Rreth dy vite më parë, një nismë rinore me emërtimin “Kosovo can’t breathe” organizoi disa aksione kundër “racizmit institucional të BE-së” ndaj kosovarëve.

Përparim Leka

Dashuria e qytetarëve të Kosovës për BE-në i ngjan asaj të Niçes për Lou Salome, ku njëra palë shpreh dëshirën për t’u bashkuar me tjetrën detyrimisht, ndërsa pala tjetër nuk është e sigurt dhe vazhdon ta mbajë nën ankth tjetrën pa i dhënë një përgjigje definitive dhe duke e dërguar në buzë çmendine.

95% e qytetarëve të Kosovës kanë thënë se do të votonin për anëtarësimin në Bashkimin Europian nëse kjo gjë do të vihej në referendum, sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar Republikan në vitin 2023. Kjo është përqindja më e lartë pro-anëtarësimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke konsideruar këtu se vendi popullohet kryesisht nga të rinjtë nën moshën 30 vjeç, shumëkush mund të vinte kollaj në përfundimin se “europozitivizmi” tek rinia ngadhënjen.

Ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Kosovarët janë rekordmenë të “arritjeve të padëshiruara” sa i përket procesit të integrimit. Në një publikim të Institutit EPIK, del që Kosova ka pritur më së shumti nga të gjitha shtetet për liberalizimin e vizave. Ky proces ishte më i gjati në historinë e këtij procesi. Kosovarët presin që 12 vjet për liberalizim, ndërsa shtetet tjera që janë përballur me këtë proces kanë pritur më së shumti 9 vjet (Ukraina), e pastaj 5 vjet (Gjeorgjia). Ndërkohë shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor kanë pritur më së shumti 2-3 vjet.

Vetëm një nga institucionet e BE-së e njeh Kosovën si shtet të pavarur (Parlamenti Evropian), ndërsa të tjerat mbajnë një qasje neutrale edhe ndaj statusit. Pesë vende anëtare, nga 27,  nuk e njohin fare Kosovën si shtet të pavarur. Të gjitha këto janë raste të veçanta.

Kjo normalisht ka shpërfaqur frustrimin tek grupet e reja të shoqërisë. Rreth dy vite më parë, një nismë rinore me emërtimin “Kosovo can’t breathe” organizoi disa aksione kundër “racizmit institucional të BE-së” ndaj kosovarëve. Ata përmendnin standardin e dyfishtë të BE-së ndaj Kosovës, në krahasim me qasjen ndaj vendeve të tjera.

Por pavarësisht kësaj, kjo tregon vetëm për dëshirën e madhe që kanë të rinjtë e Kosovës për anëtarësimin sa më të shpejtë në familjen e madhe europiane. Të rinjtë e Kosovës janë të angazhuar aktivisht në pranimin e Kosovës në BE. Ata njohin përfitimet e mundshme të integrimit në BE, të tilla si rritja ekonomike dhe mundësitë e zgjeruara për arsimim dhe punësim. Shumë organizata, forume dhe iniciativa të drejtuara nga të rinjtë janë shfaqur pas pavarësisë, mbrojnë reformat, stabilitetin politik dhe përafrimin me standardet e BE-së. Gjenerata e re e Kosovës po merr pjesë gjithnjë e më shumë në aktivitete qytetare, duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe sundim të ligjit. Angazhimi i tyre pasqyron një dëshirë të fortë për një të ardhme evropiane, të karakterizuar nga vlerat demokratike dhe bashkëpunimi rajonal dhe ato luajnë një rol vendimtar në formësimin e rrugës së vendit drejt pranimit në BE.

 

Përparim Leka është politolog dhe gazetar