Nëse unë ngre një çështje publike, dhjetëra njerëz do ta amplifikojnë atë pa tjetër, duke e shumëfishuar forcën e mesazhit tim.

 Erion Kristo

 Ja ku vjen momenti që blogeri shkruan për veten. Do më pëlqente më shumë fjala “influencues”, ose opinionist, apo dhe njeri publik, ose ndryshe, sipas emërtimit të njerëzve, “gjigandi i fejsbukut”. Momenti erdhi, sepse ka ardhur koha për të folur për ata që flasin: si ndikojnë, si e shkojnë ditën, si veprojnë.

Prej vitit 2009 u njoha me fejsbukun dhe me fejsbukianët, siç i quaj me përkëdheli. Vitet e fundit jam bërë dhe “instagramist”, por kam refuzuar të bëhem tiktokas, edhe pse jam banor i rëndësishëm i botës së Tiktokut, pa pjesëmarrjen time. Si mund të ndodhë kjo? Përmes memeve që më bëjnë ata që kanë pasaportën e Tiktokut. Jam mjaftuar vetëm me këto dy rrjete.

Nga 2009 e deri më sot kam qenë shumë aktiv në fejsbuk. Kam pasur madje shtatë faqe dhe katër profile. Një profil vetëm për fotografitë që bëja me njerëzit, sepse njerëzit kanë qejf të dalin në foto me mua, dhe unë nuk ua prish. Një profil për shkrimet e mia nëpër gazeta. Dhe një profil për opozitë ndaj qeverisë dhe për thëniet e mia. Këto tre të fundit i kam mbyllur.

Shumë vonë, pas sulmeve pa fund që më bënë në Instagram, vendosa që të hyja në këtë fushë të minuar, për t’i kundërshtuar dhe për t’i mposhtur në fushën e tyre (e kam fjalën për call center-at e paguar nga politika); për t’u treguar njerëzve se nuk ka asgjë qesharake tek unë, përveç faktit që jeta jonë është qesharake dhe tragjike në të njëjtën kohë. Dhe nuk mund të them që nuk kam pasur sukses.

Por me kalimin e viteve, me përmbushjen e disa qëllimeve, bie dhe dëshira për të ndikuar. Tashmë, kam vetëm një profil dhe dy faqe, faqen personale dhe një faqe ku hedh shkrimet dhe leximet e mia (thjesht qëllim kulturor). Si dhe një profil në instagram.

Si është dita ime? Nis me rrjetet sociale, me komentet që më kanë bërë, me komentet që bëj për ngjarjet e rëndësishme jetësore të miqve të fejsbukut, me urimet për ditëlindje, me katër postimet ditore (bëj veç një në ditë si rregull, rrallë dy) tre në fejsbuk dhe një në instagram, si dhe me postimin e gjërave në Story (në të gjitha rrjetet që përdor). Pra, çdo mëngjes kaloj nja dy orë duke “bërë punët”, se kështu i quaj.

Para do kohësh, pas një studimi shkencor, një gazetë më renditi në 100 njerëzit më influentë në Shqipëri. Unë u mërzita, sepse tjetër është të marrësh shumë like, tjetër është të ndikosh. Dhe renditja e tyre nuk ishte shumë e qartë në këtë aspekt. Ajo që kam bërë, nuk është thjesht që postimet e mia pëlqehen. Por nëse unë ngre një çështje publike, dhjetëra njerëz do ta amplifikojnë atë pa tjetër, duke e shumëfishuar forcën e mesazhit tim. Në gjithë këto vite, kam pasur në zemër vetëm një shoqëri më dinjitoze, më të kulturuar, më demokratike dhe më të begatë. Dhe besoj se ja kam dalë të ruaj figurën time.

Kam thënë gjithmonë atë që njerëzit kanë menduar, por nuk e kanë thënë dot. E kam thënë fort, qartë dhe bukur. Shumë nga ata që nuk mendojnë si unë, bien dakord me stilin dhe qasjen time me pak humor. Unë luftoj për fëmijët, për atdheun, për familjen dhe një botë më të bukur. Koha do më gjykojë.

 

Erion Kristo, pedagog, gazetar, aktivist i shoqerise civile