Angazhimi politik i të rinjve që e njohin dhe e duan njerëzimin dhe ndalimin e depopullimit të Kosovës është obligim moral, pasi nëse ki aftësitë të kontribuosh dhe prapë hesht kjo të bënë bashkëpunëtor të së keqes.

 Gurakuç Kuçi

Gjysmë të lira sipas freedomhouse dhe regjime hibride sipas ecomonist intellegence unit konsiderohen vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), këto vlerësime nuk ndryshojnë shumë që dy dekada. Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore prej 7.4% për BP, ku Kosova bën pjesë me 3.1% vjen për shkak të pakove financiare për dalje nga kriza e pandemisë, por lufta në Ukrainë dhe inflacioni prapë kanë bërë që të ketë përkeqësim të mirëqenies dhe gjëndja të bëhet më keq se para pandemisë.

Kosova ashtu si rajoni është duke u përballur me ikje të fuqisë punëtore dhe depopullim pothuajse masiv. Një studim i Vienna Institute for International Economic Studies ka gjetur se vendet e BP janë duke pasur emigracion të të rinjve nga të gjitha nivelet e edukimit. Kjo ka bërë që kërkesa dhe mungesa për punëtorë të jetë e madhe por jo edhe rritja e ofertës ku përfshihen kushtet. Mungon zbatimi i ligjeve ekzistuese, krijimi i ligjeve të reja dhe luftimi i parregullsive, krimit, korrupsionit, nepotizmit dhe krijimi i kushteve më të mira për punë.

Kosova po ashtu është renditur vendi i fundit në testin e PISA që bën matjen e nivelit të edukimit në sektorin fillor.

Kjo tregon për mungesën e kushteve të duhura për zhvillim intelektual që i ofron sistemi shtetëror dhe dekurajimit të madh nga ai psikologjik.

Këta faktorë tregojnë se të rinjtë në politikë e kanë hapësirën shumë të tkurrur pasi mungon angazhimi real për reforma dhe kjo tregon se kemi sistem politik dhe partiak ku zhvillohet një politikë patronazhi, nepotizmi, korrupsioni dhe uzurpokracie. Këtë e dëshmon edhe renditja në indeksin e perceptimit të korrupsionit.

Kjo gjendje ka ngjallur dekurajim tek të rinjtë për shkak të mosvlerësimit të drejtë të intelektualizmit por të punës nga aspekti militantist. Pra, subjektet politike nuk kanë zhvilluar një akademi për të rinjtë idealistë por më shumë janë bërë subjekte si ente punësimi.

Të rinjtë kryesisht trajnimin e tyre politik e marrin nga arsimi universitar dhe eventualisht Organizatat Jo-Qeveritare, mirëpo prapë kjo nuk është garanci që ata do të gjejnë hapësirë të ofrojnë kontributin e tyre në subjektet politike.

Kjo përmbledhje nuk është për dekurajim, përkundrazi tentohet që të prodhohet e kundërta, që të jetë një alarm që të rinjtë të angazhohen më shumë në politikë. Sa më shumë të rinj në politikë me mendësi të re, presioni do jetë më i madh për ndryshime pozitive. Angazhimi politik i të rinjve që e njohin dhe e duan njerëzimin dhe ndalimin e depopullimit të Kosovës është obligim moral, pasi nëse ki aftësitë të kontribuosh dhe prapë hesht kjo të bënë bashkëpunëtor të së keqes. Kjo mund të bëhet duke iu bashkuar edhe subjekteve ekzistuese dhe duke u bërë fraksione për ndryshime pozitive.

BP është një zonë me plot resurse humane dhe natyrore, një rajon që i ka të gjitha, natyrë të bukur, bjeshkë të bukura, det të bukur dhe shumëçka tjetër në pak kilometra. Në këtë rajon do të mund të bëhej një jetë ideale nëse të rinjtë gjejnë vullnetin që të bëjnë kapërcimin e të keqes dhe ndryshimin e këtyre indikatorëve nga niveli negativ në atë pozitiv me angazhimin e tyre politik.

 

Gurakuç Kuçi,  doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe histori e diplomacisë