Ardhja e11 nëntorit në Serbi është e diskutueshme vetëm për keqpërdorimin e saj politik. Shembulli më dramatik i ri-tradicionalizimit dhe monumentalizimit të narrativës nacionaliste është ndërtimi aktual i një monumenti 20 metra të lartë të themeluesit të Shtetit të parë Mesjetar Serb, Stefan Nemanja (shekulli i 12-të) në qendër të Beogradit. Kjo vjen njëkohësisht me lajmërimin për ndërrimin e emrave të rrugëve, të quajtura sipas zonave gjeografike të cilat nuk i përshtaten baticave të reja kombëtare (Rruga e Dubrovnikut, Sarajevës, Sibenikut).

E shkruar nga: Sanja Radovic

Festimi i Ditës së Përkujtimit, fundi i Luftës së Parë Botërore (11.11.1918) duket një veprim tërësisht jo logjik, duke patur parasysh se e njëjta luftë vazhdoi 20 vjet më vonë, megjithëse në një format tjetër, por në thelb me të njëjtët aktorë dhe planet e tyre të papërfunduara. Ndoshta do të kishte më shumë kuptim të shënohej data e fundit që përmbylli të dyja luftrat botërore – fundi i Luftës së Dytë Botërore. Vendet si Britania e Madhe, Franca, dhe Belgjika e kanë kthyer në festë, menjëherë pas fundit të Luftës së Madhe, që justifikon festimin e saj sot. Megjithatë, në Serbi, ne kemi filluar ta festojmë Ditën e Përkujtimit rreth 100 vjet më vonë (vetëm në vitin 2012), ndaj është e pamundur të mos konsiderohet kjo festë jashtë kontekstit nga i cili ka dalë.

Duhet të theksohet se festimi i përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Serbi nuk është i diskutueshëm nga pikëpamja historike, apo mohim i rëndësisë së vetë luftës, por i diskutueshëm nga perspektiva e përdorimit politik bashkëkohor. Oportunizmi në glorifikimin e Luftës së Parë Botërore në krahasim me Luftën e Dytë Botërore është i dukshëm kur zbatohet nga një prizëm ideologjik – Lufta e Parë Botërore është një fitore ‘e pastër’ Serbe, ndërsa Lufta e Dytë Botërore pati nevojë për ndihmë, bashkëpunim me bashkëatdhetarët – dikur, dhe sot fqinjët jo shumë miqësorë. Në mënyrë të ngjashme, mënyra sesi festohet, dhe rëndësia që i vishet (është pushim zyrtar), tregon një qëllim të qartë për ti dhënë asaj të njëjtën vlerë me festat e tjera të rëndësishme, Dita Kombëtare, 15 shkurt. Në këtë mënyrë, një narrativë nacionaliste përshkron si trajektore historinë  Serbe – duke shënuar dy festa kombëtare – në një vertikale të luftrave çlirimtare serbe dhe fitoreve të tyre.

Nga një perspektivë e ngushtë nacionaliste, diku në vitin 1918 u shënua fundi i historisë serbe, kur qenia kombëtare serbe ishte bllokuar në kufijtë e panatyrshëm shtetëror. Me fjalë të tjera, mungesa e një eksperience historike ekskluzivisht serbe në vitet që pasuan solli një rënie të rëndësisë dhe domethënies historike të gjithçkaje që erdhi më pas. Prandaj, asgjë nuk është më e qartë sesa nevoja për të fshirë historinë e gjithçkaje që është jo serbe që erdhi pas vitit 1918, dhe për t‘u kthyer tek epoka para -vitit 1918. Një rrezik i veçantë i këtij filtrimi politik të historisë është se mohimi i vlerave të Luftës së Dytë Botërore dhe i ideologjisë komuniste ka nënkuptuar gjithashtu një mohim të antifashizmit, por kjo është temë për një herë tjetër.

Me qëllim që ta sjellim në kontekst dhe kuptojmë më mirë ditën e Përkujtimit si një festë, ne duhet t’i shtojmë kësaj narrative ndërtimin gjithnjë e më të zakonshëm të monumenteve të liderëve nacionalistë serbe, ndërsa po hiqen ata të kohës së Jugosllavisë. Shembulli më dramatik i ri-tradicionalizimit dhe monumentalizimit të narrativës nacionaliste është ndërtimi aktual i një monumenti 20 metra të lartë të themeluesit të Shtetit të parë Mesjetar Serb, Stefan Nemanja (shekulli i 12-të) në qendër të Beogradit. Kjo vjen njëkohësisht me lajmërimin për ndërrimin e emrave të rrugëve, të quajtura sipas zonave gjeografike, të cilat nuk i përshtaten baticave të reja kombëtare (Rruga e Dubrovnikut, Sarajevës, Sibenikut). Perspektiva e ngushtë, dhe në valën e fundit nacionaliste, madje edhe më e ngushtë, nuk mund të kapë domethënien e gjithçkaje që nuk ka një prefiks të qartë serb – në një monument, emër rruge ose një festë. Krijuesit e paradigmës së re nacionaliste sugjerojnë se, ashtu siç uji i distiluar nuk është ujë i pijshëm, ashtu dhe historia e distiluar nuk ka vlerë. Është abuzuar dhe përhapur në atë mënyrë sa tani është thjesht një mantel i hollë si vello, që synon të fshehë faktin që pas monumenteve dhe festave të zgjedhura qëndron  vetëm një mendje tribale dhe shpirt provincial.

Sanja Radovic, historiane, doktore shkencash e Fakultetit të Filozofisë në Beograd. Studiuese në disa projekte, dhe pjesë e Projektit Historia e Përbashkët (tekstet e historisë janë përdorur në 13 vende të Europës Jug Lindore).