Ndërgjegjësimi qytetar për këto kushte që kanë rezultuar efikase në rastin tim është një rreze shprese që mund të ketë dritë në fund të këtij tuneli të padrejtësisë.

Natasha Dimitrievska

Sundimi i ligjit është një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Maqedonisë; pavarësia dhe paanshmëria e gjyqtarëve, pra e secilit që është palë interesi e sistemit gjyqësor, janë garancia për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Por, është e diskutueshme sa respektohet ky parim në vendin tonë.

Sipas mendimit tim, shoqëria jonë nuk është e gatshme që të luftojë për vlerat ​​e rrënjosura në sistem dhe përmes kësaj, të nxisë sundimin e ligjit.

Qytetarët e kanë humbur besimin tek sundimi i ligjit në vend.

Deri para disa kohësh do të mendohej: “Do t’i ushtroj të drejtat e mia në gjykatë”, por tani mendimi që mbizotëron është: “Cilën lidhje miqësore duhet të përdor që t’i ushtroj të drejtat e mia apo që të manipoloj sistemin siç dua? Sa duhet të paguaj për të qëndruar i lirë? Ose për të marrë një dënim me kusht…”

Unë vetë kam qenë palë e dëmtuar dhe përfaqësues ligjor i viktimës në një hetim dhe procedim gjyqësor. Humba burrin tim dhe fëmijën e palindur në një aksident me makinë.

Kam besuar tek sundimi i ligjit në këtë vend, dhe tek drejtësia që, sipas çdo logjikë, do të duhej të dënonte shoferin, i cili shkatërroi jetën time duke vepruar në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe shkaktoi atë tragjedi. Shpresat ishin të kota dhe, në fund, u zhgënjeva dhe kërkova ndihmë nga bashkëqytetarët e mi.

Nga e gjithë procedura mund të arrij në përfundim se në vendin tonë, gjyqtarët, prokurorët publikë, të gjithë ata që janë pjesë e atij sistemi – mbrojnë njëri-tjetrin.

Reformat në gjyqësor janë lajmëruar në mënyrë të vazhdueshme, por sipas mendimit tim, ato mbeten gjithmonë vetëm një njoftim, ose ndryshimet e bëra nuk janë thelbësore për mbrojtjen e të drejtave; për shembull, punësimi sipas parimit të përfaqësimit të drejtë, termat e procedurës, prezantimi i Akademisë për Gjyqtarët dhe Prokurorët Publik – të gjitha këto ndryshime nuk prekin problemet e akumuluara me të cilat ballafaqohet çdo ditë qytetari i zakonshëm.

Mendoj se gjatë procedimeve gjyqësore më shumë vëmendje i kushtohet mos cënimit të të drejtave të të dyshuarit, të akuzuarit, se të gjitha ndryshimet ligjore janë në atë drejtim dhe se viktima, pala e dëmtuar është “e mbrojtur” nga prokuroria.

Nga përvoja personale, nëse në rastin e aksidentit rrugor në afërsi të Mlechenit nuk do të kisha marrë mbështetje nga qytetarët përmes rrjeteve sociale, atëherë Zyra e Prokurorit Publik nuk do të kishte bërë padi për rastin, pala e dënuar do të kishte marrë vetëm një dënim me kusht për vdekjen e Goces, për humbjen e fëmijës tonë dhe për lëndimet e rënda trupore që unë pësova, ndërsa unë, si palë e dëmtuar, nuk kam të drejtë ligjore që të parashtroj mjete juridike në një shkallë më të lartë të gjyqësorit.

Njerëzit nuk besojnë se parimi i sundimit të ligjit zbatohet në vend dhe kjo u vërtetua me moton e protestës #DREJTESIPERGOCE, #DREJTESIPERMUA dhe #DREJTESIPERNE, që u mbështet nga të gjithë qytetarët, dhe për shkak të dënimit me kusht. Në fund, protesta civile arriti të sigurojë një dënim me dy vjet burg.

Komenti i të gjithëve është se dënimi me dy vjet burg për vdekjen e Goce-s, për humbjen e fetusit dhe lëndimet e mia të rënda trupore nuk është i mjaftueshëm, por lufta për sundim të ligjit vazhdon. Tani i dënuari duhet të vuante atë dënim, por në vend të kësaj ai vazhdon të manipulojë sistemin.

Secili gjyqtar në vendin tonë jep vendime në emrin tonë, por kur populli rebelohet kundër këtyre vendimeve, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik duhet të analizojnë dhe t’i korrigjojë gabimet, duke filluar me shkarkimin e gjyqtarëve dhe dënimin e prokurorëve publikë, por jo vetëm për ata që kanë marrë vendime në proceset politike për krimin e organizuar, por edhe për ata që kanë marrë vendime në raste që prekin “njerëzit e zakonshëm”, si në rastin tim. Njerëzit janë lodhur nga rastet politike që po ndiqen dhe vazhdojnë gjatë, deri sa parashkruhen, janë të lodhur që ata shpëtojnë nga dënimet, janë të lodhur nga mashtrimi i sistemit, ndërkohë që asnjë nga ata që duhet të jetë shtyllë e sundimit të ligjit, nuk mban përgjegjësi. Ndërgjegjësimi qytetar për këto kushte që kanë rezultuar efikase në rastin tim është një rreze shprese që mund të ketë dritë në fund të këtij tuneli të padrejtësisë

 

Natasha Dimitrievska, juriste