Skena e medias në Ballkanin Perëndimor është një faktor shumë i rëndësishëm që do të ndikojë faktin nëse njerëzit në rajonin tonë e perceptojnë njëri-tjetrin si armiq dhe kërcënim, apo nëse do ta lëmë pas këtë diskurs.

Nikola Burazer

Megjithëse Ballkani Perëndimor shpesh konsiderohet si një hapësirë unike, realiteti është që ndërgjegjësimi ynë i përkatësisë në një rajon nuk është zhvilluar sa duhet. Vendet në rajon i përkasin një hapësire të përbashkët kulturore, ndajnë probleme dhe sfida të përbashkëta, por Ballkani Perëndimor është ende një koncept politik i ndërtuar mbi bazën e procesit të zgjerimit të BE-së dhe jo mbi identitetin, gjeografinë, apo demografinë. Për më tepër, në diskutimet mbizotëruese nacionaliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, popujt e tjerë në rajon shpesh portretizohen si armiq dhe perceptohen më shumë si një kërcënim sesa si fqinjë miqësorë me të cilët duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

Në këtë moment kohor mund të themi se narrativat nacionaliste mbizotërojnë në Ballkanin Perëndimor. Elitat politike përfitojnë nga këto narrativa, të cilat e zhvendosin fokusin e qytetarëve të tyre të pakënaqur nga çështjet që kanë të bëjnë me standardet e jetesës, sundimin e ligjit dhe demokracinë, tek çështjet kombëtare, padrejtësitë historike dhe mosmarrëveshjet ekzistuese etnike. Ato ndiqen nga afër nga media, të cilat janë pak a shumë nën kontrollin politik dhe shpesh përhapin ligjërim urrejtjeje dhe inkurajojnë intolerancën kombëtare e etnike.

Media është një armë shumë e fuqishme për ndërtimin e kombit, duke krijuar diskursin mbizotërues brenda një shoqërie dhe duke krijuar perceptime të identitetit dhe përkatësisë. Prandaj, mund të jetë një mjet i fuqishëm për forcimin e narrativave nacionaliste, por edhe për të na ndihmuar për t’i tejkaluar ato me anë të krijimit të një ndërgjegje të një hapësire të vetme gjeografike, kulturore dhe politike.  Skena e medias në Ballkanin Perëndimor është një faktor shumë i rëndësishëm që do të ndikojë faktin nëse njerëzit në rajonin tonë e perceptojnë njëri-tjetrin si armiq dhe kërcënim, apo nëse do ta lëmë pas këtë diskurs.

Është e qartë se ne aktualisht nuk kemi një hapësirë unike të medias në Ballkanin Perëndimor dhe ka shumë pak media që mund t’i quajmë me të vërtetë rajonale. Lajmi nga rajoni sigurisht jepet në një numër mediash kombëtare, por përveç narrativës mbizotëruese nacionaliste, mund të shohim gjithashtu se fokusi është kryesisht në çështje me rëndësi për bashkëpatriotët etnikë. Dallimet gjuhësore janë pa dyshim një nga pengesat për krijimin e medieve rajonale. Edhe pse shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e kuptojnë serbo-kroatishten, kjo nuk ndodh me shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë të cilët, nga ana tjetër, ndajnë një gjuhë mes tyre. Prandaj, nuk ka një gjuhë të vetme të përbashkët për tërë rajonin, ndërsa gjuha angleze si lingua franca e sotme ende nuk mund të jetë e përdorshme për shumicën e qytetarëve, ndërsa përmbajtjet në gjuhën angleze nuk mund të arrijnë një audiencë të gjerë lexuesish.

Mbajtja e informuar e shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor rreth njeri tjetrit do të përbëjë një sfidë thelbësore. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe të thjeshtë, por mund të mendojmë për drejtimet e mundshme që mund të marrim me qëllim përmirësimin e situatës. Një nga zgjidhjet më logjike është krijimi dhe forcimi i medias rajonale, si dhe përmbajtja e medias me një fokus rajonal. Këto projekte ekzistojnë, dhe duket se kanë pasur shumë sukses në vitet e fundit. Zgjidhja e dytë është, sigurisht, një luftë sistematike kundër keqinformimit dhe ligjëratës së urrejtjes në media, e cila shpesh rezulton në distancim etnik dhe narrativë nacionaliste. E fundit dhe më e rëndësishmja, rajoni ka nevojë për shtete demokratike dhe elita politike, të cilat, në vend të nxitjes së urrejtjes, të punojnë për problemet e vërteta të qytetarëve të tyre. Ky skenar do të çonte natyrshëm në ndërgjegjësim për problemet e përbashkëta në rajon, por gjithashtu do të na jepte një mundësi shumë të mirë për të bashkuar forcat për t’i zgjidhur ato; megjithatë, ne sot jemi larg kësaj.

 

Nikola Burazer, Redaktor Ekzekutiv i European Western Balkan, portal online që trajton tema të proceseve të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor