Historia e dialogut politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut nxjerr në pah dukuri interesante lidhur me daljen nga krizat politike që periodikisht shfaqen që nga pavarësia e vendit e deri më sot.

 Nenad Markoviq

Termi ‘dialog politik’ ka disa kuptime dhe mund t’i referohet dialogut të aktorëve politikë në arenën më të gjerë politike, dialogut të partive politike në Parlament, dhe në vendin tonë shpesh barazohet me forma joinstitucionale të dialogut ndërmjet partive politike, si p.sh. takimet e lidershipit. Qëllimi i çdo dialogu politik është të arrihet një konsensus ose konvergjencë qëndrimesh për çështje të caktuara përmes diskutimit të arsyeshëm dhe të mirë-argumentuar ndërmjet aktorëve që kanë interesa, pozicione ose pikëpamje kontradiktore ose të kundërta. Kjo nënkupton dëshirën për shkëmbim racional të argumenteve mes aktorëve politikë, por edhe një kapacitet minimal demokratik të faktorëve politikë për një debat të arsyeshëm dhe pranim të kompromiseve që janë të pranueshme për palët e interesuara në një hapësirë të caktuar politike argumentuese. Dialogu politik zakonisht duhet të zhvillohet në Kuvend, por Kuvendi shpesh nuk është hapësira e vetme në të cilën zhvillohet dialogu politik.

Historia e dialogut politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut nxjerr në pah dukuri interesante lidhur me daljen nga krizat politike që periodikisht shfaqen që nga pavarësia e vendit e deri më sot. Nga kriza e parë e madhe që filloi me bojkotin e VMRO-DPMNE-së dhe Partisë Demokratike në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1994, deri te zhvillimet e fundit në Kuvend dhe tentativa për ndryshimin e shumicës parlamentare, konturet e dialogut politik dhe mënyrat se si arrihen zgjidhjet janë të dukshme. Këtu, natyrisht, përfshihen krizat si konflikti ushtarak në vitin 2001, kriza e Ligjit për organizimin e territorit nga viti 2004, Marrëveshja e majit nga viti 2007, kriza parlamentare nga dhjetori 2012 dhe bojkoti i Kuvendit nga BSDM në 2014.

Një nga veçoritë themelore të secilës prej këtyre krizave, pas së cilës nevojitet një dialog politik më intensiv, është bllokimi i institucioneve, më së shpeshti i Kuvendit. Aktorët politikë refuzojnë të marrin pjesë në punën e institucionit, i cili është jo vetëm një shtëpi legjislative, por edhe një vend diskutimi, dhe një vend për shkëmbim argumentesh dhe dialog politik në një kuptim më të ngushtë. Kjo paralizon punën e legjislativit dhe çon në një zhvendosje të dialogut politik jashtë institucionit që është në krye të tij. Komponenti i dytë i pothuajse secilës prej këtyre krizave është ndërmjetësimi dhe shpeshherë edhe menaxhimi i krizave nga komuniteti ndërkombëtar, i cili në një situatë ngërçi komunikues të aktorëve politikë, shfaqet si iniciator dhe ndërmjetësues në dialogun politik në vend. Komponenti i tretë është përbrendësimi (pranimi) i dobët i zgjidhjeve, të cilat, edhe pse përgjithësisht të pranuara, më pas nga disa prej aktorëve portretizohen si të imponuara me forcë. Kjo saboton vetë qëllimin e dialogut politik dhe parandalon ndërtimin e besimit midis palëve të interesuara.

Formati në të cilin më së shpeshti zhvillohet dialogu politik në vend janë takimet e liderëve, të cilat deri diku janë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk janë një format i panjohur në rajon. Këto janë më së shpeshti takime të liderëve partiakë dhe/ose ekipeve udhëheqëse në të cilat me ndërmjetësimin e aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare kapërcehen disa probleme që dalin në arenën politike. Nga njëra anë janë një mënyrë efikase dhe e shpejtë për të arritur zgjidhje, por nga ana tjetër sabotojnë kapacitetin demokratik si të partive politike ashtu edhe të institucioneve shtetërore.

 

Prof. Dr. Nenad Markoviq është profesor i studimeve politike në Fakultetin Juridik “Justinianus Primus” në Shkup