Ende ka probleme dhe sfida të natyrave të ndryshme të cilat vijnë si rezultat i: paragjykimeve, stereotipave, diskriminimin, pabarazive në shoqëri, pabarazive në të ardhura, në punësim, por edhe si rezultat i mungesës së informatave adekuate për njërin ose tjetrin komunitet.

 Ferdi Kamberi

Në kuptimin logjik interkulturalizmi ka të bëjë me mbështetjen dhe fuqizimin e dialogut kulturor dhe pikëpamjet sociale për të eliminuar tendencat paragjykuese dhe sterotipizuese ndaj një grupi të caktuar social, racor, etnik, fetar, gjinor apo kulturor. Interkulturalizmi po ashtu përfshinë qasjen përtej pranimit të të tjerëve dhe faktin e mjedisit multikulturor të kulturave të shumta të cilat jetojnë dhe veprojnë në një shoqëri, krijojnë një diversitet kulturor kryesisht përmes komunikimit dhe dialogut. Kosova është një shtet i ri demokratik i cili në gjirin e saj ka një shumësi të kulturave, etnive, racave dhe feve të cilat karakterizohen për bashkëjetesa, toleranca dhe diversiteti. Në fakt, Kosova këto terme i ka të inkorporuar në kuadër aktit më të lartë juridiko – politik të vendit siç është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe përmes legjislacionit primar dhe sekondar, të cilat janë modele të bazuara kryesisht në modelet perëndimore. Kësisoj, korniza e avancuar legjislative për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Kosovë, është mbështetur nga një rrjet i institucioneve në nivel qendror dhe komunal të qeverisjes. Njëherit këto mekanizma janë edhe përgjegjës për zhvillimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e të drejtave të komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, këto diversitete të kulturave, padyshim se përbëjnë një mozaik dhe thesar të çmuar të shoqërisë kosovare, e cila mund të jetë model për kulturat dhe shoqëritë tjera. Janë të njohura komunitetet në Kosovë të cilat përbëjnë këtë mozaik, si: shqiptarët, serbët, turqit, romët, ashkalit, egjiptasit, boshnjakët, goran, por ka edhe një pakicë nga radhët e malazezëve dhe kroatëve.

Ajo që i karakterizon këto raporte ndërmjet vetë komuniteteve dhe të cilat e fuqizojnë edhe më shumë sfondin e inkulturalizmit si pjesë e vetë multikulturalizmit janë: përkatësia sociale dhe identitare, ku secili komunitet shfaq lirshëm pikëpamjet e tij ideologjike, besimin, normat, traditat, kulturën dhe gjuhën, pastaj dialogu ndërmjet grupeve etnike dhe kulturore, zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme me fokus tek të rinjtë të cilat janë predispozita për fuqizimin e një kohezioni social, puna në komunitet, si dhe karakteristika tjera. Deri më tani këto karakteristika kanë treguar se si masa afirmative janë të nevojshme dhe janë treguar si storie suksesi. Megjithëse, ende ka probleme dhe sfida të natyrave të ndryshme të cilat vijnë si rezultat i: paragjykimeve, stereotipave, diskriminimin, pabarazive në shoqëri, pabarazive në të ardhura, në punësim, por edhe si rezultat i mungesës së informatave adekuate për njërin ose tjetrin komunitet.

Gjithashtu, dallimet kulturore në Kosovë të cilat janë pjesë e thesarit të trashëgimisë së arkitekturës kosovare, mund të fuqizohen edhe më tej, duke krijuar kështu një mjedis social sa më të sigurt, një mjedis social, ku do të vlerësohen vlerat, atributet sociale dhe kulturore të komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë. Kjo arrihet përmes edukimit dhe komunikimit në familje si agjens i parë i socializimit, edukimit në shkolla, komunikimit dhe bashkëpunimit në komunitetet e organizuara, dialogut social me kultura të ndryshme në Kosovë, zbatimit të legjislacionit në fuqi, adresimit të rasteve për diskriminim në instancat e larta, mbështetjes nga niveli qendror dhe lokal përmes projekteve të ndryshme dhe prioritizimit të qeverisë se multikultrualizmi duhet të shihet si vlerë dhe thesar i çmuar.

 

Ferdi Kamberi, sociologu