Si politikane femra, besoj se përballemi me sfida që na godasin emocionalisht dhe na shqetësojnë, ndonjëherë na trondisin dhe shumë herë, na bëjnë të tërhiqemi në mënyrë të pavetëdijshme përpara agresionit ose thjeshtësisë së disa “kolegëve” meshkuj, të cilët sigurisht nuk kanë vend në politikë.

Jana Belcheva Andreevska

Në botë ka pikëpamje dhe stereotipe të ndryshme në lidhje me faktin se kush përfshihet në politikë. Disa thonë se njerëzit që kanë një profesion, punojnë në profesion, dhe ata që nuk e kanë, i hyjnë politikës.  Për disa, politika është një aktivitet i kufizuar në kohë, derisa ti bëjnë idetë e tyre realitet ose të zhgënjehen dhe ta lënë atë përgjithmonë.     Për disa të tjerë është një angazhim dhe për shumicën e grave në politikë, është një ideologji që plotësohet nga altruizmi dhe nevoja për t’u kujdesur dhe për të ndryshuar botën për më mirë.

Shpesh mendoj se gratë kanë pasur ndikimin e tyre politik edhe kur nuk ishin të përfshira, por ishin të dukshme; kur shprehnin aspiratat dhe pikëpamjet e tyre për të drejtën ose të gabuarën në shtëpi, në bashkësitë e tyre më të vogla ose më të mëdha.  Gratë që ngrinin zërin dhe ishin të guximshme ishin gjithmonë “ngjitëse”, guximi i tyre transmetohej dhe përfshinte dhe përkrahës të rinj. Ose, siç thotë shkrimtarja amerikane Maja Anxhelou: Sa herë që një grua ngre zërin për vete, ndoshta pa e ditur dhe pa e pretenduar, por, ajo e bën për të gjitha gratë.

Për të gjitha gratë, përfshirja aktive në politikë lidhet gjithashtu me mbështetjen që ato kanë në shtëpi.   Mjedisi mbështetës nuk është i zakonshëm. Ai gjithashtu është një privilegj dhe ka të bëjë me situatën ekonomike, arsimin dhe emancipimin, ndarjen e përgjegjësive dhe detyrimeve dhe lirinë.  Kjo është arsyeja pse është edhe më e rëndësishme për të gjithë ne që jemi të përfshirë në politikë të jemi zëri i të gjitha grave, i nevojave të tyre, i lirive të tyre, i arsimimit dhe dinjitetit të tyre.

Unë jam një nga ata që hynë në politikë në të dyzetat, në një kohë kur fillova të mendoj se dinjiteti ynë nuk është i rëndësishëm për ata që ndjekin dhe krijojnë politikat lokale.  Nuk mund të besoja se dikush pranon të jetojë në kushte jo dinjitoze, çnjerëzore dhe me cilësi të dobët dhe se ky duhej të ishte një mjedis “normal” për fëmijët tanë. Unë ende mendoj se ajo që është e mirë, e bukur, normale dhe cilësore duhet të bëhet pjesë e jetës së fëmijëve të mi, fëmijëve tuaj, të të gjithë fëmijëve në mjedisin tonë; ata nuk duhet të mësohen me “anormalen”, duke e pranuar atë si të pashmangshme. Si inxhiniere dhe një grua e fiksuar pas numrave dhe njohurive mbi të dhënat hapësinore, unë vendosa të shikoja të dhënat publike ta studimit mbi planin e propozuar urbanistik për lagjen ku jetoj.

Unë hyra në politikën lokale si një mbështetëse e flaktë e njerëzve, e nevojave të tyre, e më të rinjve dhe më të moshuarve, e shumicës, por edhe më shumë e grupeve të margjinalizuara dhe pakicës. Ne nuk duhet ta tradhtojmë idealizmin, edhe pse zhgënjimet tona janë të përditshme.  Edhe shpresa është disiplinë, siç shkruan Rumena Buzharovska.

Si politikane femra, besoj se përballemi me sfida që na godasin emocionalisht dhe na shqetësojnë, ndonjëherë na trondisin dhe shumë herë na bëjnë të tërhiqemi në mënyrë të pavetëdijshme përpara agresionit ose thjeshtësisë së disa “kolegëve” meshkuj, të cilët sigurisht nuk kanë vend në politikë. Megjithatë, zhgënjimi ishte më i madh kur, në vend që të merrja mbështetje, u sulmova nga gratë për guximin, vendosmërinë ose papajtueshmërinë time.   Rishqyrtimi i vendimeve dhe dyshimi për korrektësinë i kushtoi Sokratit jetën, por pas gati 3.000 vjetësh, na la me një përfitim qytetar që reflektimi dhe debati i japin më shumë vlerë marrjes së vendimeve më të mira. Të tërhiqesh nga debati për shkak të agresivitetit të kundërshtarëve do të thotë ta humbasësh atë vlerë qytetare, prandaj u bëj thirrje të gjitha grave në politikë të qëndrojnë fort dhe me guxim dhe të mos heshtin.

 

Jana Belcheva Andreevska, Këshilltare e Këshillit Bashkiak Lokal në Shkup