Pronarët e industrisë janë korporatat ndërkombëtare, dhe termocentralet shtetërore drejtohen nga politikanët. Të dyja palët kanë tendencë të përfitojnë nga mungesa e njohurive, frika, dhe mosbesimi, për të ruajtur status quo-në.

Samir Lemes 

 Zenica prej shekujsh ka qenë një nyjë e metalurgjisë së hekurit, dhe prej dekadash lufton me ndotjen industriale. Testet e para të ndotjes së ajrit në Bosnjë Herzegovinë janë kryer në Zenica në vitin 1954.

Pasi fabrika shtetërore, Zeljezara, u privatizua, dhe u pa qartë se premtimet e pronarit për investime në uljen e ndotjes nuk do të realizoheshin aq shpejt sa pritej, u krijua Eco Forum Zenica; një organizatë vendore që demonstron pakënaqësinë e qytetarëve, me synim për të ushtruar presion tek korporata dhe organet qeveritare.

Numri i ditëve me nivelet e dioksidit të squfurit mbi kufirin ligjor u rritën deri në 250 në një vit të vetëm; nuk duhet të jetë mbi 3 ditë në vit. Përqëndrimet në orë të SO2 ishin 1,400 mikrogram për metër kub. Përveç SO2, ajri në Zenica ndotet nga grimcat e pluhurit, dhe ndotësit organikë, të tillë si benzina. Qeveria nuk ofroi mbështetjen e duhur për përkrahjen e kësaj çështjeje.

Eco Forum ka iniciuar disa inisiativa për të nxitur qeverinë federale, të kantoneve dhe qeveritë vendore për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, më të dukshmet janë protestat e vitit 2012 kur mijëra banorë të Zenicas dolën në rrugë për të kërkuar ajër më të pastër.

Ushtrimi i presionit tek ministritë dhe inspektorët, përfshirja në procesin e nxjerrjes së lejeve mjedisore, takimet dhe zhvillimi i fushatave mediatike, janë të gjitha aktivitete që nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Hetimet kundër ndotësve më të mëdhenj dhe institucioneve kanë zgjatur 5 vjet, nxitur nga paditë e Eco Forum.

Megjithatë, ata që duhen fajësuar për ajrin, ujin dhe tokën e ndotur nuk u vunë para drejtësisë pasi kurrë nuk u gjendën ‘prova të mjaftueshme’, ose ‘ishte pa qëllim’, ose ‘mungesë vetëdije për ndonjë veprimtari të paligjshme nga aktorët – siç u deklarua nga mbrojtja.

Sidoqoftë, presioni nuk ishte i kotë. Megjithëse me vonesë, u vendosën filtra tek furrnaltat dhe furrat e pjekjes, u ndërtua një impiant i ri ngrohjeje, dhe filloi instalimi i filtrave në fabrikën e çelikut. E gjithë kjo e përgjysmoi numrin e ditëve me nivelet e ndotjes së ajrit SO2 mbi kufirin ligjor: në vitin 2019, Zenica numëroi ‘vetëm’ 117.

Kjo është akoma shumë larg numrit magjik të lejuar– 3 ditë në vit, por nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte patur një luftë të vazhdueshme dhe të gjatë prej një dekade nga Eco Forum.

Eco Forum nuk po lufton vetëm për ajër të pastër në Zenica, por gjithashtu kanë krijuar një rrjet organizatash për mbrojtje mjedisore, kanë iniciuar dhe marrë pjesë në aktivitete të shumta kombëtare dhe rajonale, më e fundit ‘Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër’.

Ballkani, për një kohë të gjatë, ka qenë simbol i konfliktit dhe mungesës së mirëkuptimit. Ne po punojmë për t’a ndryshuar këtë perceptim, pasi Ballkani ka mundësi të bëhet një shembull bashkëpunimi dhe solidariteti, nëse duam të tejkalojmë paragjykimet, korrupsionin dhe babëzinë.

Ndotësit më të mëdhenj të ajrit nuk njohin kufij; pronarët e industrisë janë korporatat ndërkombëtare, dhe termocentralet shtetërore drejtohen nga politikanët. Të dyja palët kanë tendencë të përfitojnë nga mungesa e njohurive, frika, dhe mosbesimi, për të ruajtur status quo-në.

Kjo fushatë synon të përhapë informacion, ide cilësore, dhe eksperienca positive, me qëllim tejkalimin e ndarjeve dhe paragjykimeve. Ballkani është një hapësirë e vogël, me burime të kufizuara, ndaj duhet të bashkojmë forcat tona përparimtare dhe të tregojmë që ne nuk duhet të jemi gjithmonë në krye të listës për ndotje, korrupsion, dhe injorancë.

Ka zgjidhje, ndaj dhe duhet të ndërmarrim veprime të përbashkëta dhe të nxisim vendim marrësit t’i zbatojnë eksperiencat pozitive këtu, në vend, dhe të ndihmojnë për ruajtjen e shëndetit tonë.

 

Samir Lemeš, Pedagog i Asociuar në Universitetin e Zenica-s në fushën e teknikave të matjes dhe simulimeve kompjuterike. Aktivist për një kohë të gjatë në organizatën jo qeveritare Eko Forum Zenica, ka marrë çmimin Kampion i Mbrojtjes Mjedisore gjatë Green Awards 2018 të Bosnjë Hercegovinës.