Ky term tregon një formë të veçantë racizmi kundër romëve, i cili bazohet në pikëpamjen se kjo popullsi është inferiore ndaj të tjerëve dhe, për këtë arsye, dhuna ndaj tyre është e justifikuar.

 Elvis Berisa

Vështirë se ekziston ndonjë grup tjetër në botë drejt të cilit të ekzistojë një lloj konsensusi në urrejtjen ndaj tij, siç është rasti i romëve. Ky qëndrim ndaj këtij komuniteti i ka rrënjët në histori, kur të qenit rom dënohej me vdekje. Kjo ndodhte në Zvicër në shekullin e 16-të, në Gjermani në shekullin e 18-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, kur me shfaqjen e nazizmit urrejtja ndaj romëve, të cilët ishin shfarosur në masë, u rishfaq.

Trashëgimi i këtij mentaliteti ka prodhuar një qëndrim shoqëror ndaj romëve, në të cilin urrejtja vazhdon të drejtojë.  Kjo urrejtje sot quhet anti-ciganizëm.  Ky term tregon një formë të veçantë racizmi kundër romëve, i cili bazohet në pikëpamjen se kjo popullsi është inferiore ndaj të tjerëve dhe që për këtë arsye, dhuna ndaj tyre është e justifikuar.

Në themel të këtij nocioni është perceptimi se Romët si qenie kanë predispozita të caktuara gjenetike që nuk i lejojnë të integrohen plotësisht në shoqëri. Prandaj, romët perceptohen si njerëz që nuk janë të aftë të respektojnë normat shoqërore, që janë të pasjellshëm, te të cilët pothuajse mbizotërojnë instiktet e kafshëve, pasi janë njerëz nomadë.

Mali i Zi, megjithëse nga ana kushtetuese është shtet civil, ende e ka problem racizmin ndaj Romëve.   Me miratimin e deklaratës ndërkombëtare dhe strategjisë së BE-së për anti-ciganizmin, shteti e pranon se ekziston ky problem.  Rastet anti-ciganizëm në shoqërinë tonë janë të shumta dhe ato shihen kryesisht në marrëdhënien e qytetarëve me anëtarët e popullsisë rome dhe distancimin e madh etnik të shumicës ndaj këtij komuniteti. Në përgjithësi, të gjitha hulumtimet tregojnë të njëjtën gjë: distanca më e madhe etnike është ndaj romëve.  A është kjo një rastësi?

Shumica e qytetarëve nuk i duan romët si fqinjë, kolegë në punë, dhe madje as si bashkëqytetarë. Pothuajse askush në shoqërinë tonë nuk e do një rom si bashkëshort.  Këto studime tregojnë idenë e rrënjosur se romët vlejnë më pak.  Përfundimisht kjo krijon një imazh që mund të jetë baza e dhunës ndaj këtij komuniteti.

Akoma më e rrezikshme është shfaqja e anti-ciganizmit institucional – kur institucionet që supozohet të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut për romët, në të vërtetë kanë një qëndrim plotësisht pasiv ndaj gjithçkaje, për sa i përket këtij komuniteti.  Ka mjaft raste në shoqërinë tonë kur institucionet nuk reagojnë ndaj shkeljes së të drejtave të popullsisë rome, duke e justifikuar këtë qëndrim si ‘mënyrë jetese’ e komunitetit rom.

Përveç kësaj pasiviteti, komuniteti rom shpesh manipulohet dhe abuzohet për qëllime politike, duke përfituar nga niveli i tyre i ulët i arsimimit dhe ngaqë nuk dinë shkrim e këndim.   Romët e varfër dhe të margjinalizuar janë një shënjestër e lehtë për ‘gjuetarët e votave’, sepse vota e tyre është shumë ‘më e lirë’ sesa e qytetarëve të tjerë.  Veçanërisht gjatë proceseve parazgjedhore, për anëtarët e komunitetit është e zakonshme që ‘drejtuesit’ e tyre të jenë autorët e manipulimit, të cilët, në vend që ti emancipojnë njerëzit e tyre, i shtyjnë edhe më thellë në shkatërrim.  Si e quani këtë fenomen?  Auto-anticiganizëm.

Pse Mali i Zi është ende i vetmi vend në rajon që nuk ka pasur kurrë (dhe akoma nuk ka) një përfaqësues të mirëfilltë në Parlament? Që nga futja e institutit të veprimit pozitiv në legjislacionin zgjedhor, Ligji për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Përfaqësuesve është ndryshuar 18 herë, dhe opsioni i garantimit të një pragu më të ulët për marrjen e një mandati për komunitetin rom, nuk është shqyrtuar. Nëse shtojmë se një komunitet pakice e ka ulur pragun nga 0.70 në 0.35 përqind të votave të vlefshme – dhe meqë ra fjala, ata janë pothuajse të njëjtë me romët për sa i përket strukturës demografike – atëherë pyetja është nëse kjo është diçka që shteti rastësisht nuk arriti ta bënte. Si e ka emrin kjo? Diskriminim politik apo anti-ciganizëm.

Megjithëse janë bërë disa hapa përpara në pozicionimin e përgjithshëm të romëve në shoqërinë tonë, fusha e përfshirjes sociale është ende e kufizuar.  Aktivistët e shoqërisë civile rome gjithmonë duhet ‘ti shtyjnë’ institucionet që të bëjnë punën e tyre, shpesh duke u shkaktuar pakënaqësi ndaj komunitetit.

 

Elvis Berisa është themeluesi i organizatës rinore rome ‘Ec me ne – Phiren amenca’, autor i ‘Shpresa është më e fortë se frika’, dhe ka hapur portalin e parë rom RomaNet. Ai është diplomuar për ‘Siguri dhe Kriminologji’ në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Malit të Zi