A vlejnë tregjet më të mëdha, më interesante, më të populluara më shumë sesa ato të voglat dhe të varfrat? Ku ka shkuar solidariteti, reciprociteti, dhe të drejtat e barabarta për shoqëritë e vogla dhe në zhvillim? A ka drejtësi dhe barazi?

Dr. Senad Begic

Pandemitë kanë fuqinë e pabesueshme për të prodhuar apo përkeqësuar të gjitha krizat sociale të fshehura mirë, që jo vetëm dobësojnë më tej sistemet shëndetësorë të brishta ndërkohë, por gjithashtu shpalosin të meta të thella brenda organizimeve sociale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shumica e autorëve në fushën e etikës dhe sëmundjeve ngjitëse, me shumë pak përjashtime, bien dakord rreth shtatë parimeve etike të cilat duhet të merren në konsideratë gjatë vendim marrjes në nivel kombëtar në kontekstin e pandemive dhe epidemive: drejtësia, dashamirësia, përfitimet e mundshme, respekti për të drejtat individuale dhe kolektive, liria personale, reciprociteti, dhe solidariteti. Ka të patën tre çështje kryesore etike që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shpërndarjen etike të burimeve për vaksinimin individual në këto rrethana.

Parimi i parë nënkupton mundësitë e barabarta për të maksimizuar përfitimet e mundshme të vaksinimit për të gjithë individët, ndërsa kufizohen njëkohësisht pasojat e padëshiruara të epidemisë. Parimi i dytë sugjeron përparësinë e vaksinimit për ata që janë më të cënueshëm, apo më të cënueshëm se të tjerët – përfshirë ata që u rrezikohet shëndeti nga sëmundje të tjera të ndryshme, apo ata që janë të margjinalizuar nga ana social – ekonomike. Parimi i tretë synon të garantojë që çdo alokim i burimeve të kufizuara shpërfill çdo dallim racor, gjinor, fetar në përcaktimin e përparësisë për grupet më të cënueshme në shoqëri.

Rregullat individuale janë të qarta; a janë njëlloj të zbatueshme edhe kur krahasojmë shoqëritë e ndryshme? Apo ka shoqëri të cilat janë ‘më të barabarta’ sesa të tjerat vetëm sepse janë më të pasura? A janë ata që kanë mundësi ‘të paguajnë për gjithçka’ më të mirë se të tjerët?  A vlejnë tregjet më të mëdha, më interesante, më të populluara më shumë sesa ato të voglat dhe të varfrat? Ku ka shkuar solidariteti, reciprociteti, dhe të drejtat e barabarta për shoqëritë e vogla dhe në zhvillim? A ka drejtësi dhe barazi?

Dhe kështu, tani që janë ndarë letrat, vendet në zhvillim kanë nevojë të pranojnë ndihmë, pavarësisht ndjenjës së fortë të poshtërimit dhe borxhit ndaj donatorëve. Ndihma gjithmonë vjen e shoqëruar me kushte – këto shpesh janë në formën e ndërhyrjes në çështjet e brendshme, në mënyra që janë edhe më ndërhyrëse sesa rregullimet tradicionale tregtare të ish-kolonizatorëve.

Dhe, kjo nuk ka të bëjë vetëm me vaksinën.

Një raport i fundit i Oxfam tregoi që dhjetë personat më të pasur në botë e kanë rritur vlerën e tyre neto me mbi 500 miliard dollarë gjatë pandemisë – një shumë e mjaftueshme parash për të siguruar vaksinim për çdo person në botë, dhe për parandalimin e varfërisë së shkaktuar nga virusi. Megjithatë, varfëria nuk ka qenë kurrë më e dukshme, dhe vaksinat kurrë më pak të disponueshme. A është kjo bota për të cilën ia vlen të luftosh?

Ne jemi shumë larg të kuptuarit se (vetë) shkatërrimi ynë, vrasja e vetës dhe mjedisit tonë, të gjithë konfliktet, historia dhe zhvillimi i rracës njerëzore dhe civilizimit, nuk janë shënuar vetëm nga lufëra dhe beteja, por nga pleshta dhe mushkonja, baktere dhe viruse. Kështu do të ndodhë deri sa të jemi të përgatitur për ta ndarë këtë planet me to, dhe me natyrën.

Është plotësisht e qartë, dhe madje dhe e kuptueshme, që kontekstet e dhëna nuk lejojnë plotësim të njëkohshëm të të gjitha nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve dhe shoqërisë – kjo është diçka që nuk mund ta mohojmë. Sidoqoftë, kjo nuk i lehtëson udhëheqësit, veçanërisht udhëheqësit e shoqërive dhe kompanive të zhvilluara, nga përgjegjësia për të matur dhe peshuar përparësitë e vlerave etike konkurruese kur bëhet fjalë për vendimmarrje. Në fund të fundit, ky është angazhimi i tyre moral dhe politik si udhëheqës mbi-kombëtare të botës moderne. A ndodh me të vërtetë kështu, apo bota është kthyer në një vend ku secili kujdeset vetëm për kopshtin e vet, dhe kopsht që sjell fitim?

Secili lexues mund të japë përgjigjen e vet. Sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me vaksinën.

 

*Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë vetëm të autorit, dhe jo të ndonjë subjekti të përmendur, përfshirë punëdhënësin e autorit.

 

Dr. Senad Begic, Epidemiolog, arsimuar edhe në shkencën e etikës dhe bio-mjekësisë