Njëzet vitet e fundit sollën përparim të kufizuar në aspektin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, dhe paralelisht, Serbia pa një tregim për “Perëndimin e lig” të ndërtuar në media.

Nenad Bušić

 Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi, po i drejtohen gjithnjë e më shumë euroskepticizmit. Nga njëra anë, kjo është e kuptueshme – të rinjtë kanë humbur besimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në njëzet vitet e fundit, që kur rajonit iu dha perspektiva e anëtarësimit në Selanik në vitin 2003, vetëm Kroacia është bërë shtet anëtar. Njëzet vitet e fundit sollën përparim të kufizuar në aspektin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, dhe paralelisht, Serbia pa një tregim për “Perëndimin e lig” të ndërtuar në media.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se shumica e të rinjve nuk e kuptojnë se çfarë përfaqëson procesi i reformës dhe kjo sigurisht për shkak të mungesës së komunikimit të politikanëve ndaj të rinjve në daljet e tyre publike, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta e spektrit politik. Kjo reflektohet kryesisht në pikëpamjet e të rinjve; sot, 41% e të rinjve nuk e mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE.

Nga ana tjetër, të rinjtë kërkojnë një të ardhme më të mirë pikërisht në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet afër tij. Kjo tregon një keqkuptim themelor të procesit të integrimit europian të rajonit. Ajo që të rinjtë i shohin si kushte të dëshirueshme jetese, përkatësisht një standard më i mirë jetese, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i shtetit të së drejtës, si dhe parimet themelore demokratike janë shtytësit kryesorë për ikjen e trurit në rajon. Ne ndajmë aspiratat për të krijuar një shtet dhe shoqëri sipas standardeve europiane dhe demokratike, por falë relativizimit të këtyre termave në hapësirën publike, duke i paraqitur si vlera të imponuara, jemi gjendur në një situatë ku parimisht i kundërshtojmë.

Unë e shoh këtë gjendje të shoqërisë si jashtëzakonisht të rrezikshme, lehtësisht të ndjeshme ndaj krizave, të cilat mund të përdoren nga elitat politike për të arritur përfitime shoqërore dhe politike.

Edhe pse e kam fjalën për të rinjtë, e gjithë kjo mund të zbatohet edhe për gjeneratat e tjera të shoqërisë sonë – njerëzit nuk u besojnë më politikëbërësve dhe kanë gjithnjë e më pak besim tek anëtarësimi në BE. Këtu bëri një gabim të madh Bashkimi Europian, sepse nuk e njohu me kohë lodhjen e historisë së zgjerimit në rajon. Kjo reflektohet në faktin se as 43% e popullsisë nuk beson se Serbia do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së. Në gjashtë muajt e fundit, ne shohim se kjo po ndryshon, gjë që fatkeqësisht është shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Fatkeqësisht, sepse Bashkimi nuk e njohu me kohë nevojën për të reformuar procesin e anëtarësimit si dhe strukturën e tij të brendshme.

Për integrimin e rajonit në BE, reformat janë të nevojshme nga të dyja palët, por ato duhet të shoqërohen me edukimin e popullatës duke përdorur të gjitha kanalet e komunikimit se procesi i integrimit europian nuk është thjesht grimim dhe shtimi i flamurit të BE-së në institucionet e shtetit. Ai në fakt përfaqëson një proces që do t’u mundësojë qytetarëve një jetë më cilësore dhe më të shëndetshme, ku askush, pavarësisht funksionit që kryen, nuk është mbi ligjin.

 

Nenad Bušić, president i Forumit Rinor EPuS