Unë personalisht jam larguar nga vendi im në kërkim të një arsimimi më të mirë.  Gjatë viteve të shkollës së mesme, kuptova që notat nuk kishin rëndësi, ishin njohuritë ato që më mungonin.      

Irnea Muhovic

Një nga vendimet më të vështira që kam marrë në jetën time ishte largimi nga familja dhe vendi im i lindjes për të studiuar jashtë vendit. Akoma edhe sot, ka momente kur e vë në dyshim vendimin tim dhe pyes veten nëse kam bërë zgjedhjen e duhur.

Njerëzit të cilëve nuk u është dashur të lënë gjithçka pas, përfshij familjen, miqtë dhe vendin e tyre, thjesht nuk do ta dinë kurrë se si është të studiosh dhe / ose jetosh jashtë vendit.  Është një pjesë e jona që gjithmonë mungon, është gjithmonë ai mendimi se si do të kishte qenë jeta nëse nuk do të ishim larguar.

Kur njerëzit vendosin të largohen nga vendi i tyre, është e qartë se pas këtij vendimi duhet të ketë një arsye të fortë.   Asnjëherë nuk është aq e thjeshtë sa duket.

Të rinjtë e Kosovës largohen nga vendi i tyre për shumë arsye, si; sistemi i dobët arsimor, mungesa e mundësive, fakti që nuk u njihet vështirësia e punës, nivelet e larta të papunësisë dhe shumë arsye të tjera.  Unë personalisht jam larguar nga vendi im në kërkim të një arsimimi më të mirë. Gjatë shkollës së mesme, kuptova që notat nuk kishin rëndësi, ishin njohuritë ato që më mungonin. Nuk kishte rëndësi nëse i kisha të gjitha notat A (nota maksimale në Amerikë) ose jo, mungonin njohuritë.   E dija që, nëse studioja jashtë, mund të kisha atë që më mungonte në vendin tim.

Në të njëjtën kohë, të rinjtë në Kosovë nuk ndihen se fakti që punojnë fort vihet re apo vlerësohet.  Për vite me radhë, vendet e punës plotësohen me nepotizëm ose korrupsion. Kjo ka bërë që shumë njerëz të mendojnë se çfarëdo që të bëjnë, puna e tyre e palodhur nuk do të paguhet kurrë.    Ka shumë të diplomuar që fatkeqësisht nuk kanë punuar asnjë ditë në fushën e tyre për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, duke u detyruar kështu të bëjnë çfarëdo lloj pune të jetë mundur për të mbijetuar. Kosova është një vend i vogël dhe njerëzit e dinë se si është gjendja.    Kushdo njeh të paktën një person që ka të njëjtën histori ose një histori të ngjashme, duke mos u lënë të rinjve zgjedhje tjetër përveçse të vënë në diskutim të ardhmen e tyre në Kosovë.

Edhe ata që gjejnë punë në fushën e tyre e dinë se mund të paguhen më shumë në vendet e BE-së ose në Perëndim. Kështu që, kur u jepen këto mundësi, i ndjekin me kënaqësi.

Sidoqoftë, unë besoj se duhet të vijë një moment që ky zinxhir të ndërpritet.  Ne jemi e ardhmja e Kosovës dhe besoj se kushdo prej nesh që ka pasur fatin të studiojë jashtë vendit dhe të arsimohet mirë, ka një lloj detyrimi të kthehet në Kosovë për të luftuar dhe punuar për ta bërë atë një vend më të mirë për ata që nuk kanë pasur të njëjtat mundësi.

Së fundi, ndihem e bekuar që pata mundësinë të arsimohem jashtë vendit. E kam ëndërr që një ditë të përdor njohuritë dhe aftësitë e mia për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës dhe për ta ndihmuar atë të bëhet një vend më i mirë për brezat e ardhshëm.

 

Irnea Muhović ka përfunduar së fundmi studimet Master dhe është diplomuar në fushën e Komunikimit në Universitetin e i Aiouas Veriore, në SHBA. Ajo ka jetuar jashtë vendit që në moshën 17 vjeçare.