Vendet demokratike në Ballkan janë ende shumë të cenueshme për sa i përket përgjimit të komunikimeve dhe shpesh dëgjojmë për abuzime nga shteti, në radhë të parë nga institucionet e sigurisë, të cilat monitorojnë ilegalisht komunikimet e politikanëve, biznesmenëve, aktivistëve civilë…

 Dr. Nikolla Dujovski

Vija ndarëse midis mbrojtjes (garantimit të sigurisë së njerëzve dhe pronës) dhe rrezikimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe parimeve bazë të demokracisë është veçanërisht e hollë dhe duhet të zhvillohet ndërsa marrëdhëniet njerëzore forcohen dhe ndërthuren.

Përparimet në teknologji dhe industrinë e informacionit i kanë mundësuar një numri korporatash të operojnë relativisht lirshëm në treg dhe të prodhojnë mjete për përgjimin e komunikimeve. Rregullimi i pamjaftueshëm ligjor për prodhimin dhe vendosjen në treg të aseteve të tilla i lejon individët dhe/ose grupet të blejnë pajisje të tilla dhe t’i përdorin ato pa probleme.

Këto ditë dëgjojmë për rastin e supozuar të përgjimit të Prokurorit Special të Shtetit të Malit të Zi, si dhe për akuzat për një grup të organizuar që ka përgjuar presidentin serb, por edhe rastin e njohur të organizuar, të vazhdueshëm dhe afatgjatë të përgjimit të më shumë se 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë. Kjo tregon se vendet demokratike të Ballkanit janë ende shumë të cenueshme për sa i përket përgjimit të komunikimeve dhe shpesh dëgjojmë për abuzime nga shteti, në radhë të parë nga institucionet e sigurisë, të cilat monitorojnë ilegalisht komunikimet e politikanëve, biznesmenëve, aktivistëve civilë…

Republika e Maqedonisë së Veriut po ndërton një model karakteristik për kontrollin e përgjimit të komunikimeve. Me fillimin e reformave në sektorin e sigurisë në vitin 2017, u krijua Agjencia Operacionale-Teknike, një organ shtetëror i veçantë dhe i pavarur që ofron ndërlidhje teknike ndërmjet operatorëve dhe autoriteteve që janë të autorizuara për të monitoruar komunikimet. OTA është një organ që ofron akses dhe mundëson monitorimin, por nuk ka aftësi teknike për të aksesuar përmbajtjen e komunikimit të monitoruar.

Agjencia ka detyrimin të pranojë çdo urdhër për të mundësuar mbikëqyrjen lidhur me hetimet penale dhe mbrojtjen e interesave të sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit. Në raste të tjera, OTA nuk do të lejojë aksesin dhe transferimin nga operatori te organi i autorizuar (prokuroria publike dhe organet me kompetenca policore).

Nga ana tjetër, organet e përmendura kanë aftësi teknike për të monitoruar, regjistruar, përpunuar të dhënat nga operatorët, por nuk kanë aftësi teknike për të filluar procesin e monitorimit, pra për të krijuar lidhje me operatorin. Në këtë mënyrë u arrit bilanci i të ashtuquajturve “aktorë kryesorë” të përgjimeve, pra pamundësia fizike e policisë, policisë sekrete dhe organeve të tjera për të vendosur përgjime të komunikimeve në mënyrë të paligjshme dhe me dëshirën e dikujt.

Por kjo është vetëm një teori që nuk garanton mbrojtje dhe siguri të veçantë. Qytetarët nuk e dinë dhe nuk janë të detyruar të dinë se si dhe në çfarë mënyre shteti garanton fshehtësinë e privatësisë së tyre. Por, sot ata kanë mundësinë të besojnë në një sistem që, të paktën tani për tani, funksionon pa sfida të mëdha dhe shërben si shembull për vendet e tjera të rajonit.

Në krye të kësaj piramide, natyrisht, qëndron vullneti politik për të respektuar dhe garantuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutë dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Për aq kohë sa vullneti politik nuk pengon funksionimin normal të sistemit të sapokrijuar, qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen dhe të dyshojnë. Sistemi është ngritur në një mënyrë për të siguruar kontroll dhe ekuilibër midis autoriteteve dhe për të mos lejuar asnjë lëshim apo pengesë në mbrojtjen e komunikimeve.

 

Prof. Dr. Nikolla Dujovski, Dekan i Fakultetit të Sigurisë – Shkup