Nuk ka më sterilizim të detyruar, por kemi veçim në shkolla; nuk jemi më skllevër, por 60% prej nesh punojnë në ekonominë informale, për një rrogë shumë më të ulët krahasuar me 30% të fqinjëve tanë jo-romë; nuk përballemi më me holokaustin, por jetëgjatësia jonë është 10 vjet më e ulët se e pjesës tjetër të popullsisë.

 Orhan Usein

 Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta.   Ato kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të veprojnë me një frymë vëllazërore ndaj njëri-tjetrit. 

 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Neni 1

Nëse jeni shqetësuar për krimet e urrejtjes dhe diskriminimit në kohën e COVID-19-ës, mos u shqetësoni, janë ende këtu, shëndoshë e mirë.

Kanë kaluar shtatëdhjetë e dy vjet nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut – të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta, por, në realitet, nuk është kështu.  Dëbimet me forcë, veçimi në shkolla, diskriminimi në punë, krimet e urrejtjes dhe mungesa e interesit të institucioneve për të bërë punën e tyre – gjejani emrin ju: Unë i kam parë vetë.  Kur bëhet fjalë për diskriminimin e romëve dhe mohimin e të drejtave të tyre, sigurisht që merremi vesh shumë mirë si rajon.

Sipas sondazhit të fundit të Barometrit Ballkanik, i cili analizonte biznesin dhe opinionin publik në rajon, në mënyrë të pabesueshme,  68% e popullsisë së anketuar u shpreh se nuk do tu pëlqente që ata ose që fëmijët e tyre të martoheshin me një rom,   26% e tyre në mënyrë të prerë nuk donin që fëmijët e tyre të ishin në të njëjtën klasë me dikë nga komuniteti rom, dhe 63% nuk do të ndiheshin rehat me këtë gjë – që do të thotë që dhe ata nuk duan që fëmijët romë të jenë pranë fëmijëve të tyre, por nuk e thonë hapur.  Më shumë se një e treta (32%) nuk e mendojnë që ti ftojnë romët për vizitë në shtëpinë e tyre.  Vetëm 25% nuk e kanë problem t’ua japin apartamentin me qira romëve.  Kjo do të thotë që, në një qytet ku tashmë është e vështirë të gjesh një apartament të mirë, unë kam më pak gjasa ta gjej një të tillë, pavarësisht nga arsimimi, të ardhurat mujore, statusi shoqëror apo ndonjë arsye tjetër, vetëm sepse unë jam rom.

Skllavërimi i romëve, siç njihet në histori, është i ndaluar sot, por është shndërruar në forma të reja. Vendosja e të drejtave të njeriut në qendër të vëmendjes nëpërmjet miratimit të Deklaratës mund të ketë sugjeruar që bota duhet të vendosë ti japë fund trashëgimisë së errët të torturave, sterilizimit të detyruar, holokaustit, skllavërisë dhe që të kuptojë se është turp, e papranueshme dhe të ndjejë keqardhje për atë që u është bërë romëve dhe grupeve të tjera të dobëta. Por, në vend të kësaj, vazhdojnë të ndodhin shumë ngjarje mizore të cilat nuk vihen re, pasi nuk duken aq mizore. Nuk ka më sterilizim të detyruar, por kemi veçim në shkolla. Nuk jemi më skllevër, por 60% prej nesh punojnë në ekonominë informale për një rrogë shumë më të ulët, krahasuar me 30% të fqinjëve tanë jo-romë. Nuk përballemi më me holokaustin, por jetëgjatësia jonë është 10 vjet më e ulët se e pjesës tjetër të popullsisë.

Megjithëse Integrimi i Romëve në kuptimin e tij të mirëfilltë është ende larg, fakti që, para dy vjetësh, për herë të parë ndonjëherë, gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u ulën dhe miratuan Deklaratën e Poznanit, na jep shpresë.  Në këtë deklaratë, ndër të tjera, ata u angazhuan të punojnë për forcimin e strukturave qeveritare për mbrojtjen nga diskriminimi, ndjekjen e ankesave të Romëve, sigurimin e mbështetjes ligjore për viktimat e supozuara dhe identifikimin e skemave të diskriminimit, si të diskriminimit institucional dhe atij të fshehur.  Kuadri i ri strategjik i BE-së për romët, që ka filluar në tetor të vitit të kaluar, vuri në rendin e ditës anti-ciganizmin dhe e njohu atë si shkakun kryesor të të gjitha problemeve me të cilat përballen romët çdo ditë.  Pritet që anti-ciganizmi, një formë e veçantë racizmi, të njihet zyrtarisht nga institucionet përkatëse në rajon.

Ndërkohë që ne ende dëshmojmë shkelje pafund të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, e cila është miratuar shumë kohë më parë, do të ishte naive të mendohej se Deklarata e Poznanit do të bënte mrekulli në vetëm dy vjet.  Por, po ecim në drejtimin e duhur – kështu që, le të shpresojmë se do të vazhdojmë kështu, pa bërë hapa pas ose pa ngecur në vend.

 

Orhan Usein, Shef i Zyrës së Projektit për Integrimin e Romëve, që zbatohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur.