Është i ashpër fshati. Ndaj dhe vajzave  u kam thënë studioni, ikni, qoftë edhe jashtë. Vetëm në fshat mos u martoni. Sepse çfarë ndxorëm në në dritë, po lodhemi në punë dhe nuk kemi asgjë në vijë, as pension nuk do kemi tamam se nuk plotësojmë vitet e punës.

Ermelinda Hoxhaj

Mëngjeset janë shumë ndryshe në fshat. Edhe më të hershme. Sapo dalin rrezet e para të diellit, Burbuqja është në oborrin e shtëpisë dhe ushqen pulat. Disa prej tyre janë pula deti.

Vështirësitë e jetesës në fshatrat e jugut, janë të njejtat si në dekadat e shkuara, në shumicën e tyre nuk ka as rrjet ujësjellësi, familjet ende furnizohen me ujë nga puset. Por tashmë përballen edhe me mungesën e krahut të punës. Burbuqe Myrtaj, tregon se fshati Trevllazër, është i fokusuar më shumë në frutikulturë se sa në blektori, veç pulave ajo ka dhe një lopë, ndërsa bagëtitë e tjera, është detyruar ti heqi sepse nuk ka mundësi ti mbajë. Për shkak se nuk gjen çoban për ti kullotuar apo për ti veruar në mal.

“Të rinjtë kanë ikur nga fshati. Edhe pse Trevllazëri është fshat më i madh se të tjerët dhe braktisjen nuk është aq masive sa në zona të tjera, sërisht ka mungesa për krah pune.  Unë kam vetëm goca dhe i kam në universitet, një është e martuar dhe jeton në Itali. Burrin e kam më shumë në emigracion. Dhe kam mbajtur vetëm një lopë për qumësht, ndërsa kopenë e deleve dhe lopët e tjera i shitëm sepse nuk kishim mundësi ti mbanim”-tregon 48-vjeçarja.

Gratë në zonat rurale kanë barrën më të madhe për shkak të emigracionit. Shpesh herë familjet janë të ndara, burrat janë në emigracion ndërsa gratë mbajnë shtëpinë dhe fëmijët.

“Jetesa në fshat nuk ka ndryshuar shumë nga ajo që mbaj mend në fëmijërinë time. Rrugët janë të dëmtuara, mungojnë e qendrat shëndetësore por edhe shkollat janë për faqe të zezë. Ne në fshat i kishim klasa të bashkuara dhe unë e tim shoq vajzat i kemi çuar në qytet në Vlorë për të bërë shkollën, rreth 30 kilometra larg. Paguanim para për furgonin që ti conte dhe ti merrte. Por me nisjen e universitetiti u detyruam që të blinim shtepi. Ama unë jetojë në fshat sepse kam ullinjtë, token, e merrem me to. Dhe nuk kam burim tjetër të ardhurash që të iki në qytet, edhe pse do të doja.”-tha Burbuqja.

Ajo tregon duart e vrara dhe të plasaritura nga punimi i tokës. Ndërsa thotë se do i pëlqente të kishte dhe ajo duar dhe fytyrë të kurura si kanë shumë mikesha të saj të cilat prej vitesh e kanë lënë fshatin pas, dhe jetojnë në qytet.

“Jam 48 vjeç por tregoj më shumë. Ruaju sa të duash nga dielli, ne që punojmë në fshat na djeg dielli, na plak. Është i ashpër fshati. Ndaj dhe vajzave  u kam thënë studioni, ikni, qoftë edhe jashtë. Vetëm në fshat mos u martoni. Sepse çfarë ndxorëm në në dritë, po lodhemi në punë dhe nuk kemi asgjë në vijë, as pension nuk do kemi tamam se nuk plotësojmë vitet e punës.  Shyqyr që kemi ullinjtë se me ata po ushqehemi dhe me punën në emigrim të bashkëshortit, që arritëm të blinim dhe shtëpinë në Vlorë. Por u bë gati dy vite tashmë që nuk ikën më në emigrim, se dhe mosha bën të vetën. ”- tregon Burbuqja. Veç ullinjve familja e saj ka edhe vreshta, por kanë vështirësi për të gjetur treg për shitje. Një pjesë të madhe e përdorin për të bërë raki.

 

Ermelinda Hoxhaj është gazetare prej 16 vitesh në mediat e shkruara dhe vizive në Tiranë