Është e vështirë të besosh tek kjo e ardhme më e mirë derisa të shohim njerëz më të mirë që do na çojnë atje. Ne të gjithë jemi dakort që një person është më i mirë nëse veshët nuk i ka shumë të mëdhenj, nëse hunda nuk i zë gjysmën e fytyrës, nëse ballin e ka më të vogël sesa vetullat, dhe nëse buzët nuk i ka si Tudjman.

Nenad Velickovic

Sheshet Carsija nuk kanë më përpunues litarësh, kovaçë, zejtarë lëkurësh, dhe zanatçi të tjerë, puna e të cilëve është vjetëruar, gjë e cila mund të jetë ose jo e vërtetë, por mos u çudisni nëse një ditë në një rrugicë të vogël do të shihni papritur një kompani të quajtur  Photoshopper.

 

Kjo tregti ka një të ardhme të ndritur nëse demokracia e mbështet dhe zgjedhjet vazhdojnë të zhvillohen çdo dy vjet. Është një punë sezonale, por ka disa tregti që nuk janë të tilla. Ashtu si punonjësit në zonat turistike të Adriatikut që nxjerrin fitimet e vitit gjatë pak muajve, një person që merret me fotoshop mund të kujdeset për veten dhe familjen e tij gjatë një fushate zgjedhore.

 

Po vjen koha kur më shumë njerëz do të bëjnë foto për kartvizita, fletushka, dhe postera sesa të dalin dhe të votojnë. Gjatë këtyre fushatave, kemi krijuar një traditë pa kuptim të paraqitjes së kandidatëve përmes materialeve të printuara në letër, me logo partish dhe slloganë qesharakë, ku kandidatët përdorin fytyrat e tyre për t’u paraqitur tek publiku. Dhe pikërisht këtu, me këto fytyra, në shohin natyrën ndërdisiplinore të tregtisë së personit që bën fotoshop. Në një rast ai është dentist, që heq pllakat apo pigmentin  nga dhëmbët, një estetist që heq pikat e zeza dhe aknet nga hunda dhe mjekra. Sigurisht, si një estetist ai është një kirug plastik i liçensuar, kështu që ai nuk ka problem të heqë shenjat dhe nishanet. Ai gjithashtu depilon pa dhimbje pjesën e sipërme të buzës së personave që renditen të dytët, pestët apo të tetën në listën e kandidatëve.

 

Ndryshe nga mjekët dhe Torabi[1], personat që merren me fotoshop e bëjnë të pamundurën të mundur. Nëse një person i ka sytë e shtrembër, që do të thotë ka aftësinë të shohë majtas dhe djathtas në të njëjtën kohë por nuk të sheh ty, që është një handikap për një kandidat që dëshiron t’iu bindë që është i sinqertë – personi që merret me fotoshop mund ta kthejë atë vështrim drejt një të ardhme më të ndritur (Dhe të bëjë diçka tjetër, megjithëse është sekret pune dhe nuk do t’ua tregoj kurrë!)

Është e vështirë të besosh tek kjo e ardhme më e mirë derisa të shohim njerëz më të mirë që do na çojnë atje. Ne të gjithë jemi dakort që një person është më i mirë nëse veshët nuk i ka shumë të mëdhenj, nëse hunda nuk i zë gjysmën e fytyrës, nëse ballin e ka më të vogël sesa vetullat, dhe nëse buzët nuk i ka si Tudjman. Një herë e një kohë kandidatët tullacë stërmundoheshin me kapela, trajtonin lëkurën e kokës me lloj lloj shamposh, përdornin nuanca llaku për t’iu afruar pamjes së flokëve, por e gjitha kjo është histori tashmë. Në dyqanin e personit që merret me fotoshop ju mund të bëheni me flokë të rinj në pak minuta – në vend të kilogramëve me kremra që luftojnë me ushtrinë e djersës së prodhuar nga dritat e kamerave.

 

Pra, një kandidat vjen, dhe nuk mund të thuash që ka një kokë tollumbace. Më mirë një glob. Miza do lodhej ti shkonte rrotull. Parukierja ia merr çmimin dyfish për një prerje flokësh. Mund të shihni që ka plot hapësirë për trurin. Disa lëvizje me fotoshop, dhe burri elefant është tani personi i fushatës. Një tjetër person vjen, me tension të lartë gjaku, më i kuq sesa çdo parti e majtë. Dhe në poster – rozë si një bebe. Do ta shtrydhnit nëse do të kishtë diçka për të shtrydhur. Dhe kjo vazhdon me ditë, javë dhe muaj të tërë. Implante virtuale, rregullim dekoltesh, ngritje qafe, hekurosje e rrudhave poshtë syve, heqje e shenjave nga të pirët e natës së kaluar. Dhjetëra fytyra, qindra, mijëra njerëz që ofrojnë fytyrën e tyre për atë çka lakmojnë me të vërtetë: të përlajnë një copë të buxhetit.
Dhe personi ynë që merret me fotoshop fërkon duart me kënaqësi. Nëse e tashmja është kaq fitimprurëse, kush e di çfarë do të sjellë e ardhmja. Thjesht prisni derisa personalitetet shoqërore ta kuptojnë që ai nuk e ka problem nëse punon me fytyra apo prapanica…

 

Nenad Veličković,  shkrimtar dhe gazetar nga Bosnjë-Hercegovina, themelues dhe redaktor i disa revistave, autor i disa romaneve, përmbledhjeve me tregime dhe prozë, pjesëve satirike. Profesor në Fakultetin e Letërsisë Serbe në Universitetin e Filozofisë në Sarajevë. Anëtar i Qendrës P.E.N të Bosnjë Hercegovinës.

 

 

 

[1] Një ‘shërues’ mashtrues maroken që vizitoi Bosnjë Hercegovinën para disa vitesh