Mesazhi im është i qartë – ligjet e qëndrueshme dhe zbatimi konsistent i tyre duhet të mbështesin dhe inkurajojnë informatorët.

Patricija Pobric

Në Mal të Zi, informatorët (personat që raportojnë publikisht veprimtaritë e paligjshme, për shembull, korrupsionin, shpërdorimin, shkeljet e ligjit apo abuzimin nga individë të fuqishëm) lihen pa mbështetjen e qeverisë. Për më tepër, është qeveria që u bën presion punëdhënësve që t’i shkarkojnë ato ose të përdorin presione të ndryshme për t’i detyruar të largohen vetë. Përveç kësaj, ne kemi një thirrje të drejtpërdrejtë për hakmarrje kundër informatorëve në deklaratën e Presidentit Milo Gjukanoviçit (Kryeministër i kohës). Ai tha në parlament se punëdhënësi, që pushoi nga puna një informator, bëri diçka që të gjithë duhet ta bëjnë në një situatë kur zbulohen të dhëna “private” për kompaninë apo institucionin e tij dhe se komunikimi i një informacioni të tillë nuk është “demokratik”.

Agonia ime ​​filloi në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, kur punoja si drejtore shitjesh dhe marketingu në Hotelin Ramada në Podgoricë. Partia Social Demokrate e themeluar rishtazi (që ishte atëherë dhe më vonë pjesë e qeverisë), e kryesuar nga Ivan Brajoviç, Ministri i Transportit dhe çështjeve Detare dhe më pas Kryetar i Parlamentit, organizoi tubime për themelimin e partisë në hotelin e lartpërmendur. Pas dy takimeve të mbajtura, u kërkua që faturat për këto shërbime t’i transferoheshin Drejtorisë së Hekurudhës e cila është kompani publike (shtetërore). Punëdhënësit tim në atë kohë iu desh ta bënte këtë nën presion, edhe pse unë e kundërshtova. Pasi e bëra publik këtë informacion dhe raportova korrupsionin, u pushova nga puna. U bëra informatore, një armike e shtetit, dhe një person që kishte probleme për sigurinë.

Madje edhe Agjencia Anti-Korrupsioni vendosi që të mos më ofrojë statusin e informatorit, i cili, sipas ligjit, do të më ofronte së paku një mbrojtje dhe ndoshta kompensim për dëmin e bërë ndaj meje dhe familjes sime.

Pesë vjet më vonë, ky rast pati epilogun e tij në gjykatë. Në disa procedime gjyqësore, disa zyrtarë social demokratë (jo president i partisë) u dënuan për shpërdorim pushteti. Qëndrimi i autoriteteve, dmth institucioneve, ndaj korrupsionit dhe abuzimit të posteve zyrtare, ilustrohet më së miri nga fakti se të dënuarit ende gëzojnë mbrojtje politike, janë të gjithë të punësuar dhe disa madje edhe janë ngritur në detyrë. Ndërkohë që unë nuk kam arritur të gjej një punë gjithë këto vite, dhe si një nënë e vetme të mbuloj nevojat themelore të fëmijëve të mi dhe të miat.

Shpesh më pyesin “a të vjen keq që informove?’, Ose, ‘nëse do të mund të ktheheshe pas do ta kaloje përsëri këtë agoni?” Unë gjithmonë jap të njëjtën përgjigje: Do ta bëja përsëri, sepse ishte vendimi i drejtë, moral. Unë besoj se sakrifica ime ishte një pjesë e vogël e një tabloje më të madhe, e cila çoi në ndryshimin e regjimit në Mal të Zi.

Është një ndjenjë e çuditshme kur disa njerëz të shohin me përbuzje dhe të tjerë me respekt. Mban me vete një barrë të padukshme që të përcakton. Jam e sigurt – dhe jam krenare për këtë – nuk e kam turpëruar veten, familjen time apo paraardhësit e mi me çdo gjë që kam bërë.

Mendoj se rëndësia e informatorëve është e pamatshme. Për mua, njerëz si Edward Snowden dhe Dr Astrid Stuchelberger janë heronj. Njerëzit e guximshëm që zbulojnë dhe demaskojnë aktivitete të pamoralshme, të paligjshme dhe të dëmshme nga ana sociale – meritojnë mbështetje dhe respekt. Mesazhi im është i qartë – ligjet e qëndrueshme dhe zbatimi konsistent i tyre duhet të mbështesin dhe inkurajojnë informatorët.

 

Patricija Pobric, është diplomuar në Matematikë, dhe Master në Lidership Organizativ, me 25 vjet përvojë menaxheriale.