Kush mund të siguroj zbatimin e standardeve të privatësisë në kohën e demokracisë sonë të brishtë dhe qeverisjeve të papërgjegjshme, duke shtuar gjyqësorin larg funksionimit normal.

 Nazim Haliti

“Zogjtë nuk janë real” – ishte motoja dhe frika e qindra njerëzve në protestën në Springfield, SHBA, më 23 qershor 2021. Në vlugun e pandemisë, sfidave globale të mosbesueshmërisë në vaksinimin anti-covid, dhe në kohën e lajmeve të rrejshme të cilat po godasin besimin dhe etikën në shumë sfera jetësore, protestuesit amerikanë besonin se afro 12 milion zogjë janë vrarë nga qeveria për t’u zëvendësuar me dronë si zogjë, për programe vëzhgimi ndaj qytetarëve.

Vetëm dy ditë më parë, në Prishtinë, një burrë e sulmon fizikisht një grua në një qendër tregtare. Ky u bë lajmi kryesor në mediat e vendit, duke shtuar edhe mllefin dhe zërat për dhunën në rritje ndaj grave. Gjithçka ishte e qartë në skenën e incidentit të rastit, xhiruar nga kamerat vrojtuese.

Ndonëse shoqëria kosovare ende ka një sens të theksuar konzervativ në jetën private por edhe publike, survejimi, përfshirë mbikqyrjen me kamera në hapësira të ndryshme dhe përgjimet elektronike, mund të thuhet se nuk është diskutuar asnjëherë si shqetësim në forume shoqërore.

Para afro gjashtë vitesh, ligji për përgjimin e komunikimeve elektronike poashtu kishte kaluar  dëgjime publike me grupin e vogël të aktivistëve të sektorit joqeveritar. Ishte kohë e shkurtër nga zbulimet e amerikanit Edward Snowden dhe bota po fliste për survejimin e gjithëmbarshëm. Afër në këtë periudhë kohore, në 2014, në Kosovë poashtu rrodhi afera “Pronto”, një nga publikimet mediale të një serie përgjimesh anonime, ku  zyrtarë të ndryshëm shtetëror kurdisin punësimet në institucione. Një proces gjyqësor ky që ka vazhduar këtyre ditëve ndaj 11 ish-zyrtarëve të ndryshëm, ish-ministra e deputetë.

Po, çfarë është privatësia në epokën e digjitalizimit të shumë shërbimeve dhe qeverisjes elektronike? Sa do të peshonte në rëndësinë e vet siguria më e lartë e privatësisë karshi ekonomizimit të kohës, shërbimeve të shpejta digjitale dhe lidhjes më të madhe mes njerëzve. Kush mund të siguroj zbatimin e standardeve të privatësisë në kohën e demokracisë sonë të brishtë dhe qeverisjeve të papërgjegjshme, duke shtuar gjyqësorin larg funksionimit normal.

Një shkollë me kamera monitoruese në korridore dhe ambientet e jashtme, një shitore që më lehtësi zë hajnat, një barnatore që plaçkitet me dhunë dhe keqbërësit kapen me lehtësi nga policia, një park qyteti i mbikqyrur nga syri i kamerave, një dhomë operative policore që vëzhgon ritmin e jetës në udhëkryqet e qytetit, janë lehtësi për shumëkë. Por, nuk janë vetëm kamerat vëzhguese që krahas të mirave, po sfidojnë privatësinë e njerëzve. Pothuajse çdo aplikacion që njerëzit shkarkojnë në telefonin e tyre, krijon qasje në fotografitë, kontaktet dhe lëvizjet e tyre. Sot, liria nuk është mundësi e zgjedhjes. Qytetari nuk mund të jetë i mbrojtur edhe sikur të jetë indiferent ndaj mundësive teknologjike.

Yuval Noah Harari, autori i tre librave fantastik për origjinën e njeriut dhe evoluimin e tij në histori, në librin e tij të fundit “Homo Deus”, thotë se “dataizmi po shndërrohet në një fe të re, ku vlera supreme e saj është rrjedha e informacionit”.

Por, në debatin e shtruar sot për demokracinë dhe sigurinë, në shumë sfera, përfshirë edhe këtë të vëzhgimit nga syri i kamerave, siguria do të mbetet prioritet. Mbase edhe sociologët, psikologët e ambientalistët mund të përfitojnë nga vështrimi shkencor i njerëzve që lëvizin në ritmin e jetës së tyre.

 

Nazim Haliti është ligjerues universitar në fushën e shkencave politike në Prishtinë, ish-gazetar dhe ish-aktivist e hulumtues në fushën e politikave të sigurisë