Me disa kanale televizive rajonale që ndriçojnë errësirën, me të pakën një portal të rëndësishëm lajmesh në secilin nga vendet e rajonit, dhe me një ushtri personash që duan të mbërrijnë në Evropë pa u larguar nga vendi i tyre, ne do të dalim fitimtarë në luftën për normalitet.

Nedjeljko Rudoviç

Sa herë që ne zemërohemi me betejat tona të vështira dhe të ashpra për të kaluarën, kombin, kufijtë, gjuhën, të qënit lider rajonal… dhe për këto gjithmonë duke iu kthyer një ose të pakën dy versioneve të historisë, e imagjinoj se si duhet të perceptohemi nga një zyrtar dashamirës në Departamentin e Shtetit, ose Zyrën e Jashtme, Quai d’Orsay, apo kolegët e tyre në Moskë, Pekin, Berlin, etj., të ngarkuar me monitorimin e situatës në rajonin e vogël e intrigues të Ballkanit. Ata ndoshta janë të habitur dhe të lodhur duke u përpjekur t’i kuptojnë të gjitha nuancat e një drame të pazakontë që e ka përsëritur veten për më shumë se një shekull. Ata sigurisht që duhet të jenë të tmerruar, se pas kaq dekadash, udhëheqësit e disa dhjetëra miliona njerëzve ende nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë vrimës së errët të keqkuptimit dhe urrejtjes reciproke, e cila nxehet herë pas here.

Si është e mundur që në fytyrën e një të tashmeje dhe të ardhmeje ekonomike të zymtë, dikush të shqetësohet më shumë për historinë? Si nuk është e dukshme për to, se do të mbeten në anë duke vepruar kështu, dhe se e vetmja mënyrë për të rimëkëmbur ekonomitë e tyre, për të forcuar shtetet e tyre dhe për të fituar një reputacion ndërkombëtar është vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë?

Ne dukemi qesharake në sytë e botës ‘progresiste’, dhe pasojat janë tragjike. Më të mirët na largohen pa asnjë synim për t’u kthyer. Në pjesën më të madhe, shtetet tona ish-jugosllave janë peng i partive politike, lakmisë dhe

betejës për ruajtjen e pushtetit. Ato janë viktimat më të mëdha të grabitjes nga ata në pushtet.

Pra, cili është truku? Mendoj se është tek mungesa e ndërgjegjësimit se angazhimi në politikë nënkupton t’i shërbesh shoqërisë suaj. Mbajtja e pushtetit këtu nënkupton edhe përhapjen e frikës dhe paraqitjen e vetes si një garantues i mbrojtjes së “interesave kombëtare”, kryesisht nga fqinjët më të afërt. Kjo në mënyrë të pashmangshme nënkupton manipulim dhe përpjekje të palodhshme për të marrë kontrollin mbi mediat më me ndikim. Qëllimi është që votuesi të mos jenë votues; të dëgjojë, dhe të mos kërkojë, të ndjekë dhe të mos jetë qytetar.

Prandaj, ende shohim përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur shoqëritë e mbyllura në vendet e ish Jugosllavisë, ku të gjitha informacionet filtrohen. Meqë është e pazakontë të informohesh për atë që ndodh në fqinjësi përmes mediave të tyre, shpesh ka një truall pjellor për ta njollosur lehtë tjetrin. Dhe kjo çon lehtësisht në tension, duke përhapur me shpejtësi një valë të re urrejtjeje të ndërsjelltë. Më pas, politikanët e zgjedhur fillojnë të ‘mbrojnë’ dinjitetin e atdheut të tyre të dashur dhe ne nisim një tjetër udhëtim në një rreth si epilog. Pajtimi, bashkëpunimi, besimi, respekti, punësimi, standardet e jetesës… mbeten utopi. ‘Urreni sllavët’ jehon.

A mundet shoqëria digjitale të mposhtë dhe të ndryshojë një sistem të vjetëruar? A munden mediat e reja, të cilat janë në rrugë të mbarë për të pasur përparësi kundrejt kështjellave të ndryshme televizive, t’i hapin rrugën versionit modern të vëllazërisë dhe unitetit? Pesimistët do ta quajnë një utopi, sepse manipulimi i ekranit të TV aktualisht riprodhohet kryesisht përmes rrjeteve sociale. Optimistët besojnë se nuk duhet të jetë ashtu, sepse çdo qytetar është bërë një media. Ashtu siç besohet se, përpara luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë shumica dëshironte paqe, por triumfoi një pakicë agresive, është po aq ngushëlluese sot të besohet se ka ende njerëz më të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm rreth nesh, sesa fanatikë dhe robotë.

Me disa kanale televizive rajonale që ndriçojnë errësirën, të pakën një portal të rëndësishëm lajmesh në secilin nga vendet e rajonit, dhe me një ushtri personash që duan të mbërrijnë në Evropë duke qëndruar në shtëpi, ne do të dalim fitimtarë në luftën për normalitet.

 

Nedjeljko Rudoviç është një gazetar, i njohur profesionalisht në gazetën Vijesti, ka punuar si korrespondent për gazetat e përjavshme rajonale më të respektuara, dhe ka qenë Deputet i Parlamentit malazez