Që këto instrumenta të kenë impakt në jetën e qytetarëve, kërkohen institucione llogaridhënëse, të përgjegjshme dhe transparente. Por edhe pse nismat nuk kanë munguar, qytetarët në shumë pak raste kanë mundur të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

 Erida Skëndai

Aktivizimi qytetar është një mjet i rëndësishëm kontrolli dhe balancimi ndaj tre pushteteve (ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor), dhe materializohet në forma të ndryshme sikurse janë protestat, peticionet drejtuar autoriteteve, paditë apo ankimet ndaj vendimeve drejtuar gjykatave, etj.

Që këto instrumenta të kenë impakt në jetën e qytetarëve, kërkohen institucione llogaridhënëse, të përgjegjshme dhe transparente. Por edhe pse nismat nuk kanë munguar, qytetarët në shumë pak raste kanë mundur të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

Në këtë artikull dëshiroj të ndalem tek vështirësitë dhe rëndësia që ka mbrojtja gjyqësore e të drejtave dhe lirive të njeriut. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka përfaqësuar me sukses gjatë viteve të fundit, disa çështje me interes publik si, mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm i banorëve të Minoritetit Rom në një lagje të Fushë Krujës si dhe i banorëve të fshatit Visokë, mungesa e implantit koklear e një të mituri me aftësi të kufizuara të dëgjimit, ndotjet e shkaktuara nga furrat gëlqerore në Fushë-Krujë, ndotjet në lumin Gjanicë, Tërkuzë, Devoll, etj.

Disa prej vendimeve që janë dhënë në favor të qytetarëve kanë krijuar modele pozitive të mbrojtjes gjyqësore. Vlen të veçohet ekzekutimi i suksesshëm i vendimit të parë gjyqësor për kauzën e të miturit që prej vitesh nuk i mundësohej nga shteti, pajisja me impiantin koklear. Por pavarësisht nga ky rast apo ndonjë tjetër, moszbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore dhe tejzgjatja e këtyre proceseve përbën një faktor pengues dhe dobëson aktivizimin qytetar. Për ta ilustruar po paraqes dy shembuj:

Disa banorë të fshatit Visokë paditën autoritetet përgjegjëse pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, me ndihmën e avokatëve të KShH-së. Në historinë e tij, fshati nuk kishte patur asnjëherë ujë të pijshëm dhe as ujësjellës. Për të mbijetuar, banorët kishin shpuar puse, por uji që përdornin kishte përmbajtje të lartë gazi, nafte dhe solari. Në qershor të vitit 2018, Gjykata Administrative urdhëroi kompensimin e dëmit që i është shkaktuar banorëve, nga organet shtetërore përgjegjëse. Edhe pse ky është vendimi i parë gjyqësor në Shqipëri i këtij lloji dhe krijoi një precedent pozitiv të mbrojtjes së drejtpërdrejtë gjyqësore të individëve në nevojë, nuk është ende një vendim përfundimtar pasi është ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Prej kësaj gjykate nuk ka asnjë komunikim për fillimin e gjykimit të çështjes. Rrjedhimisht vendimi vijon të mbetet i paekzekutuar edhe pse kanë kaluar afro 4 vite nga përfaqësimi i çështjes në shkallë të parë.

Bazuar në ankesën e disa banorëve në zonën e Patosit (Qarku Fier), për ndotjen e lumit Gjanicë që kalon afër zonave të banuara, KShH realizoi misione verifikimi dhe adresoi një sërë kërkesash për informacion ndaj autoriteteve në nivel vendor. Verifikimet evidentuan se burimet e ndotjes së Gjanicës ishin hidrokarburet (më së shumti nga veprimtaria e kompanive të nxjerrjes dhe përpunimit të tyre) por edhe burime të tjera si, mbetjet urbane, të ngurta dhe të lëngëta nga industria, bizneset, qytetarët por edhe nga vetë ndërmarrjet e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të bashkisë respektive. Të pashpresë për të gjetur një zgjidhje ndaj ndotjes alarmante, banorët së bashku me KShH ju drejtuan Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Kjo Gjykatë, vendosi në Tetor të 2019-ës, detyrimin e autoriteteve që të identifikojnë operatorët ndotës, të përcaktojnë masat për rehabilitimin si dhe të mundësojnë sigurimin e parimit të përgjegjësisë mjedisore për çdo subjekt që vepron në zonat ku kalon lumi. Edhe pse ky vendim është i formës së prerë (i paankimuar), nuk ka gjetur ende zbatim efektiv në praktikën e institucioneve përgjegjëse.

 

Erida Skëndaj, Executive Director of Albanian Helsinki Committee