Asnjëherë nuk ka ndodhur të flitet më shumë për “ushqimin e shëndetshëm” ndërkohë që dihet më pak dhe ka besime e teori nga më të ndryshmet, edhe shkencore. Kjo do të thotë të jetosh në botën e superiformacionit dhe marketingut, të bëra bashkë.

 Iva Tiço

Të ngrejë dorën kush nuk ka postuar ndonjëherë një foto të vetme ushqimi në rrjetet sociale!

Me siguri nuk është prej këtij planeti, ku çdo gjë përpara sesa të shijohet, fotografohet dhe pastaj ndahet me të tjerët. Ushqimi dhe të folurit për ushqimin, ka qenë gjithmonë një temë shumë e dashur, por është kthyer në temën kryesore sidomos në periudhën AC, After Carantine, kur njerëzimi po endet mes shkollës që ka bërë si shef kuzhine kur ishte i detyruar të jetonte brenda katër mureve dhe diskutimit “si të heqim dhjamin e tepërt”, që ia dedikojmë qëndrimit në shtëpi dhe varovingove sobë – frigorifer.

Asnjëherë më shumë sesa sot nuk kanë qenë në modë fjalët “nutricioniste”, “dietologë”, “food blogger”, “guru ushqimi”. Agjensitë e marketingut pohojnë që pjesa më e majme e buxheteve të kompanive ushqimore dhe industrive që vërtiten rreth kuzhinës, tashmë shkon online dhe jo në mediat tradicionale, ndahet mes “influencerave”, vajza e gra, profesioniste ose jo, të cilat gatuajnë, fotografojne dhe postojnë fotografi të pjatave e shkruajne recetat. Shumë pak prej tyre përdorin termin “reklamë”: shumica e kalojnë si këshillë për ndjekësit e tyre. Sa më shumë formim afër marketingut të ketë influencuesja, aq më e fshehtë është reklama. Në kufij gati gati të padukshëm mes tyre tashmë enden dhe dietologet e vërteta me blogeret e ushqimit. Janë të detyruara edhe ato të ndajnë receta, për të mbajtur ndjekësit të mbërthyer pas faqes. Por ndonjëherë nuk i shpëtojnë as tundimit për të fituar edhe nga “torta” e reklamave, kryesoisht nëpërmjet futjes së produkteve “të shëndetshme” në këshillat e tyre. Sigurisht të sposorizuara.

Në mes janë ndjekësit. Nga të kuptojnë që një ushqim është vërtetë i shëndetshëm dhe një tjetër është “maskuar” si i shëndetshëm? Si ta kuptojnë që të jesh i shëndetshëm nuk do të thotë të jesh detyrimisht me barkun petë? Si ta bëjnë dallimin e një nutricionisteje dhe dietologeje, nga dikush që ka lexuar disa gjëra nëpër internet, apo ka ndjekur dhe ndonjë kurs dhe sot ka biznesin e vet?! Instagrami dhe mediat sociale në përgjithësi kanë vend për të gjithë dhe si zor se në një të ardhme të afërt do ketë ndonjë filtër përzgjedhes, një certifikatë besueshmërie. Por mjafton të ngremë pak antenat dhe e kuptojmë kollaj: Nëse flitet për regjim ushqimi me vakte të rreggullta, produkte të stinës, mospërjashtime të një x-ushqimi apo ngritje në qiell të një superushqimi, atëherë kemi të bëjmë një një profesioniste të shkolluar, që mund t’i besojmë. Nëse pastaj flitet për Keto, Fasting, dieta 7 ditore, Dieta kalorike, Detoks dhe gjithë ato artikuj që përmblidhen në titullin “Si të humbim x kilogramë në x ditë”, atëherë kemi të bëjmë me regjime ushqimore, që jo gjithmonë kanë të bëjnë me ‘të shëndetshmen”.

Duket pak e komplikuar, apo jo?! Sepse asnjëherë nuk ka ndodhur të flitet më shumë për “ushqimin e shëndetshëm” ndërkohë që dihet më pak dhe ka besime e teori nga më të ndryshmet, edhe shkencore. Kjo do të thotë të jetosh në botën e superiformacionit dhe marketingut, të bëra bashkë. Ndaj mënyra e vetme për të mbijetuar është të dëgjosh trupin, të lexosh sinjalet e tij dhe ti marrësh rrjetet sociale me pak rezerva: ndiq ato që të frymëzojnë dhe bëj si di vetë dhe siç të kanë mësuar dikur gjyshet, që gatuanin mrekulli e jetonin shëndetshëm, pa pasur në kuzhinën e tyre avokado e kuinoa dhe s’kishin dëgjuar kurrë për fasting.

 

Iva Tiço është gazetare prej gati 25 vitesh, autore e përkthyese dhe prej tre vitesh bashkëautore e një blogu ushqimi-  rozmarina.al