A u lodhëm? Konfuzë? Të frikësuar? Çfarë kemi mësuar? Ndoshta pyetja më e rëndësishme është – a kemi forcë të ndalojmë dhe të pyesim veten se si jemi me të vërtetë?

Enisa Mesic

Së shpejti do të bëhet një vit që nga momenti kur kemi vendosur maskat, zyrtarisht filloi me vënien e dorezave kirurgjikale, dhe distancimin prej atyre që na interesojnë më shumë.

Pothuajse një vit jetë në kushte ‘eksperimentale’, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe të jetës, ndërkohë të ekspozuar ndaj një spektri nxitjesh çnjerëzore.

Ne kemi humbur pjesë të identitetit tonë, nuk po shoqërohemi, punojmë, lëvizim, të gjitha këto na bënë të përgjegjshëm nga ana sociale (?!).

A u lodhëm? Konfuzë? Të frikësuar? Çfarë kemi mësuar? Ndoshta pyetja më e rëndësishme është: a kemi forcë të ndalojmë dhe të pyesim veten se si jemi me të vërtetë?

Sfida e pashembullt e Covid-19 ka një shpjegim teorik – quhet psikologjia e fatkeqësisë.

Psikologjia e fatkeqësisë merret me stresin, krizën, dhe traumën, ose me fjalë të tjera – me përvojën e secilit individ gjatë vitit të kaluar. Do të doja të përshkruaja gjendjen psikologjike, që të mund të identifikojmë atë që kemi kaluar, dhe t’i japim vetes merita dhe njohje për këtë që kemi bërë.

Psikologjia dhe psikiatria e përcaktojnë krizën si një ‘shqetësim të shkurtër që ndodh kohë pas kohe tek njerëzit që luftojnë me probleme më të mëdha se aftësia e tyre për t’i trajtuar ato’.

Kriza Covid-19 prek sfera të ndryshme të funksionimit, si për individët ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Ajo është një eksperiencë e re dhe e panjohur në nivel global dhe në historinë bashkëkohore, prandaj shkakton ndjenja pasigurie, frike dhe pafuqie. Reagimet individuale psikologjike shfaqen si ankth, konfuzion, luhatje në humor, dhe aktivizim ose riaktivizim i çështjeve më të vështira psikologjike.

Të mësuar nga përvoja e mëparshme, njerëzit përballen me krizën në mënyrat e tyre, duke zgjedhur mekanizmat e tyre për ta përballuar. Ka një dallim në mes të mekanizmave që synojnë të kontrollojnë dhe zgjidhin problemin dhe atyre që synojnë menaxhimin e reagimeve emocionale.

Strategjitë e zgjidhjes së problemit përfshijnë përcaktimin e problemit, kërkimin e zgjidhjeve alternative, peshimin e alternativave dhe rezultateve të pritshme të tyre, zgjedhjen e zgjidhjes dhe të vepruarit në përputhje me këtë. Këto forma kanë dy qëllime të ndërvarura: zgjidhjen e problemit të individit/komunitetit, por ato shërbejnë gjithashtu për të ndihmuar gjendjen psikologjike të individit.

Lloji i dytë janë mekanizmat që përballen me anën emocionale. Ato synojnë të rregullojnë ndikimin, të ruajnë shpresën dhe optimizmin, duke refuzuar pranimin e rezultatin më të keq. Studimet kanë treguar se në situata të cilat mund të kontrollohen, njerëzit kanë tendencë të përdorin mekanizmat për zgjidhjen e problemeve, ndërsa në rrethana të pakontrollueshme mekanizmat drejtohen tek shmangia dhe mohimi i ekzistencës së një problemi.

Një nga efektet negative më të rëndësishme në shëndetin mendor të qytetarëve të Bosnjë Hercegovinës vjen nga traumat e mbetura nga lufta dhe konteksti i paqëndrueshëm politik e ekonomik. Kjo le gjurmë, dhe pasojat mund të aktivizohen në kohë krize, siç po tregohet nga pandemia. Ne të gjithë jemi përballur me një lloj humbje gjatë vitit të kaluar, dhe për këtë arsye patëm një reagim të natyrshëm psikologjik ndaj humbjes, përmes pikëllimit.

Dhimbja është një proces normal i një reagimi përshtatës ndaj humbjes, ndryshe nga depresioni. Ajo ndodh në disa faza: shoku dhe mosbesimi, reagimi, përpunimi, riorientimi, pranimi i humbjes dhe vazhdimi përpara.

Nuk e kemi kërkuar ne këtë krizë globale. Ajo është mësuese e fortë, nuk i fal gabimet. Ne duhet të përshtatemi në mënyrë kreative dhe të gjejmë mënyra cilësore për të jetuar dhe mbijetuar.

Krijimtaria përkufizohet si aftësia e njeriut për të gjetur zgjidhje origjinale për problemet.

Kemi një problem dhe një tepricë origjinaliteti.

Paçim fat të mbarë të gjithë!

 

Enisa Mesic, pjesë e projektit reformator për Shëndetin Mendor në Bosnjë Herzegovinë si kryesuese e segmentit për sigurimin e cilësisë në shëndetin mendor