Fakti që edhe në vitin 2021, Shqipëria është e kanabizuar, që tonelatat e drogës vërshojnë jashtë kufijve, që trafikantët kanë lejen dhe bekimin e qeverisë e të zyrtarëve të saj, që milionat e pista të gjeneruara po pastrohen në ndërtim dhe ekonomi, është tregues se politika shqiptare nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim.

Koço Kokëdhima

Projekti im për ekonominë legale të kanabisit ka gati 7 vite që është bërë publik. Ajo që propozova më 20 nëntor 2014, në Kuvendin e Shqipërisë, nuk synonte lavdinë dhe pasurinë time personale, por projekti për zhvillimin dhe pasurimin e vendit dhe të shqiptarëve.

Prej shumë vitesh dhe gjithnjë e më tepër, bota po e përdor kanabisin në të mirë të njerëzimit. Mbi 30 shtete kanë legalizuar kanabisin rekreativ dhe harta vijon të zgjerohet, ndërsa ekonomia e tij pas 5 vitesh pritet të shkojë 100 miliardë dollarë. Vetëm politikanët shqiptarë vazhdojnë ta refuzojë këtë ekonomi për vendin, sepse e duan kanabisin vetëm si burim të mirash për mafien e pushtetin dhe si burim të këqijash për rendin, sigurinë, qytetarët dhe shtetin.

Vizioni im për ekonominë botërore të kanabisit përkon me tezën progresive të shumicës së opinionit publik, i cili e mbështet projektin që Shqipëria të garantojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj për të përdorur kanabisin dhe të gjitha ilaçet që burojnë prej tij për trajtimin efektiv të mbi 170 sëmundjeve, që nuk kanë mjekime me medikamente alternative; që Shqipëria të kultivojë kanabis për eksport, për shkak se industria e kanabisit farmaceutik në botë është një industri shumë miliardëshe dhe vendi ynë ka ende mundësi të përfitojë nga kjo industri; që vendi ynë, edhe pse ilegalisht, ka prodhuar në gjithë këto vite kanabis me cilësi të lartë dhe të njohur në Evropë; që një politikë e drejtë dhe largpamëse mund të rikuperojë pjesërisht e minimalisht dëmet e mëdha që ju bënë Shqipërisë duke e privuar nga ekonomia botërore e kanabisit legal.

Ne e hapëm këtë debat të parët në rajon dhe, ndërsa vendet fqinje po ecin përpara, Shqipëria vetëm humb kohë. Unë fajësoj për këtë zyrtarët e lartë të qeverisë dhe lidershipin e Opozitës, që janë të implikuar në interesat e kultivimit dhe trafikimit ilegal të kanabisit, për përfitime politike dhe financiare.

Deklarata demagogjike e Qeverisë një vit më parë për të legalizuar kanabisin mjekësor forcoi bindjen time se ajo ishte diktuar nga paniku në rritje që krijoi situata shumë e rëndë ekonomike dhe financiare e vendit, pas tërmetit, pandemisë dhe rrënimit të buxhetit të shtetit prej PPP-ve, koncesioneve dhe borxheve.

Në realitet Shqipëria duhet bërë sa më parë pjesë e hartës botërore të ekonomisë legale të kanabisit, ndryshe vendi do të mbetet deri në fund jashtë kësaj ekonomie të rëndësishme që na sjell vetëm përfitime, me thithjen e investimeve e hapjen e vendeve të reja të punës, fuqizimin e shtetit dhe të qytetarëve, largimin e përdoruesve nga trafikantët duke dobësuar mafien e kanabisit dhe duke u dhënë ilaçe pacientëve.

Fakti që edhe në vitin 2021, Shqipëria është e kanabizuar, që tonelatat e drogës vërshojnë jashtë kufijve, që trafikantët kanë lejen dhe bekimin e qeverisë e të zyrtarëve të saj, që milionat e pista të gjeneruara po pastrohen në ndërtim dhe ekonomi, është tregues se politika shqiptare nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim, se ajo dhe mafia e kanabisit janë shkrirë në një biznes të përbashkët, duke sakrifikuar interesat e zhvillimit të vendit dhe të popullit.

Shqipëria nuk e ka luksin që të bëjë fushatë demagogjike me ekonominë kombëtare të kanabisit, apo t’ia lerë në dorë deri në fund këtë potencial eksponentëve të trafikut ilegal të kanabisit dhe klientëve të qeverisë. Ajo duhet ta hartojë dhe implementojë këtë projekt në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, duke patur si modele ato që janë zhvilluar me sukses në Kanada dhe Gjermani.

Gjatë kësaj dekade, e gjithë bota demokratike do ta ketë legalizuar kanabisin rekreativ dhe ne, më shumë se të tjerët, kemi nevoja dhe arsye më të shumta që ta bëjmë sa më shpejt legalizimin e ekonomisë së kanabisit për qëllime mjekësore dhe rekreative.

 

Koço Kokëdhima është ish-deputet i Partisë Socialiste; ai ka zhvilluar një fushatë për legalizimin e Kanabisit në Shqipëri