Informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi problematikat e ndotjes së ajrit do ti motivonte ata për tu përfshirë në një betejë të përbashkët për ajër të pastër në rrugën, lagjen, fshatin dhe qytetin e tij/saj në Ballkanin Perëndimor.

Kledisa Cela 

 Instituti për  Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (IMMT) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në Mars 2014. IMMT bashkëpunon me ekspertë në fushën e mjedisit, territorit dhe fushave të tjera të ngjashme për të promovuar menaxhimin mjedisor dhe territorial në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar në përputhje me standardet moderne të zhvillimit të qëndrueshëm.

Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit ka si vizion zhvillimin e qëndrueshëm, drejtësinë mjedisore, menaxhimin territorial, transparencën dhe pjesëmarrjen demokratike. IMMT promovon pastërti, shëndet dhe qëndrueshmëri për mjedisin.

Strategjitë kryesore të organizatës për arritjen e qëllimit dhe përmbushjen  e misionit të saj janë:

  • kryerja e kërkimeve në fushën e menaxhimit të mjedisit e territorit për zhvillimin e studimeve në këtë fushë;
  • promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet pjesëmarrjes publike;
  • zhvillimi dhe implementimi i politikave të mjedisit dhe territorit;
  • promovimi i aktiviteteve në Shqipëri dhe jashtë  saj që synojnë  sidomos njohjen dhe përvetësimin në masë të normave dhe standarteve  ndërkombetare në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të  qëndrueshëm territorial;
  • ndërgjegjësimi i publikut në çështjet e mjedisit nëpërmjet programeve edukuese;
  • përfshija dhe inkurajimi  i të rinjve në fushën e mjedisit dhe në programet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare;

IMMT është një organizatë mjaft aktive dhe disa nga projektet kryesore që ka zbatuar gjatë viteve të fundit janë:

“Youth Agro-Entrepreneurship Project”,  financuar nga Bashkimi Europian, Programi Erasmus +

“Për një mjedis të pastër dhe komunitet të ndërgjegjësuar në Bashkinë e Librazhdit”,  financuar nga UNDP.

“Vlerësimi i kapacitetit të pushtetit lokal mbi përshtatjen ndaj ndryshimeve klimaterike”, financuar nga Co Plan.

“Ajër i pastër për një qytet të Qëndrueshëm”, financuar nga UNDP.

“Circular Economy into Art through Ecodesign”, finacuar nga Bashkimi Europian, Programi Erasmus +.

Së fundmi, IMMT është bashkuar në fushatën rajonale “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, e iniciuar  nga European Fund for the Balkans në  bashkëpunim me organizata të tjera partnere në  Ballkanin Perëndimor.

Problemet e shkaktuara nga ndotja e ajrit, numri i lartë i vdekjeve të parakohshme dhe nevoja për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër ishin disa nga arsyet pse IMMT vendosi të jetë pjesë e kësaj nisme rajonale.

Fushata “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” ka vetëm një qëllim, atë të informimit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mbi shkaqet dhe pasojat e ndotjes së ajrit dhe zgjidhjet e mundshme që do të përmirësonin cilësinë e ajrit. Informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi problematikat e ndotjes së ajrit do ti motivonte ata për tu përfshirë në një betejë të përbashkët për ajër të pastër në rrugën, lagjen, fshatin dhe qytetin e tij/saj në Ballkanin Perëndimor.

Nëpërmjet kësaj fushate rajonale, IMMT beson se qytetarët në Ballkanin Perëndimor kanë potencialin, njohuritë dhe kapacitet të mjaftueshëm për të punuar së bashku dhe të solidarizohen, në zgjidhjen e çështjes së ndotjes së ajrit.

 

Kledisa Cela, diplomuar për Inxhinieri Mjedisi në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe që pas studimeve master ka qenë pjesë e organizatës ETMI. Ajo ka mbështetur ETMI për koordinimin e disa projekteve që synojnë të fuqizojnë të rinjtë në projekte të zhvillimit të qëndrueshëm.