Veprat kriminale më të shpeshta në këtë fushe, raportohen ato kundër sigurisë kibernetike të bankave, rrjeteve të sigurisë kombëtare dhe ndaj të dhënave personale që ruhen në arkiva elektronike të institucioneve publike.

 Ervin Karamuço

Zhvillimet globale, veçanërisht të 10 viteve të fundit, në fushën e teknologjisë dhe informacionit, e gjetën Shqipërinë pothuajse të papërgatitur për tju përgjigjur në kohë dhe me logjistikën e nevojshme këtij trendi të vrullshëm, duke e vënë  atë përballë sfidave të mëdha. Pas viteve 2000, Shqipëria fillimisht ndërmori një sërë masash të ngutshme me karakter ligjor dhe me pas ato u ndoqën edhe nga reforma institucionale për tju përgjigjur nevojave në këtë fushe.

Ndër zhvillimet kryesore legjislative që shoqëruan dekadën e sipërpërmendur në vendin tonë, ishin ato për ratifikimin e Konventës se Këshillit të Evropës për krimet kibernetike, e ashtuquajtura Konventa e Budapestit, ndryshimet dhe amendimet e Kodit Penal për luftën kundër piraterisë dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetet kompjuterike, përmirësimi i legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe komunikimet elektronike etj. Masat legjislative të mësipërme, janë shoqëruar edhe me strategji  të tjera sektoriale të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike, të cilat janë miratuar dhe vënë në zbatim në mënyrë periodike dhe vijojnë të ndiqen nga institucionet përkatëse.

Në kuadrin institucional, Shqipëria adoptoi struktura të posaçme mbrojtje në fushën e krimeve kibernetike, duke krijuar njësi speciale në Ministrinë e Mbrojtjes, Policinë e Shtetit, si dhe zyra të tjera me grupe të specializuara në organin e Prokurorisë, në Bankën e Shqipërisë etj. Ndërkohë në këtë kuadër, u themeluan institucione të reja publike, të cilat kishin në fokusin e veprimtarisë së tyre edhe krimet kibernetike dhe mbrojtjen e pasurisë dhe të dhënave personale. Për ilustrim mund të përmendim Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Agjencinë Kombëtare te Sigurisë Kibernetike etj.

Nga të dhënat periodike që raporton Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri, vihet re se krimet kibernetike kane filluar të kenë një rritje të konsiderueshme në fushën e veprat penale me natyre të sofistikuar teknologjike. Gjatë vitit 2020 është konstatuar se krimet me natyre kibernetike janë rritur 35% me shume se viti 2019. Po ashtu indeksi i këtyre veprave për vitin 2019 ka qenë 4,02, ndërsa për vitin 2020 ai shënon shifrën 5,48. Veprat kriminale më të shpeshta në këtë fushe, raportohen ato kundër sigurisë kibernetike të bankave, rrjeteve të sigurisë kombëtare dhe ndaj të dhënave personale që ruhen në arkiva elektronike të institucioneve publike. Për here të parë gjatë vitit 2021, Ministri i Mbrojtjes se Shqipërisë, raportoi në Kuvend se Shqipëria ishte kërcënuar seriozisht nga hakerime të shpeshta, të cilat kishin patur edhe natyre gjobevenie (ransomware).

Për të gjitha arsyet e mesiperme, Shqipëria ka nevoje të shtoje masat e sigurisë teknologjike, buxhetin vjetor të institucioneve të vigjilencës kibernetike dhe trajnimin e burimeve të specializuar në këtë fushë në bashkëpunim me vende partnere.

 

Profesor Ervin Karamuço është ekspert i sigurisë publike. Eshtë Pedagog në Departamentin Penal të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës