Nevoja për financim të shpejtë (nganjëherë edhe brenda ditës) dhe shpeshherë edhe mosplotësimi i kushteve ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë t’i drejtohen te institucionet financiare jobanka që kanë interesa më të larta kredie sesa bankat.

 Kreshnik Kuçaj

Shqipëria po bëhet gati të aplikojë një masë të re në fushën e kreditimit. Për herë të parë, Banka e Shqipërisë ka miratuar një ndryshim në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” që synon të mbrojë individët nga praktikat abuzive të bankave dhe të institucioneve kredituese jobanka. Ndryshimi i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në 1 shtator të këtij viti, siguron praktika të drejta në treg, në lidhje me nivelin e normave të interesit, si dhe të kamatëvonesave dhe penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore. Aplikimi i kësaj mase do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm dhe ka në fokus kreditë e reja.

Ndryshimet vendosin një nivel maksimal të normës efektive të interesit që do të aplikohet në marrëveshjet e reja të kredisë konsumatore si dhe vendosjen e një niveli maksimal prej 30% të penaliteteve dhe kamatvonesave në raport me detyrimin kontraktor të mbetur, me qëllim shmangien e niveleve të tepruara të penaliteteve dhe kamatvonesave të akumuluara, që do të përkeqësonin më tej gjendjen financiare të klientit dhe aftësinë e tij për të paguar në kohë detyrimet.  Rregullorja do të ndihmojë në kufizimin e praktikave abuzive në treg dhe të kontribuojë në rritjen e transparencës.

Vendimi vjen kur në Shqipëri kanë nisur të njohin terren të konsiderueshëm institucionet e mikrofinancës, pra institucione financiare jobanka që japin kredi me kushte më lehtësuese sesa bankat por me kritere më të lehta. Nevoja për financim të shpejtë (nganjëherë edhe brenda ditës) dhe shpeshherë edhe mosplotësimi i kushteve ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë t’i drejtohen te institucionet financiare jobanka që kanë interesa më të larta kredie sesa bankat. Mungesa e rregullave të qarta për këtë mënyrë financimi, moskufizimi i masës së penaliteteve apo i nivelit të intereresave si dhe kultura financiare shpesh e dobët, ka bërë që shumë qytetarë të pësojnë. Banka e Shqipërisë e pranon se vendimi vjen pas ankesave të shumta për praktika abuzive nga këto institucione.

Normat e larta të interesit në këto institucione vijnë se ato ndjekin procedura më të shpejta për të dhënë kredi dhe nuk kryejnë analiza risku sikurse bankat. Nga ana tjetër, ato kanë edhe risk të lartë për kthimin e kredisë e si rrjedhojë për të siguruar fitim, aplikojnë norma të larta interesi.

Për të vlerësuar gjendjen financiare, përdorimin dhe ngarkesën e borxhit tek  ndërmarrjet, çdo vit Shqipëria përdor një vrojtim periodik që Banka e Shqipërisë e kryen  në bashkëpunim me Institutin e Statistikave.

Referuar të dhënave të publikuara, rezulton se familjet, dhe bizneset janë të lidhura varësisht nga kredia e si rrjedhojë çdo lëvizje në politikën e kreditimit ndikon ndjeshëm në ecurinë e tyre.

Të dhënat nga vrojtimi mbi gjendjen financiare të tyre tregojnë se rreth 24% e familjeve kanë një hua për të paguar, në rreth 3/4 e tyre pagesa e borxhit nuk e kalon nivelin 30% të të ardhurave mujore.

Rreth 40% e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve huamarrëse (76%) deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave të tyre.

Gjatë gjashtëmujorit të parë 2021, bankat raportojnë se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 66,978 aplikime për kredi. Rreth 7% i përkasin sektorit të ‘ndërmarrjeve’ (3,296 aplikime nga ‘ndërmarrje të vogla dhe të mesme’ dhe 1,616 aplikime nga ‘ndërmarrje të tjera’), dhe 93% i përkasin sektorit të ‘individëve’ (62,083 aplikime).

Krahasuar me një vit më parë, kjo strukturë është zhvendosur në favor të klientëve ‘individë’. Në  totalin  e  aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 16.1% e tyre janë refuzuar nga bankat.

 

 Kreshnik Kuçaj, është gazetar dhe studiues i historisë ekonomike