Si Jankuloski, ashtu edhe Panovski janë heronj në këtë kohë të stuhishme në Maqedoni. Të dy kanë qasje të ndryshme, por qëllimi vjen nga shpirti i tyre – të ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe t’u japin atyre energji pozitive.

Meri Jordanovska

Të dy kanë qasje të ndryshme dhe ekspertizë të ndryshme, por qëllimi i tyre është i njëjtë – të ndihmojnë njerëzit që po luftojnë me të ashtuquajturën “shtrigën korona”. Në Maqedoni ka rreth 1000 të infektuar në ditë, nuk ka vaksina të mjaftueshme dhe strukturat spitalore janë pothuajse plot.

Njëri prej tyre është Denis Jankuloski, një punonjës i Qendrës së Shëndetit Publik. Çdo ditë gjatë vitit të kaluar, ai ka shkuar në shtëpitë e njerëzve të infektuar me koronavirus për të bërë tampone – ka udhëtuar me mijëra kilometra, me veshje mbrojtëse, me maskë, mbrojtëse fytyre dhe doreza. Gjatë kësaj periudhe, ai ka humbur 16 kilogramë dhe ka testuar rreth 6 mijë persona. Atij iu vu nofka “Kozmonauti”.

Çdo ditë gjatë vitit të kaluar, në orën 6 të mëngjesit, ai shfaqet me një këngë në Facebook. Së pari u uronte të gjithëve një ditë të mbarë, shëndet të mirë, fillim të mbarë të javës, fundjavë të bukur… dhe pastaj fillon muzika. Këngë të Bajagës, EKV, Miso Kovaç, Zdravko Çoliç, Piloti, Balaseviç, hite të vjetra të bukura jugosllave. Dhe i di të gjitha, nuk le asnjë fjalë pa kënduar, i këndon deri në fund, duke sjellë një energji pozitive në krizën e koronavirusit.

“Kur i bëj këto video nuk mendoj nëse po këndoj mirë apo jo. E shoh këtë si një kënaqësi në kohën e koronavirusit. Më pëlqen të sjell buzëqeshje në fytyrat e njerëzve, jam i kënaqur që shumë prej tyre harxhojnë pak minuta nga koha e tyre për të parë videon dhe buzëqeshin. Prandaj do të vazhdoj të këndoj deri sa zhduket pjesëza më e fundit e koronavirusit,” thotë ai.

Qytetarët dëgjojnë Libar, Nesanica, Kao ptica na mom dlanu, Nikad te niko nece voljet ko ja, Ko mi tebe uze Tamara, Ne volim januar… Çdo ditë, një këngë të re, një mesazh të ri pozitiv, i cili përfundon gjithnjë me “Një përqafim dhe një puthje”, dhe pastaj shkon në shtëpitë e qytetarëve të cilët luftojnë me Covid-19.

Kur filloi vaksinimi në Maqedoni, Jankulovski mori një detyrë të re – për të vaksinuar qytetarët. Por ai nuk pushoi së kënduari. Dhe tani, çdo mëngjes, ai e fillon ditën me një këngë para se të arrijë në pikën e vaksinimit, por tani, në vend të “një përqafim dhe një puthje”, ai i përshëndet qytetarët me “Një përqafim dhe një dozë vaksinë”.

Ndërkohë, ai gjithashtu e ka marrë vaksinën kundër Covid-19, e ka hequr veshjen e tij mbrojtëse, ndërsa tashmë rrjetet sociale janë plot me fotografi të qytetarëve të cilët janë vaksinuar në pikën e tij të vaksinimit. “Është më e lehtë të thyesh frikën kur vaksinohesh nga Kozmonauti”, thonë ata me kënaqësi.

Ndërsa qytetarët luftojnë me dilema të ndryshme rreth simptomave të Covid-19, interpretimin e analizave të gjakut, vaksinimin… Frika dhe paniku mbizotëron, por Dr. Nikola Panovski, profesor i mikrobiologjisë,  i përgjigjet në rrjete sociale kujtdo që ka dilema rreth trajtimit të Covid-19, vaksinimit dhe parandalimit.

“Unë ndoshta i jam përgjigjur mbi 5,000 mesazheve deri më tani, kam lexuar mbi 1,000 përgjigje laboratorike etj., dhe mund të duroj akoma; kur mendoj për të gjithë ata kolegë që punojnë në repartet e kujdesit intensiv në qendrat e covidit, me maska dhe syze në fytyrë, unë i them vetes, kjo nuk është asgjë”, tha Dr. Panovski, duke shtuar se ai është “ndërmjet opozitës dhe qeverisë” kur vjen puna tek të gjitha keqkuptimet që kanë të bëjnë me koronavirusin.

Si Jankuloski, ashtu edhe Panovski janë heronj në këtë kohë të stuhishme në Maqedoni. Të dy kanë qasje të ndryshme, por qëllimi vjen nga shpirti i tyre – të ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe t’u japin atyre energji pozitive, deri sa të largohet ‘shtriga korona’.

 

Meri Jordanovska ka qenë gazetare në Maqedoni për më shumë se 15 vjet dhe aktualisht punon në Agjencinë e lajmeve “Makfax” dhe në portalin “A1on”. Ajo ka fituar disa çmime për gazetarinë investigative.