Duke qenë se sfida e përballjes me korrupsionin e lartë përfshin përballjen me individë të fuqishëm të cilët kanë një rrjet të fortë mbështetësish dhe bashkëpunëtorësh dhe që duan të mbrojnë interesat e tyre me çdo çmim, është mëse e nevojshme të veprohet sistematikisht dhe nga një front më i gjerë social.

 

Lence Ristoska

Korrupsioni i lartë është një fenomen ndërkombëtar që ka të njëjtën formë në çdo vend. Përgjithësisht karakterizohet nga përfshirja e subjekteve të profilit të lartë, nga nivele të larta politike, shtetërore, financiare, ekonomike, mediatike, dhe madje edhe gjyqësore të shoqërisë. Ndërveprimi midis këtyre pjesëmarrësve në fushën e korrupsionit po evoluon në veprime me teknologji të lartë, të shpërndarë gjeografikisht që duhet të adresohet siç duhet.

Marrëveshjet midis zyrtarëve dhe biznesmenëve, shkëmbimi i pushtetit për para, abuzimi i pushtetit zyrtar për përfitime private dhe tregti influence janë vetëm disa nga shembujt të cilët tregojnë se korrupsioni i lartë është një fenomen nga i cili përfitojnë të gjithë ata që përfshihen në aktivitete korrupsioni. Këtu qëndron interesi i të gjitha palëve të përfshira për ta mbajtur korrupsionit të fshehur në arkivat e tyre private, kështu që nuk është e pazakontë që ata ta përdorin pushtetin për të shkatërruar provat, për të ndikuar tek dëshmitarët dhe për të bërë presion dhe për të ndikuar tek autoritetet anti-korrupsion.

Në të njëjtën kohë, qarqet ku ndodh korrupsioni i lartë kanë informacione sesi mund të keqpërdoren mundësitë ligjore, kështu që për të mbuluar aktivitetet korruptive dhe të ardhurat nga korrupsioni, mund të vërejmë dukurinë e përdorimit të subjekteve ligjore të krijuara në juridiksione të huaja, transaksioneve përmes llogarive të huaja bankare, kontratave fiktive për punime dhe shërbime, regjistrimin e pronësisë në emrin e një personi tjetër, etj.

Të gjitha këto aspekte e bëjnë shumë të vështirë hetimin dhe provimin e krimeve të korrupsionit, ndaj autoritetet ligj zbatuese po përballen me nevojën për të ndryshuar qasjen e hetimit dhe për të dalë përtej praktikave të vendosura.

Qasja moderne ndaj hetimeve të korrupsionit përfshin gjetjen dhe analizimin e një sasie të madhe provash rrethanore, indeksimin dhe krahasimin e tyre, kryerjen e investigimeve të thella financiare, gjurmimin e pastrimit të parave dhe origjinës së pasurisë. Për agjencitë ligj zbatuese është veçanërisht e rëndësishme që të kenë në dispozicion burime dhe kapacitete teknike dhe njerëzore që lehtësojnë hetimin e rasteve të korrupsionit, të jenë të ndërlidhura dhe të shkëmbejnë lehtësisht informacione, si dhe të kenë lidhje me organizatat dhe rrjetet profesionale ndërkombëtare  që mund të ndihmojnë në dhënie informacioni dhe provash që gjenden në vendet e huaja.

Megjithatë, për ndikime të dukshme dhe afat gjata në luftën kundër korrupsionit të lartë, përpjekjet politike për të luftuar korrupsionin duhet të dalin nga karakteri aktual deklarativ dhe të fokusohen tek tejkalimi i mungesës së profesionalizmit që vjen nga anshmëria e punonjësve të cilët pengojnë luftën kundër korrupsionit, injorojnë nevojat e buxhetit të institucioneve kryesore përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, tek anakronizmi dhe prapambetja teknologjike, si dhe mungesa e ndërveprimit të  institucioneve. Në të njëjtën kohë, duke qenë se sfida e përballjes me korrupsionin e lartë përfshin përballjen me individë të fuqishëm të cilët kanë një rrjet të fortë mbështetësish dhe bashkëpunëtorësh dhe që duan të mbrojnë interesat e tyre me çdo çmim, është mëse e nevojshme të veprohet sistematikisht dhe nga një front më i gjerë social. Ky front duhet të kontribuojë për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth ndikimeve negative të korrupsionit dhe për të ndërtuar dhe ushqyer standarde profesionale, morale dhe etike me anë të promovimit të transparencës, kurajos, ruajtjes së integritetit.

 

 

Lence Ristoska është prokuror publik në Zyrën e Prokurorit Publik në Shkup dhe prokuror publik për marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut në Eurojust.