Kushdo që e njeh potencialin e madh të turizmit në komunën e Leposaviq-it do të vinte në dukje dhe qasjen sistematike ndaj këtij sektori, e cila është e nevojshme së bashku me një mbështetje konkrete nga pushteti lokal dhe institucionet e tjera kompetente.

Ivan Vuckovic

Shpresa për turizëm në shpatet jugore të malit Kopaonik ka ekzistuar për më shumë se gjysmë shekulli – që në vitin 1964, kur u ndërtua teleferiku i parë në anën veriore, dhe kur u bë e qartë se turizmi dimëror po gjallërohej dalëngadalë. Premtimi  përrallë për hotele dhe gondola në anën që i përket komunës së Leposavicit ende nuk është materializuar.   Ajo që mbetet është vetëm ideja e një potenciali të madh dhe premtime sporadike.

Të diturit do thoshin se ky rajon të magjeps me bukurinë e tij, i rrethuar nga dy male, Rogozna dhe Kopaoniku, që shtrihen përmes luginës së Ibrit, në një zonë të butë klimatike dhe me një bimësi të bollshme dhe të larmishme që plotëson tablonë. Të vetëdijshëm për pasurinë që i rrethon, një numër i madh njerëzish e shohin turizmin si një mundësi të shkëlqyer dhe ata bëjnë përpjekje për të hartuar informacioni dhe një sërë ofertash në mënyrë që të tërheqin klientët e shumëpritur.

Turizmi rural është një biznes i ri në këtë rajon.  Nebojsha Tanaskovic, nga fshati Josanica, rreth dhjetë kilometra nga Leposavici, rrëzë Rogoznës, guxoi të bënte një përpjekje që është gjithmonë në zhvillim e sipër. Për momentin, ai dhe familja e tij po ndërtojnë një vendbanim etnik, që mund të shijohet nga të gjithë ata që e duan natyrën dhe ushqimet – ai ofron një festë të vërtetë shtëpie me produkte të shëndetshme dhe kuzhinë tradicionale.    Nga ana tjetër, në fshatin Vuca, Jovan Miladinoviç krijoi një parajsë të vërtetë për adhuruesit e peshkimit, duke ndërtuar një liqen artificial të mbushur me peshq dhe çdo vit i shton ofertat duke ndërtuar mjedise të tjera të ndryshme.   Pikërisht fshati Vuca dhe banja me burime termale që i ka dhënë dhe emrin vendit, e cila përmendet prej vitesh si potenciali më i madh i kësaj komune veriore. Sipas studimeve dhe siç e konfirmon dhe eksperti i turizmit Nikola Radosavljevic, këto burime janë të pasura me squfur, të shkëlqyera për trajtimin e lëkurës dhe sëmundjeve reumatike, gjë që dëshmohet nga numri i vizitorëve që kthehen sërish. Fatkeqësisht mungon infrastruktura mbështetëse; përveç dy pishinave në banjën Vuca, nuk ka asgjë tjetër.

Disa vjet më parë, imazhi turistik i Leposavic dhe rrethinave të tij u plotësua kryesisht me vreshta të sapo krijuara me kantinat përkatëse, pronarët e të cilave po përpiqen të ringjallin traditën e vreshtarisë që kjo zonë kishte shumë dekada më parë.   Pikërisht për nga këto ide dhe ide të tjera të ngjashme me këto, turizmi në këtë komunë po merr një dimension tjetër, i cili sipas tyre, mund të bëhet shtylla kryesore e zhvillimit.

Fatkeqësisht, historia e turizmit mes Kopaonik-ut dhe Rogozna-s zbret në nivel individësh ose shoqatash, si Shoqata e Alpinizmit të Kopaonik-ut (Kopaonik Mountaineering Association), anëtarët e së cilës përpiqen t’ia paraqesin këtë zonë popullsisë së gjerë, duke u kujdesur sa më shumë të jetë e mundur për të ruajtur natyrën dhe për të zgjuar interesin brenda popullsisë së zonës, duke punuar për rritjen e vëmendjes së medias.

Kushdo që e njeh potencialin e madh të turizmit në komunën e Leposaviq-it do të vinte në dukje dhe qasjen sistematike ndaj këtij sektori, e cila është e nevojshme bashkë me një mbështetje konkrete nga pushteti lokal dhe institucionet e tjera kompetente. Në këtë kuptim, nuk kemi parë shumë lëvizje përtej strategjisë që është vendosur tashmë, por që për fat të keq është ende vetëm deklarative.   Mungojnë projektet specifike, infrastruktura e re, marketingu dhe popullarizimi në media, si dhe edukimi dhe ndërgjegjësimi, që është shumë i nevojshëm në këtë industri.

Mund të themi se pandemia ndoqi hapat e zhvillimit të turizmit në Leposavic, por nuk mund të mos përmendim që, hapat përpara nuk kanë qenë ndonjëherë të vendosur dhe energjikë.  Turizmi mbetet një shpresë, ndërsa turistët priten të vijnë.

 

Ivan Vuckovic, gazetar dhe publicist prej një kohe të gjatë