Teoritë konspirative dhe besimi tejet i ulët në institucione ka ndikuar në besimin e qytetarëve ndaj vaksinimit kundër koronavirusit.

Imer Mushkolaj

Nëna ime e mban mend mirë kohën kur në Kosovë shpërtheu epidemia e lisë së keqe – variola vera. Bëhej fjalë për epideminë e fundit të këtij virusi në Europë. Më 13 mars të vitit 1972, mjeku Xhelal Xhibo diagnostifikoi me këtë virus një vajze nga Rahoveci. Pas dy muajsh, kur përfundoi beteja kundër epidemisë, statistikat treguan se në Jugosllavinë e atëhershme ishin infektuar 175 persona, nga të cilët 35 kishin vdekur. Atëbotë, shteti kishte organizuar vaksinimin e 18 milionë qytetarëve. Epidemiologë të asaj kohe thonë se epidemia kishte shpërthyer për shkak të rezistencës së qytetarëve për t’u vaksinuar.

Saktësisht 48 vjet më vonë, më 13 mars 2020, në Kosovë u identifikuan rastet e para të Covid-19. Deri më tash, numri i të infektuave iu ka afruar 60 mijëshit, kurse i të vdekurve po i afrohet 1500-shit. Vaksinimi ende nuk ka filluar, ndërkohë që vazhdon skepticizmi i qytetarëve për vaksinimin. Teoritë konspirative nuk ndalen, kurse institucionet thonë se po bëjnë përpjekje për të siguruar vaksinat e nevojshme.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga The Balkans in Europe Policy Advisory Group (BiEPAG), muajin e kaluar, measatarisht 50 për qind e të anketuarve në shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë deklaruar se nuk duan të vaksinohen kundër koronavirusit. Në Kosovë kjo përqindje shkon në 56, ndërkohë që 37 për qind e të anketuarve janë të gatshëm të marrin vaksinën. Por, çka ka ndikuar në këto shifra?

Sigurisht, ndikimi i teorive konspirative në besimin te vaksina është i madh. Por, një ndikim të madh për të keq e ka edhe niveli i ulët i besimit në institucione. Sipas barometrit të Qendrës Kosovare të për Studime të Sigurisë, publikuar në nëntor të vitit të kaluar, Qeverisë së Kosovës i besonin plotësisht vetëm 4 për qind e qytetarëve, ndërkaq nuk kishin aspak besim 52 për qind e të anketuarve.

* * *

Deri më tash nëna ime, që i ka kaluar të shtatëdhjetat, i ka shpëtuar infektimit. Është vaksinuar kundër gripit sezonal dhe çdo ditë pyet se kur do të vijnë vaksinat kundër koronavirusit. Por, politika duket të mos jetë e preokupuar për vaksinat, sa për fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të caktuara për 14 shkurt.

E vështirë të krijosh besimin te qytetarët se vaksinimi është i domosdoshëm, kur vetë politikanët nuk respektojnë masat kundër Covid-19. E vështirë t’iu besosh deklaratave pro vaksinimit, kur vetë ministri i Shëndetësisë mbledh grumbuj njerëzish në fushatë, pa respektuar masat që vetë i ka caktuar.

Institucionet dhe mediat duhet të fokusohen në rëndësinë që ka vaksinimi, natyrisht duke mos i anatemuar ata që janë kundër.

Përderisa në vitin 1972 epidemia e variola verës kishte shpërthyer për shkak të rezistencës për t’u vaksinuar, rezistenca për të marrë vaksinën kundër Covid-19 është një lloj krimi. Në këtë mënyrë do të vazhdojnë të vdesin më shumë njerëz dhe të rrënohet ekonomia. Andaj vaksinimi është domosdoshmëri – vaksinimi është emancipim.

 

Imer Mushkolaj, autori është gazetar tash 25 vjet. Ka punuar dhe menaxhuar media të ndryshme. Ka qenë ligjërues gazetarie e komunikimi me publikun. Është aktivist i shoqërisë civile, koluminist e analist politik.