barabarta për të treguar aftësitë dhe vlerat e tyre.

Përballja grua-burrë, është në qëndër të thelbit të të drejtave por jo vetëm kaq. Ajo që I duhet grave më shumë, dhe sidomos grave shqiptare që jetuan gjatë në një shoqëri ta palirë , është përballja me veten, njohja e vetes.

Sa janë të afta ta bëjnë gratë këtë ?

Kur Roza Parks nuk donte të ngrihej nga vendi i parë në autobus atë të enjte të 1 dhjetorit 1955,  megjithëse e dinte se do dënohej për këtë kokëfortësi, ajo së pari u përball me frikën e saj. Dhe kur kuptoi që e kishte mposhtuar atë, ateherë u ndje e lire dhe e fortë për të vazhduar luftën.

Gruaja në Shqipëri ka pasur një konfuzion të gjatë lidhur me konceptet e të drejtës, edhe për shkak se shoqëria shqiptare u njoh vonë me këto koncepte. Shqipëria u bë shtet në vitin 1912 dhe trashëgoi një kulturë dhe traditë shume patriarkale ku gruaja konsiderohej një objekt, ose nje kafshe e domosdoshme shtëpiake.  Ligjet kanunore vendosnin për jetën e saj dhe fatkeqesisht edhe sot, megjithë ekzistencën e shumë ligjeve moderne që kanë për bazë të drejtat e grave, psikologjia e shoqërisë, gjeneron kujtesë kanunore.

Pas luftës së Dytë Botërore, kur të drejtat e njeriut u bënë kryefjala e zhvillimeve të reja dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, midis të tjerave, hapi një derë të madhe për hartimin e legjislacioneve mbi bazën e respektimit të të drejtave të grave, Shqipëria u tkurr nën ideologjinë komuniste duke bërë rregullime të sipërfaqshme ligjore, dhe duke mos e lëne të lulëzojë debatin mbi feminizmin, gjëndjen reale të grave, psikologjinë ndaj dhunës, etj.

Pas përmbysjes se diktaturës, ndryshimet ligjore krijuan një tjetër pamje sociale dhe dhuna ndaj grave ka 30 vjet që është bërë të paktën një shqetësim social, shtetëror dhe mediatik. Kodet e procedurave penale pësuan ndryshime, Shqipëria ka ratifikuar të gjitha konventat e te drejtave të njeriut dhe është një nga nenshkrueset e para të Konventës së Srtambollit.

Por megjithë rregullimet ligjore, dhuna ndaj grave është ende një problem I madh social që po e demton dukshëm shoqërine. Gjatë 2019, sipas INSTAT (Institutit të Statistikave), 52.9 %  ose 1 në 2 gra të moshës 18 deri 74 vjecare, kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre.

Hartimi i një legjislacioni të mire, nuk është I mjaftueshëm nëse nuk ngrihen shërbimet dhe strukturat në funksion të uljes së dhunës. Në Shqqipëri, shpesh pushteti mjaftohet me përfundimin dhe aprovimin e ligjit, detyrimi për ngritjen e shërbimeve bëhet I ngadalshëm, jo I plotë dhe jo funksional. Pamundësia e shërbimeve i bën gratë e dhunuara të mos dinë ku të drejtohen dhe i le akoma ato nen dhimbjen e dhunës sistematike.

Shoqëria civile, megjithëse ka shumë organizata grash, ende nuk është në frontin e parë të luftës kundër dhunës. E gjithë kjo situatë e rendon edhe më shumë gruan e dhunuar duke ia shtuar frikën, pasigurine dhe mungesën e besimit.

Aktualisht është nevoja e bashkëpunimit te institucioneve mes tyre.  Por Akoma më e rëndësishme është që komuniteti I grave sidomos atyre aktiviste dhe intelektuale të krijojë hapësirat e debatit, analizave dhe koncepteve mbi feminizmin, aktivizmin, dhunën. Ato duhet të kryesojnë levizjen e gruas si të vetmen mënyrë për t’iu kundërvenë indiferencës shtetërore dhe për të mundësuar implementimin e mirë të ligjeve në favor të gruas.

Gruaja duhet të mposhtë frikën, te njohë më mirë veten, ajo duhet t’I gjejë më me zgjuarsi rrugët se si ta luftojë dhunën. Ajo duhet të mendojë më shumë për thënien e De Beauvoir se “Grua nuk lind, por bëhesh” dhe të mësojë më shumë nga guximi i Rosa Parks.

Te drejtat e njeriut jane brenda saj, janë një rrugë e veshtirë, por e sigurt.

 

Elsa Ballauri, aktiviste e te drejtave te njeriut dhe grave, gazetare, poete, koleksioniste. Drejtore e Grupit Shqiptar te te Drejtave te Njeriut/Albanian Human Rights Group (1996). Themeluese e Muzeut te Grave (2018).