Sporti shqiptar, si kudo në botë edhe  është vasal i politikës. Mund të ndryshojnë format, imazhi, ngjyrat, por dukuria është e njejtë…

Endi Tufa

Në realitetin e sotëm botëror nuk ka fushë të jetës sociale që nuk është e ndikuar, e kushtëzuar dhe e kontrolluar nga politika. Edhe sporti nuk bën përjashtim. Pretendimi për apolitizimin e tij, askush nuk e beson.

Me rritjen e rëndësisë dhe popullaritetit, në gjysmën e dytë të shekullit XX, sporti u bë një çështje e rëndësishme për shoqërinë e, për pasojë, edhe për politikën.

Prania e politikës në sport tani është një realitet, pranohet si një normalitet. Madje, sporti është shndërruar në një vasal, i vënë në shërbim të politikës, e cila, e përdor atë për nevojat e saj sa here që i duhet. Sporti, si ‘hallexhi’, ul kurrizin, ndryshe nuk fiton gjë…

Kjo dukuri, nuk është një realitet i viteve të demokracisë së Shqipëri. Edhe rregjimi diktatorial i Enver Hoxhës, e ka përdoruar sportin sa herë i është dashur. Organizimi i Spartakiadave Sportive, ishin evente kombëtare me karakter të mirëfilltë propagandistik.

Ose në legjislaturën e fundit, para ndryshimit të sistemit politik në vendin tonë, në Kuvendin Popullor ishte edhe volejbollisti i shquar Hysen Domi, paçka se nuk ishte komunist. Midis deputetëve duhej dikush që të përfaqësonte sportin.

Shembulli i ping-pongistëve kinezë, u përdor edhe nga Dinamo e volejbollit të femrave, të cilat në vitin 1990 në finalet e Kupës së Europës, ishin shqiptaret e para që u dhanë dorën volejbollisteve ruse të Uraloçkës. Një muaj më pas, pas 29 vitesh, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë.

Pas viteve ’90, me ndryshimet social-politike që ndodhën në vendin tonë, ndryshuan ngjyrat, por jo dukuria. Madje, ajo u bë më e dukshme, duke u shndërruar në një normalitet social.

Të parët e pësuan drejtuesit e sportit. Agim Zeka, anëtar i Partisë Republikane, emërohet kryetari i BFSSH-së, duke larguar Ali Vukatanën e PPSH-së. Ai largoi nga detyra të gjithë ish-drejtuesit e federatave sportive, pa llogaritur aftësitë e tyre profesionale. Brenda servilizmit të sportit ndaj politikës të re, Federata Shqiptare e Futbollit zgjedh si president Edmond Spahon, ministër i Turizmit në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Edhe federatat e tjera, apo klubet sportive nisin të ndjekin këtë shembull. Ish-deputeti i ndjerë, Pishtari i Demokracisë, Azem Hajdari, u zgjodh president i klubit të Vllaznisë.

Ish-atletja e shquar Marjeta Zaçe, që në ditët e para u pozicionua në Partinë Demokratike, dhe në një riorganizim të qeverisë së Meksit, ajo në vitin 1996 emërohet Sekretare Shteti pranë Këshillit të Ministrave.

Si pasojë e ndërhyrjes së shtetit në sport, konkretisht në Federatën Shqiptare të Futbollit, në vitin 1996, FIFA përjashtoi Shqipërinë nga aktivitetet ndërkombëtare. Shteti u tërhoq dhe marrëdhëniet me qeverinë e futbollit botëror u normalizuan…

Por le të afrohemi në ditët tona. Kryeministri Edi Rama perdori ekipin kombëtar të futbollit, si në rastin e incidentit të Beogradit, por edhe në pritjen madhështore pas finaleve të “Euro 2016”-tës.

Përdorimi i sportit nga politika, bëhet si në rang lokal, por edhe në atë qendror. Si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Edhe sportistët, si pjesë e shoqërisë shqiptare, janë të pozionuar politikisht. Rikujtoni fushatat elektorale në prag të zgjedhjeve, lokale dhe qendrore. Në podiumet e PS-së kemi parë ish-futbollistë të njohur si Igli Tare apo Sokol Cikalleshi, ndërkohë që në ato të PD-së, shokët e tyre Erion Bogdani, Andi Lila, apo Gentian Muça, i cili kandidoi edhe për deputet në zonën e Tiranës, nën siglën e PD-së.

Me heret deputetët Fidel Ylli, Paulin Sterkaj, Shpëtim Kateshi, që të tre të PS-së.

Sepse edhe sporti shqiptar, si kudo në botë, është vasal i politikës. Mund të ndryshojnë format, imazhi, ngjyrat, por dukuria është e njejtë…

 

Endi Tufa punon si gazetar sportiv në televizionin kombëtar “Top Channel”