Në implementimin e procesit të integrimit, problemet me të cilat është përballur Shqipëria, nisin me mungesën e një demokracie funksionale, mungesën e shtetit të së drejtës, ekonominë që konsumon vetveten pa prodhuar asgjë dhe mentalitetin autokrat qeverisës.

Klajda Gjosha

Integrimi Evropian i Shqipërisë ka përshkruar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme, 29 vjeçare. Pavarësisht pozicionimit të qartë të Shqipërisë, për t’ju bashkuar vlerave dhe familjes evropiane, vështirësitë kanë qënë nga më të ndryshmet, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në rrugëtimin me labirinte të vetë projektit të BE mbi zgjerimin.

Në implementimin e procesit të integrimit, problemet me të cilat është përballur Shqipëria, nisin me mungesën e një demokracie funksionale, mungesën e shtetit të së drejtës, ekonominë që konsumon vetveten pa prodhuar asgjë dhe mentalitetin autokrat qeverisës. Këto, e kanë b rë thuajse të pamundur edukimin e qytetarëve tanë me sjelljen evropiane. Shqiptarët janë evropiane në vlera dhe në shpirt, për sa kohë kanë jetuar prej vitesh në shumë vende të BE, dhe janë integruar më së miri, duke qenë ambasadorët tanë më të mirë. Por sa të ndërgjegjësuar janë qytetarët që jetojnë në Shqipëri mbi përgjegjësitë e secilit kur të jemi pjesë e BE-së! A janë tërësisht të vetëdijshëm se procesi i integrimit evropian nënkupton para së gjithash, nevojën për një sërë ndryshimesh të thella, transformim dhe reformim? Madje dhe për sa i takon raporteve të qytetarit me shtetin dhe ligjin, me kulturën e respektit të institucioneve dhe vetë funksionimit të shtetit.

Polarizmi politik ekstrem, dobësia e institucioneve të pavarura, veçanërisht sistemit të drejtësisë, paaftësia për arritjen e kompromisit, polarizimi ekstrem ekonomik e social, korrupsioni, margjinalizimi gjithnjë e më i dukshëm i grupeve e zonave të caktuara, janë përkthyer gjithmonë  në pengesa serioze për një zhvillim normal të vendit. S’ka dyshim se të gjitha këto përbëjnë sot sfida madhore që duhen përballuar, në mënyrë që vendi të ecë përpara me procesin e integrimit.

Rrugëtimi ynë është i lidhur ngushtë edhe me vendet e rajonit, sidomos me Maqedoninë e Veriut.  Ndërkohë që këto vende kanë pasur problematika të jashtme të  mbartura në nivel dypalësh, Shqipëria për fat të keq ka qënë e ndëshkuar nga problemet e saj të brendshme. Kjo ka shkaktuar edhe tërheqje të vendeve ndaj njëra tjetrës qoftë ajo për përparim të procesit apo edhe bllokim të tij. Kosova e ka të kushtëzuar procesin për shkak të Serbisë. Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese mes Kosovë dhe Serbisë do të normalizonte marrëdhëniet dhe do të çonte drejt një njohje të ndërsjelltë mes vendeve, është ajo ç’ka nevojitet për anëtarësimin e të dy vendeve. Shqipëria e ka të lidhur fatin me Maqedoninë e Veriut dhe është për të ardhur keq që një vend që sakrifikoi gjithçka deri në ndryshim të identitetit të tij, është detyruar të presë Shqipërinë në plotësimin e 15 kushteve, që mbahen peng nga politika e polarizuar dhe papërgjegjshmëria e lidershipit qeverisës. Duke mos mjaftuar pritja për Shqipërinë, BE si gjithmonë vazhdon të shfaqë problematika që zgjohen herë pas here, sic është edhe rasti I bllokimit të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut për cështjen e gjuhës Bullgare.

Të gjitha këto çështje që duken si normale dhe të zgjidhshme, në fakt sjellin një rrezik të madh përtej vonesave që shkaktojnë në procesin e integrimit. Ato sjellin konflikt dhe rrezikojnë në mënyrë të vazhdueshme stabilitetin në rajon dhe në BE. E vetmja zgjidhje efektive do të ishte çelja e një drite jeshile për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit, si një ndër projektet më të suksesshme të Unionit. Rikonfirmimi i perspektivës evropiane nëpërmjet miratimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe çeljes së kapitujve negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do t’i jepte një frymëmarrje procesit, duke kthyer besimin tek qytetarët tanë por edhe do të zhvillonte më tej marrëdhëniet mes rajonit dhe BE!

 

Klajda Gjosha ka shërbyer si Zëvendësministre e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabartan, 2013 zgjidhet Ministre e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë, detyrë që e ka ushtruar deri në vitin 2017.