Le ta nisim me një dëshmi paksa komike: nuk ka media në Shqipëri që nuk pretendon se është jo thjesht e pavarur, por gjithashtu edhe një luftëtare e paepur e parimeve të lirisë.

 Sokol Shameti

Në spotet promocionale që televizionet i bëjnë vetvetes, u thuren hymne vlerave të padiskutueshme të pavarësisë mbi të cilat janë themeluar, teksa pamjet e montuara me kujdes shfaqin redaksi në momente të tensionuara por tejet profesionale mbledhjesh, ndonjë spiker që u hedh me preokupim vështrimin e fundit shënimeve teksa ecën në një korridor, reporterë që raportojnë nga rrënoja tërmetesh apo protestash të dhunshme, gjithçka e shoqëruar me sfondin e një muzike pompoze që të bën ta përfytyrosh krejt zejen e gazetarisë si të ishte skena e famshme e përballjes mitike mes mirmidonëve dhe apollonianëve në filmin “Troja”.

Një dyzinë sloganesh vetëlavdëruese të portaleve kryesore në shqip, kanë gjithashtu si kryefjalë të tyren pikërisht pavarësinë.

Mirëpo duhet të jemi të kthjellët. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë thjesht për marketing në kushte biznesi. Meqë në masën dërrmuese media në Shqipëri është në duart e biznesmenëve që nuk e kanë median burimin direkt të fitimeve të tyre, pretendimet këmbëngulëse për pavarësi dhe profesionalizëm, u ngjajnë më shumë reklamave të sforcuara.

Po le të përshkruajmë një situatë fantastike. Të udhëtojmë me imagjinatë dhe të mundohemi të përfytyrojmë se si duhej të ishte një media e pavarur në Shqipëri e sa e mundshme është kjo.

Një media e pavarur duhet të themelohej e mbahej nga gazetarë profesionistë. Këta gazetarë duhet të vinin jo thjesht nga karriera si gazetarë, por edhe nga një edukim formal si gazetarë, pasi kjo do t’i armatoste ata me teknikat bazë të shkrimit dhe raportimit si dhe me mjetet për të trajtuar siç duhet sfida të forta etike të epokës sonë, e ata njëkohësisht do ta kryenin këtë punë me dashurinë e duhur për ta mbrojtur nga zhvlerësimi profesionin që e kanë zgjedhur si punë të përjetshme e jo si angazhim të përkohshëm.

Mirëpo në kushtet kur në Shqipëri nuk ka më prej të paktën një dekade shkollim formal në gazetari – teksa universiteti publik e ka transformuar këtë degë sipas kërkesave të tregut në një fabrikë ekspertësh komunikimi që popullojnë zyrat e shtypit të kompanive apo agjencive të ndryshme, kjo mundësi mbetet e pagjasë.

Së dyti, nëse me pavarësi të medias kuptojmë distancën e saj të shëndetshme prej faktorëve që influencojnë direkt ose indirekt në misionin e saj informues e jo vetëm informues, atëherë bëhet e qartë se për çfarë po flasim: nuk mjafton vetëm vullneti i gazetarëve profesionistë. Nevojitet edhe një distancim i pronësisë së medias nga burimet qeveritare të financimit. Në peizazhin aktual mediatik, të paktën mediave kryesore në Shqipëri, kjo ngjan thjesht utopike.

Së treti, nëse dy kushtet e para për shkak të ndonjë mrekullie kozmike përmbushen, mbetet një sfidë e fundit: mbijetesa vetëm falë raportimit strikt profesional (i cili në shumë raste mund të duket tepër prozaik) në një treg të keq-edukuar me skandalistikë fiktive.

Ky realitet i trishtuar i shtyn sipërmarrësit e mediave të pavarura, që në përpjekje për të siguruar mbështetje jetëgjatë për iniciativat e tyre, t’i shndërrojnë ato në formatin spektakolar brenda limiteve të profesionalizmit, si në një lloj konkurrimi talent-show.

Teksa tregu do ta dënonte me indiferencë një media që thjesht raporton gjithçka që ndodh në realitet e që nuk do të raportonte realitete të paqena, teksa biznesi do të ishte qëllimisht i ostracizuar prej kësaj media, atëherë përballë perspektivës së pashmangshme të falimentimit, këto media zgjedhin të tërheqin vëmendjen e donatorëve me forma të pazakonta të ekzistencës së tyre.

Kjo shpjegon edhe faktin pse të vetmet media të pavarura me ndonjë sukses relativ në Shqipëri, mbeten ato të profilizuara në investigim, fact-checking ose sporadikisht, satirë të informacionit. Rendi i donacioneve të pavarura, mjerisht, funksionon gjithashtu sipas logjikës së tregut.

 

Sokol Shameti eshte nje gazetar shqiptar, ai eshte kolumnist per media te ndryshme ne vend e njekohesisht ka eksperimentuar me formate televizive e te shkruara