Gjatë vitit të kaluar, unë personalisht kam ndërmarrë disa iniciativa për të motivuar hotelierët dhe agjentët të përfitojnë nga periudha e ndërprerjes së punës për t’u përgatitur dhe për të përmirësuar strategjitë e tyre të marketingut digjital. 

Milan Stojkovic

Pa dyshim, sektori i turizmit është një nga industritë të cilat u goditën më shumë nga pandemia e Covid-19. Shumë kompani u mbyllën, njerëzit humbën punën, familjet humbën të ardhurat e tyre të zakonshme.

Njihet efekti rritës i turizmit në ekonomi, ose fenomeni që çdo euro e fituar nga turizmi përhapet më tej përmes aktiviteteve të tjera, kështu që kuptohet që me rënien e turizmit, u ndikuan edhe industri të tjera.

Pandemia goditi më shumë sektorin e udhëtimeve ndërkombëtare dhe udhëtimeve të biznesit, pasuar nga turizmi brenda në qytet dhe ai MICE (Meetings, Incentives, Conferences and Events – i Takimeve, Nxitjes, Konferencave dhe Ngjarjeve/Akiviteteve).  Nga ana tjetër, ka pasur një përhapje të turizmit të brendshëm, kryesisht në vendet rurale.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Turizmit dhe institucionet e tjera përkatëse publikuan statistikat mbi rënien rekord të trafikut turistik, ku volumi i turizmit global krahasohej me atë të viteve 1950.   Meqenëse merrem me marketing digjital, monitoroj rregullisht nivelin e kërkesës dhe jam dëshmitar i rënies së vazhdueshme të kërkimeve në Google për hotele dhe udhëtime.

Pandemia ka mbyllur shumë objekte dhe agjenci udhëtimesh, disa përkohësisht dhe disa, për fat të keq, përgjithmonë.  Sidoqoftë, shumë prej tyre arritën ta kalonin periudhën më të vështirë. Agjencitë e udhëtimeve të brendshme janë përpjekur të gjejnë destinacione të reja që mund të jenë të sigurta dhe, në të njëjtën kohë, interesante për udhëtarët, kështu që Shqipëria përjetoi një lulëzim të vërtetë, si dhe Turqia dhe Egjipti. Shumë agjenci i janë drejtuar turizmit të brendshëm.

Për fat të mirë, përdorimi i vaksinave ishte gjithnjë e më i suksesshëm në fillim të këtij viti, dhe të gjithë ne që punojmë në turizëm shpresonim që ta merrnim veten.  Situata është dukshëm më mirë këtë sezon – edhe pse është ende larg të qenit si dikur, është mirë të shohësh sërish njerëzit që bëjnë punën që duan.

Turizmi po kthehet.  Vendet evropiane po hapen ngadalë për turistët e huaj; Spanja dhe Italia kanë hapur zonat bregdetare, edhe pse do të na duhet të presim edhe pak për të vizituar qytetet.  Bashkimi Evropian u ka dhënë dritën jeshile turistëve nga SHBA-ja, linjat ajrore kanë filluar të kthehen dhe biznese të ndryshme, sportive dhe argëtuese po fillojnë të zhvillohen ngadalë.

Gjatë vitit të kaluar, unë personalisht kam ndërmarrë disa iniciativa për të motivuar hotelierët dhe agjentët të përfitojnë nga periudha e ndërprerjes së punës për t’u përgatitur dhe për të përmirësuar strategjitë e tyre të marketingut digjital. Kemi zhvilluar një sërë kursesh online falas.  Ishte momenti për të korrigjuar gabimet, për të bërë përshkrime të shkurtra të biznesit dhe për të rregulluar adresat në mediat sociale.     Ata që e kanë bërë këtë kanë një avantazh të madh ndaj të tjerëve në ditët e sotme, sepse turistët në botën Post-Covid-iane do ta përdorin akoma më shumë internetin për të gjetur informacion dhe për të rezervuar udhëtime.

Marketingu digjital është ende mënyra më e lirë, më efikase dhe më e shpejtë për të arritur te turistët dhe vizitorët.  Ndodh shpesh që të më kërkojnë klientë që kanë nevojë urgjente për xhiro dhe të ardhura dhe ne e arrijmë atë brenda dy javësh.

Një pasojë që do të mbetet dhe për disa kohë nga pandemia është koha e shkurtër e rezervimit.  Tregu është akoma i trazuar, disa kufij po hapen ndërsa të tjerët po mbyllen, po miratohen disa masa të reja dhe po shfuqizohen disa të tjera, kështu që turistët nuk do ti rezervojnë udhëtimet një vit më herët, por do të presin deri në minutën e fundit para se të regjistrohen, për të ulur riskun.   Për këtë arsye është e rëndësishme që të jeni në qendër të kërkesës në çdo moment – Google, YouTube dhe në mediat sociale.  Preferencë do të kenë ato hotele dhe biznese që ofrojnë anulim falas deri pak ditë para udhëtimit.

Vitin e kaluar shumë ekspertë parashikuan ‘gjendjen e re normale’ në turizëm, që kurrë nuk do të jemi në gjendje të udhëtojmë njësoj sërish, por këtë vit parashikimet janë krejtësisht ndryshe dhe kjo nuk përmendet më.  Ka shumë mundësi që të kthehemi në ‘normalitet’ dhe të gjithë shpresojmë kështu!

 

Milan Stojkovic, themelues i E-toursim consulting