Kriminalizimi i përdorimit të drogës ka provuar se është rruga e gabuar. Duhet një qasje krejtësisht e re për përdorimin e substancave psikoaktive, duke vënë theksin për një qëndrim ndryshe ndaj njerëzve që i përdorin ato.

Ivana Vujovic

Pothuajse një në pesë persona të moshës 15 deri 24 vjeç në Mal të Zi e ka provuar kanabisin. Kjo doli nga një studim i vitit 2017 i drejtuar nga Instituti i Shëndetit Publik bazuar mbi një kampion përfaqësues qytetarësh mbi 15 vjeç

Duke marrë parasysh se ky lloj studimi ka tendencë të ulë numrin aktual të popullsisë që ka provuar ose që përdor rregullisht substanca të paligjshme, mund të supozojmë se ky numër është edhe më i lartë. E thënë ndryshe, të paktën 16,000 të rinj në Mal të Zi, të moshës 15 deri 24 vjeç, kishin kontakte të drejtpërdrejta ose indirekte me tregun e substancave të paligjshme. Po të shohim kategori të tjera moshe, pjesa e popullsisë që dikur e ka përdorur ose vazhdon ta përdorë kanabisin është në rënie, megjithëse mbetet relativisht e lartë.  Hulumtimi mbi nxënësit e shkollave të mesme ka treguar se fëmijët përdorin dhe marijuanë.

Kriminalizimi i përdorimit të drogës ka provuar se është rruga e gabuar. Duhet një qasje krejtësisht e re për përdorimin e substancave psikoaktive, duke vënë theksin për një qëndrim ndryshe ndaj njerëzve që i përdorin ato . ‘Lufta kundër drogës’ ka sjellë një sërë problemesh, përfshij një qëndrim jashtëzakonisht stigmatizues ndaj atyre që i përdorin atë, gjë që e ka bërë  çështjen shumë më të komplikuar dhe pasojat më tragjike. Mënyra se si trajtohet përdorimi i gjerë i substancave psikoaktive, si dhe kuptimi i arsyeve të ndryshme pse njerëzit i konsumojnë ato nuk bëhet në mënyrë të ndershme dhe humane.

Duhet të dekriminalizohet përdorimi dhe mbajtja e drogës për përdorim personal dhe të legalizohet përdorimi i marijuanës. Kjo do të zvogëlonte kontaktet e një numri të madh njerëzish me aktivitetet e paligjshme, si dhe do të lehtësonte punën e policisë, prokurorëve, gjyqësorit dhe burgjeve. Një numër i madh njerëzish janë dënuar për mbajtjen e një sasie të vogël kanabisi, ose për një pjesëmarrje shumë të vogël në shpërndarjen e tij, shpesh në rininë e tyre të hershme. Dëmi i privimit të lirisë së këtyre personave ishte më i madh sesa përfitimet e perceptuara të shoqërisë.  Marijuana sigurisht që vazhdon të gjendet ngado.

Realiteti duhet pranuar ashtu siç është dhe, nëpërmjet përdorimit të kontrolluar, të ulen pasojat e dëmshme të përdorimit të substancave psikoaktive, si dhe të njihet dhe mundësohet përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore.

Sigurisht, legalizimi i përdorimit dhe kultivimit të marijuanës duhet të kryhet me shumë kujdes, madje në mënyrë graduale. Ky proces nuk është i shpejtë dhe i lehtë dhe kërkon përfshirjen e një game të gjerë të grupeve të interesit, përfshij vetë përdoruesit.

Produktet e duhanit nuk kanë efekte pozitive në shëndet, por ato janë të ligjshme.  Ndalimi me ligj i përdorimit të duhanit do të bënte më shumë dëm sesa mund ta imagjinojmë.  Ndalimi i përdorimit të alkoolit nuk e bëri atë të përdorej më pak, por të jetë më të rrezikshëm. Nëse heqim një paralele me marijuanën, mund të arrijmë në përfundime të ngjashme. Duhet të hapet një debat i sinqertë si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal, duke marrë parasysh tregjet e ngjashme.  Një kontroll i përpiktë ligjor gjithashtu duhet të ulë pasojat negative të përdorimit të kanabisit.

Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Drogat Narkotike, bazuar në një propozim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një studim të kryer nga një komision i përbërë nga ekspertët më të mirë të drogave, e hoqi kanabisin dhe rrëshirën e kanabisit nga kategoria e narkotikëve të rrezikshëm dhe e vendosi atë në një kategori me regjim kontrolli shumë më fleksibël.  Kjo pikëpamje nuk ofron një bazë për legalizimin global të kanabisit, por është një sinjal pozitiv për regjistrimin e substancës për qëllime mjekësore. Në qëndrimet për sa i përket kanabisit, ka pasur një ndryshim të përgjithshëm dhe kjo dëshmohet nga fakti se në shumë vende europiane, si dhe në 36 shtete të SHBA-së, është legalizuar përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa në 17 shtete federale lejohet përdorimi i marijuanës për qëllime rekreative.

Kombet e Bashkuara mbështesin qëndrimin se përdorimi i kanabisit nuk është pa ndikime të dëmshme, dhe ne në Juventas besojmë se përdorimi i kësaj substance është akoma më i dëmshëm kur përdoruesi në fakt nuk e di se çfarë po konsumon.

 

Ivana Vujovic, drejtoreshë ekzekutive e Juventas-it, organizatë joqeveritare që kontribuon në përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë