Një klub më shumë nuk është ide e keqe në vetvete, por një klub pa objektiva të qartë rrezikon të shpenzojë kohë duke folur për çështje të rëndësishme, por pa zgjidhje dhe rezultate. 

Lutfi Dervishi

Shqipëria sapo ka hapur negociatat me Bashkimin Europian. Pritja e gjatë ka ulur entuziazmin në lidershipin e Tiranës për perspektivën e anëtarësimit.

Mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e lartë te popullsia (mbi 80%). Por, së fundmi debati për Europën është pasuruar me shfaqjen e Komunitetit Politik Europian.

Befas, Shqipëria jo vetëm është anëtare e Komunitetit Politik Europian, por edhe një avokate e zellshme e këtij projekti. Një ide e Presidentit Francez Macron për të krijuar një klub ku BE mund të konsultohet me fqinjët e vet. Një tryezë ku vendet e BE-së mund të diskutojnë shqetësime të përbashkëta me vendet jo anëtare të BE-së.

Nën dritën e luftës në Ukrainë, Kryeministri i Shqipërisë së bashku me Kryeministrin e Hollandës në një editorial të përbashkët të botuar një ditë para samitit të parë të KPE (Komunitetit Politik Europian) mbështetwn me entuziazwm kwtw projekt ku “shqetësimet dhe sfidat e përbashkëta mund të gjejnë zgjidhje”.

Në samitin e Pragës u mblodhën 44 vende të Europës. Pyetja që ende nuk ka përgjigje të qartë është: Çfarë përfiton Shqipëria dhe 5 vendet e tjera të Ballkanit që janë aspirante për tu anëtarësuar në BE?

Një nga arritjet e dukeshme të samitit të Pragës ishte izolimi i Rusisë. Por, Rusia është përjashtuar edhe nga Këshilli i Europës, një organizëm me 46 vende anëtare?

Ku dallon KPE me Këshillin e Europës, OSBE-në apo organizma të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë? Çfarë mekanizmash ka KPE për të realizuar ambiciet e veta?

A është KPE një mekanizëm që përshpejton këtë proces, apo është saktësisht e kundërta e saj?

Në Francë nuk ka entuziazëm për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. “Kur kemi kaq probleme me 27 anëtarë, si mund tí zgjidhim ato nëse bëhemi 33”?

Në editorialin e Kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Hollandës “platforma e re….nuk i zë vendin procesit të mirëstrukturuar të anëtarësimit në BE”..

Nëse nuk i zë vendin procesit të anëtarësimit në BE- a e ndihmon atë? Në mungesë të një komunikate shtypi për samitin e Pragës dhe në mungesë të prononcimit të liderëve të rajonit për këtë temë, pyetja tingëllon retorike.

“KPE, thuhet në editorialin e dy kryeministrave-  duhet të jetë një hapësirë ku të mund të takohemi e të bëjmë punë, pavarësisht nëse jemi anëtarë të BE-së apo jo”?

Po çfarë punësh? Energjia? Ngrohja globale?- këto janë tema të rëndësishme dhe me të cilat po merren G-7, G-20, OKB, KE, BE, etj etj. Çfarë mund të sjellë KPE?

Një klub më shumë nuk është ide e keqe në vetvete, por një klub pa objektiva të qartë rrezikon të shpenzojë kohë duke folur për çështje të rëndësishme, por pa zgjidhje dhe rezultate.

Historia e afwrt na tregon se jo gjithmonë idetë dhe synimet e mira prodhojnë rezultate.

Një nismë e bujshme franceze, Bashkimi për Mesdheun ku bëjnë pjesë 42 vende, (përfshirë 27 vendet anëtare të BE-së) dhe në të cilat është anëtare dhe Shqipëria, është themeluar në Paris më 13 korrik 2008. Qëllimi ka qenë stabiliteti dhe integrimi. Rezultati pas 14 vjetësh? Nuk është arritur asnjë objektiv i shpallur. Mesdheu nuk u bë zonë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti. Zona e lirë ekonomike BE- Mesdhe nuk u bë realitet dhe nismat për të forcuar të drejtat e njeriut dhe demokracinë nuk sollën rezultate.

Interesi i Shqipërisë dhe vendeve të rajonit është anëtarësimi në BE, një proces i vështirë, i lodhshëm, por i dobishëm sepse transformon vendin dhe e bën pjesë të hapësirës më të pasur të botës, hapësirës ku respektohen dhe mbrohen më mirë se kudo të drejtat e konsumatorëve/qytetarëve. Anëtarësimi automatik në KPE- mund të jetë një hapësirë e këndshme për liderët, por jo domosdoshmërisht për qytetarët që ato përfaqësojnë.

 

Lutfi Dervishi është publicist dhe lector i Gazetarisë Investigative nè Universitetin e Tiranës