Rënia e trafikut të turizmit prej 85% vitin e kaluar nxori në pah të gjitha dobësitë e ekonomisë malazeze.

dr Ivo Zupanoviç

 Rënia prej 85% e trafikut të turizmit, e shkaktuar kryesisht nga pandemia e COVID-19, ndikoi ndjeshëm në realizimin e përgjithshëm të PBB-së, duke shkaktuar një rënie prej 15%.  Vetë fakti që turizmi dhe ndikimi i tij në fusha të tjera përbën rreth 25% të PBB-së së përgjithshme të Malit të Zi flet shumë kur bëhet fjalë për aspektin makroekonomik të ekonomisë.  Duke marrë parasysh efektet e mësipërme negative ekonomike në nivelet makro dhe mikro, në mënyrë që të ulet ndikimi në ekonominë malazeze në të ardhmen e afërt, është e nevojshme të veprohet si më poshtë:

 

  • Të diversifikohen aktivitetet ekonomike: Faktet e përmendura më lart tregojnë se në të ardhmen është e nevojshme të krijohet një strukturë tjetër ekonomike dhe të bëhet një diversifikim shumë më i madh, me shumë më pak mbështetje te sektori i shërbimeve, për të qenë më elastik ndaj goditjeve të jashtme. Kjo mund të arrihet në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, me zhvillimin paralel të ekonomisë së gjelbër, sektorit të energjisë dhe bujqësisë.

 

  • Të përmirësohet gjendja e trafikut:  Nga perspektiva e sistemit turistik, ne duhet të punojmë vazhdimisht për qasjen në trafik. Vendet që arritën të zëvendësonin udhëtimet ajrore me trafikun rrugor patën një rezultat të mirë gjatë pandemisë – për shembull, Kroacia (37.49% mbërritje ose 50.05% qëndrime për një natë krahasuar me vitin 2019). Rreth 60% e tregjeve kryesore ishin nëpërmjet trafikut rrugor.  Varësia nga trafiku ajror është ndjerë nga një sërë vendesh, si; Spanja, Qipro, Turqia dhe disa pjesë të Kroacisë të cilat mbështeten te transporti ajror, si; Zona Dubrovnik-Neretva, ku ka pasur një rënie prej 80% të turistëve.

 

  • Forcimi i tregut të turizmit të brendshëm: Ne kemi nevojë të fokusohemi më shumë në tregun e turizmit të brendshëm, pasi 5.13% që është aktualisht nuk është i mjaftueshëm.  Sigurisht, për shkak të strukturës së kërkesës turistike, tregu i brendshëm nuk mund të jetë bartës i trafikut turistik, por ka potencial që të paktën të dyfishojë kontributin e tij.  Në këto kohë krize, është pikërisht tregu i brendshëm ai që ka sjellë stabilitet në zona të caktuara.  Marrim shembullin e Shqipërisë, e cila arriti 45% të turistëve krahasuar me vitin 2019, 51% e të cilave ishte trafik turistik i brendshëm.

 

  • Njohja e tregjeve kryesore Bazuar në trafikun turistik për sa u përket vizitorëve në vitin 2019, duhet theksuar se tregjet e BE + Britani e Madhe përbënin 35% të turizmit, tregjet rajonale 34% dhe Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina 17%. Do doja të theksoja se ne nuk duhet të neglizhojmë tregun e BE-së për shkak të pandemisë. Përkundrazi, duhet të bëhen përpjekje dhe të forcohen kontaktet dypalëshe për ti ruajtur këto tregje, kryesisht për shkak të ardhurave shumë më të konsiderueshme krahasuar me tregjet rajonale – dhjetë vendet e para të BE-së kanë një vlerë 5 deri në 7 herë më të lartë për sa i përket fitimit neto krahasuar me tregjet e rajonit. Sigurisht, tregjet rajonale janë tregjet tona tradicionale që garantojnë stabilitet edhe në këto kohë krize. Kur bëhet fjalë për tregun rus, mendoj se duhet një aktivitet i fortë dypalësh që kompanitë më të mëdha ajrore të fillojnë dhe më pas të intensifikojnë trafikun drejt Malit të Zi.

 

  • Protokollet shëndetësore: Përpjekjet e shtetit për të mbuluar kostot e testimit të vizitorëve të huaj për kovid, si dhe trajtimin e COVID-19, janë për t’u vlerësuar. Duke parë fqinjët tanë në Kroaci, duhet të marrim parasysh mundësitë që ata ofrojnë, për shembull, që qeveritë lokale mundësojnë strehimin e personave që duhet të izolohen ose karantinohen, si dhe mbulimin e kostove të mundshme, siç bën komuna e Braçit. Edhe protokollet e turizmit të lundrimit dhe atij malor duhet të jepen në mënyrë më të detajuar.

 

 

Prof. dr Ivo Zupanoviç, ekspert në fushën e turizmit, autor i mbi 40 punimeve të botuara dhe tre teksteve shkollore universitare.  Profesor në ciklet universitare dhe pasuniversitare në Malin e Zi