Kulti i sotëm ballkanik i individit bazohet në kudo-gjendjen e udhëheqësve në një media të kontrolluar. Ata gjithashtu përdorin metodat e vjetra të riformimit të hapësirës publike përmes ndërtesave dhe statujave të reja.

Filip Stojanovski

Në dukje paradoksale, në vitin 2012, ishte regjimi i partisë së deklaruar anti-komuniste VMRO-DPMNE që ngriti një monument të ri për Titon në qendër të Shkupit.

Nuk pati asnjë debat publik për këtë çështje.  Dhe as nuk ka informacion publik se si është paguar. Aleanca e Forcave të Majta të Titos, një nga partitë satelitore të VMRO-DPMNE, elektorati kryesor i të cilës ishin pensionistët, mburrej se monumenti ishte arritja e saj.

Mungesa e reagimeve jozyrtare nga qarqet më të gjera të krahut të djathtë tregoi se ekziston një perceptim që karakteri i Titos ka ende një vlerë të dobishme për rritjen e rëndësisë politike, d.m.th. që numri i admiruesve të tij është shumë më i madh se numri i atyre që e urrejnë.

Nga ky këndvështrim, nuk duket e çuditshme që Jordan Mijalkov, i cili më parë ka pasur një sërë pozicionesh në politikë, ekonomi dhe sport në RSFJ, në intervistën e tij të parë për “Vecer” si Ministri i parë i Punëve të Brendshme të Republikës së pavarur të Maqedonisë, në vitin 1991, mburrej se djemtë e tij kishin shërbyer në Ushtrinë Popullore Jugosllave si oficerë të policisë ushtarake, në Gardën e Titos.

Pas vitit 2006, një nga ata djem, Sasho Mijalkov, u bë shefi “i plotfuqishëm” i policisë sekrete brenda regjimit të djathtë populist të udhëhequr nga kushëriri i tij i parë Nikolla Gruevski.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se profili autoritar i qytetarëve nuk ishte ndërtuar vetëm në socializëm.  Shumica e vendeve evropiane nuk mund të mburren se edhe para Luftës së Dytë Botërore ata kishin një shkallë të lartë demokracie, të matur me standardet e sotme.

Shumë nga banorët e rajonit u rritën në një frymë autoritare, që do të thotë, adhurimin e një lideri të pacenueshëm, gati mbinjerëzor që zgjidh të gjitha problemet. Pritshmëri të tilla në periudhën e mesluftës 1918-1941 u ngritën jo vetëm nga shtetet e qeverisura nga partitë fashiste, por edhe nga shumë të tjerë që lëkundeshin midis një demokracie të brishtë parlamentare dhe një diktature, pra një monarkie.

Analistët serbë theksojnë se Mbretëria e Jugosllavisë si shtet kishte investuar në ndërtimin e kultit të individit të anëtarëve të dinastisë së Karadordevic-it, ndoshta edhe më shumë sesa investoi RSFJ-ja në ndërtimin e kultit të individit të Titos.  Ndër të tjera, deri në viti 1941, kjo përfshinte emërtimin e rrugëve të Beogradit me emrin e anëtarëve të tjerë të gjallë të familjes, si: Princi Pavli dhe gruaja e tij Ollga (në ditët e sotme, Blvd. Despoti Stefan dhe Rr. Xhorxh Uashington).

Disa nga ato praktika vazhduan.  Si mbreti ashtu edhe Tito u bënë kumbari i fëmijës më të vogël të një familje të madhe, duke i “dhuruar” mbështetjen e shtetit.   Raportet e përhapura mbi rastin kur një qytetar i zakonshëm i kishte shkruar një letër sundimtarit dhe me të kishte tërhequr vëmendjen e tij dashamirëse.    Formë moderne e kësaj janë takimet e organizuara paraprakisht me qytetarët para kamerave televizive, gjatë të cilave Gruevski dhe Vuçiqi morën menjëherë në telefon nëpunësin civil përgjegjës dhe “zgjidhën problemin”.

Në vitin 2014, “Global Voices” raportoi se mbështetësit e politikanëve Nikolla Gruevski dhe Milorad Dodik demonstruan besnikërinë e tyre duke bërë tatuazhe fytyrat e tyre në trup, një praktikë që ishte e pranishme edhe në RSFJ me imazhin e Titos.

Kulti i sotëm ballkanik i individit bazohet në kudogjendjen e udhëheqësve në një media të kontrolluar. Ata gjithashtu përdorin metodat e vjetra të riformimit të hapësirës publike përmes ndërtesave dhe statujave të reja. Por, ndryshe nga gjeneratat e mëparshme dhe vetë Tito, ata përmbahen për realizmin e skulpturave me imazhin e tyre dhe përdorin figurat e njohura historike për këtë.

Sidoqoftë, siç thekson Ragmi Jusufi në librin “Kali i Trojës së Maqedonisë” (Templum, 2017) të gjithë e dinë se monumentet si ai i Aleksandrit të Madh janë një zëvendësim. Kjo është gjithashtu e vërtetë për monumentin e ri të Stefan Nemanja-s në Beograd dhe për qindra statuja më të vogla të shpërndara në të gjithë Ballkanin, gjatë një ose dy dekadave të fundit.

Në qendër të Shkupit, për shembull, përveç ndërtesave gjigande që simbolizonin fuqinë e shtetit, si: Shtëpia e Oficerëve dhe Teatri, regjimi i Karagjorgjeviç-it kishte ngritur statujat e mbretit Peter dhe Aleksandër mbi kalë, para Urës së Gurit.  Statujat u shkatërruan në vitin 1941 dhe ndërtesat u dëmtuan në tërmetin e vitit 1963.  Sidoqoftë, të gjitha ato ndërtesa, së bashku me statuja të ngjashme të revolucionarëve maqedonas, u ngritën përsëri nga qeveria e Gruevskit me projektin “Shkupi 2014”, qëllimi i të cilit, përveç pastrimit kolosal të parave të shtetit, ishte të promovonte pushtetin e Gruevskit dhe partisë së tij .

Një nga pasojat është “kthimi” i imazhit të qytetit në kohën kur, sipas vetë ideologëve të partisë, shteti ishte “kolonizuar”.   Për ironi të fatit, situata kur një forcë politike kolonizon dhe shfrytëzon institucionet dhe qytetarët është plotësisht në përputhje me përkufizimin e “shtetit të kapur”, një term i përdorur nga Bashkimi Europian për sistemin anti-demokratik që sundoi Republikën e Maqedonisë së Veriut, deri në vitin 2017.


Filip Stojanovski është një aktivist, ekspert i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe bloger. Ai jeton në Shkup dhe punon në Fondacionin “Metamorfozis”, si Drejtor i Zhvillimit të Partneritetit dhe Burimeve